13.5 C
Tiranë
E martë, 10 Dhjetor 2024

NGA.Mira Zaho Mëhilli

(Në një ditë si kjo e sotmja me shi ndodh shpesh që t’u kthehesh kujtimeve. Një të tillë, nxjerrë nga shënimet e mia, dua ta ndaj sot me ju miq dhe mikeshat e mia).Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

“Anëtarësimi” në O.R.

23 Nëntori është një datë, që besoj shumë prej brezit tim e mbajnë mend mirë. Ndokush, ndoshta bëhet edhe nostalgjik për të, po për mua mbetet një kujtim i trishtë.

Mbaj mend, që kur vazhdoja klasën e tetë në fshat, gjithë nxënësit e klasës sime (përveç meje) u pranuan në Organizatën e Rinisë. Isha ende fëmijë dhe kuptohet që kjo gjë më preku shumë, më veçuan nga të tjerët. Por nuk mjaftoi vetëm kjo. Më kujtohet se të gjithë nxënësit i pajisën me nga një karton, që quhej testër. Asnjëherë nuk e pashë se ç’pamje kishte, nuk guxoja ta bëja një gjë të tillë. Kujtoj që sekretari i partisë, i cili ishte dhe mësues në fillore në shkollën ku mësoja, i porositi të gjithë nxënësit para klasës, ku isha edhe unë, që të bënin kujdes nga armiku, se mund t’ua merrte. Biles më kujtohet se si i porositi që mamatë t’u bënin xhepa të brendshëm në rrobat e tyre, pasi kështu i kishin më të sigurta. Sa fyese dhe poshtëruese ishin për mua të këto fjalë! Megjithatë fakti që shkëlqeja në mësime dhe marrëdhëniet shumë të mira që kisha me të gjithë në klasë, madje edhe me mësuesit në përgjithësi, sikur bëri që kjo histori të harrohej.

Por për fat të keq nuk ishte ashtu. Kjo histori do të rihapej me më shumë dhimbje, kur isha në vitin e dytë në gjimnaz. Tani isha edhe më e rritur dhe kisha përjetuar edhe më shumë persekutime. Do të pranoheshin në OR nxënësit, që për shkak të moshës nuk kishin mundur të anëtarësoheshin kur ishin në klasën e tetë. Nga përvoja e mëparshme e dija se unë nuk kisha lidhje me këtë punë, kështu që qëndrova indiferente kur të tjerëve, ata që ende nuk ishin anëtarësuar(më duket se ishin tre nxënës) u kërkuan të bënin nga një kërkese ku të shkruanin dhe biografinë e familjes së tyre. Por nuk mbaroi me kaq. (Vazhdimisht më ka bërë dhe më bën përshtypje se si persekutorët asnjëherë nuk ngopeshin së persekutuari, madje deri dhe te fëmijët).

Një pasdite dërgojnë në shtëpinë time njërën prej nxënëseve të klasës M. ishte anëtare e komitetit të rinisë së shkollës, (një vajzë e çiltër dhe shumë e mirë, grua dhe nënë shume mirë edhe sot, prindërit e mi e donin shumë). Kam treguar edhe më parë që në shtëpinë time vinin vazhdimisht shoqet e klasës për të punuar ushtrime e problema nga matematika dhe fizika. Kështu ato ishin miqësuar shumë edhe me prindërit e mi, sepse të tillë ishin ata, njerëz të dashur dhe fisnikë, (aq më tepër me fëmijët). Më thotë se e kishin dërguar të më thoshte të bëja edhe unë kërkesë për t’u pranuar në OR. Pasi M. largohet u tregoj prindërve për atë çfarë ajo më tha. Në fillim u shqetësuan shumë, por më pas menduan se “ata” (sigurimsat që ishin të kudondodhur) kishin “zbutur” shpirtin e tyre, të paktën me fëmijët. Por zhgënjimi nuk vonoi. E bëra edhe unë kërkesën duke përshkruar shkurtimisht biografinë e familjes sime (pa përmendur internimin). Kështu, një ditë, pasi mbaruam mësimin na thanë të qëndronim në klasë se do të zhvillohej mbledhja për pranimin e anëtarëve të rinj në OR. Në mbledhje, përveç nxënësve të klasës mori pjesë edhe sekretari i partisë së shkollës dhe mësuesi kujdestar. Mbledhjen e drejtonte sekretarja e rinisë së klasës V. Siç e kishin mësuar (kështu besoj), lexoi me radhë kërkesat, duke komunikuar për secilën edhe miratimin, kurse kërkesën time e la për në fund. E lexoi me zërin që i dridhej (nuk ishte e qetë, me sa dukej e kishte kuptuar që po e përdornin kundër meje). Në fund tha se organizata nuk më pranonte në radhët e saj, pasi unë nuk isha treguar e sinqertë, nuk kisha treguar që familja ime kishte qenë e internuar. E gjithë kjo për mua ishte e papritur dhe shumë goditëse. Mora çantën dhe me nxitim dola nga klasa, nuk doja të më shikonin tek qaja. Pas shpinës sime dëgjova zërin e mësuesit kujdestar që thërriste : “Zaho kthehu në klasë!” Por zemërimin tim nuk kishte forcë që ta ndalte. Mora rrugën për në shtëpi e ngashëryer në lotë. Largimi im, siç u shpreh njëri nga shokët e klasës i kishte lënë ata …

Ashtu e përlotur arrita në shtëpi, kuptohet sa u shqetësuan prindërit e mi. Megjithatë gjetën forcat për të më qetësuar. Shpesh thoshin se kjo e keqe e madhe që po ndodhte me familjen tonë, një ditë do të kalonte…

Të nesërmen, kur shkova në shkollë, në përgjithësi nga mësuesit dhe shoqëria e klasës gjeta më shumë ngrohtësi dhe mbështetje…

Mira Zaho Mëhilli

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.