14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Nga poeti,shkrimtari :Visar Zhiti

DYERT E GJALLA
– poezia e së shtunës –
Hapen dyer,
mbyllen dyer.
Dyer që na çojnë te vetja,
dyer që na nxjerrin nga tjetri jashtë.
Trokasin në dyer
që s’hapen,
futemi në dyer
që s’ mbyllen.
Dyer, gjithë ato dyer.
Njëra të çon te një kujtim,
tjetra te një rrezik,
asgjëkundi një tjetër.
Te një ngjarje që s’ka ndodhur akoma
të çon një derë,
te një ngjarje që ka ndodhur një herë
të çon një tjetër.
Dyer hallesh,
dyer dhimbjesh,
dyer fitoresh
me qenin e ferrit në prag,
dyer të grira nga plumbat,
dyer burgjesh,
dyer shtëpish publike
me llampën e kuqe të gjakut
që e tund era si marramenth,
dyer kështjellash, tradhëtish,
dyer disfatash, krenarish,
dyer poetësh çelsahumbur,
pa lloz,
derë e lulëzuar nga urimet,
derë e brejtur
nga vështrimet ziliqare,
derë rrotulluese vallzimesh,
dyer të kristalta si femrat,
dyer hekuri, të xhandarta,
dyer druri si durimi,
dera që çon lart,
dera që i vjen rëndë që është derë,
dyer me emra,
dyer pa emra
dyer që fusin erën si një gazetë,
dyer që s’fusin dritën-bëjnë detyrën,
dyer të pastërtísë,
dyer të fyerjes,
dyer, prapë dyer, dyer përsëri.
Te dyert e së mirës
dua të mbërthej dorën time
si dorë metalike
që kapet për të trokitur.
U bini horizonteve me dorën time!
Qaj bashkë me derën
nga doli arkëmorti i të zotit
të shtëpisë,
hesht te dyert që heshtin.
Ku ka shtetrrethime
trëmbem me gjithë dyert e botës.
Vetvetiu ma hap liria,
prapë hapem si kapakë guackash
që të futen si perla
bukuritë prej nusesh.
Nuk dua të mbyllem!
Një thirrje fëmije më hap befas,
se ai s’arrin dot dorezën,
gjithmonë të ngrohtë
nga të prekurit,
vezulluese si buzëqeshjet.
Dhe gërvishtja me thonj macesh
i një meraku
më hap.
Të jesh derë e gjallë
si ajo që bashkon stinët
apo zërin me zemrën,
mendimin me aktet,
zogun me zgavrën e kitarës,
yllin me dallgën,
pjalmin me puthjen,
lotin tënd që të rrjedhë
në faqen time,
sytë e kohës
me sytë e ngjarjeve,
veten me veten
dhe të ndjehesh i gjithi
popull.
Visar Zhiti
————————————-
Libri im “Dyert e gjalla”,
që mban titullin e poezisë, doli në vitin 1995 nga Botimet “Eurorilindja” e Kosovës, që ishte zhvendosur në Tiranë nga shkaku i dhunës serbe.
Ishte përmbledhja ime e katërt dhe më mallengjente fakti që e botoi Kosova jonë…
Dhe kur shoh këtë imazh dere, vepër artistike, që vërtet më trondit në heshtje, e piktorit me njohje ndërkombëtare Agim Sulaj, dera përballë e mbyllur dhe kurrizi si një tjetër derë po e mbyllur, ato trokitëset metalike befas zënë e trokëllijnë fort brenda meje, përzierë me rrahjet e zemrës dhe më ndërmendet poezia “Dyert e gjalla”, libri, që duhet të kishte në kopertinë këtë pikturë, por atë e kam parë së voni dhe ndoshta piktori i dashur më jep leje në ndonjë ribotim të mundshëm.
Por sot solla poezinë time të dyerve bashkë me veprën e mrekullueshme të Agimit, – një trokitje dy herë e së shtunës…
V
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.