22.5 C
Tiranë
E shtunë, 14 Qershor 2025

Nga:Bajame Hoxha – Çeliku

S’E DI
S’e di, si më le pas krahësh,
o ëndrra ime e madhe!
Sepse ishe ti që nuk duroje,
nga unë një çast ndarje.
S’e di, si më le pas krahësh,
kur s’rrije dot larg meje.
Minuta të bëhej orë,
e ora shekullore
NËNA IME
Do t’ju them një fshehtësi,
gjer tani askush s’e di.
Kemi qenë në vështirësi,
s’kishim bukë në shtëpi.
Kishim kazmë dhe lopatë
dhe atë çikë bukë thatë.
Dhe punonim ditë e natë,
zbathur, lagur gjer në palcë.
Kur rrufeja fort godiste,
fushave qe nëna ime.
Kur shiu nuk pushonte,
nëna nën të punonte.
Tërhiqte këmbët osh e zvarrë,
se nga puna i qenë çarë.
Dukej qartë s’kishte jetë,
syrgjyn në kamp të shkretë.
Shkonte nëpër diell të nxehtë,
që t’na ushqente, hej medet!
S’ishim pak, por ishim pesë,
donim bukë për çdo mëngjes.
Dhe kur bosh ishte sofra,
qante nëna, qante motra.
Qanim të gjithë menjëherë,
çfarë të bënte nënë e mjerë?!
I qëndronte pranë loti
dhe besim i madh te Zoti.
S’kishim shtëpi as çati,
na i rrënoi regjim i zi.
Në kazerma ishim mbledhur,
mijëra vetë si lecka hedhur.
Binte çanga që pa gdhirë,
të gjithë strukur dhe mërdhirë.
Dikush në ethe pa shërim,
tjetri kollej pa pushim.
Qanin të gjithë pa mbarim,
nga i ashpëri trajtim.
Fyerje, sharje, poshtërim,
për çdo ditë e çdo agim.
Ne fëmijë në internim,
s’njihnim lodra as gëzim.
S’ dinim çfarë ishte hareja,
aq më tepër çfar ish feja.
Rriteshim nga pak përditë,
uria na i errte sytë.
Pinim ujë pusesh batak,
ku bënte zhaba kuak.
Epidemia anembanë,
tuberkulozë sa shumë vanë.
Vajti edhe motra ime,
që ish yll në flakërime.
E brishtë ish si zanë mali,
e bukur lule behari.
Në mes të dritës, errësuar,
sytë e kaltër perënduar.
Sa kish mbushur pesëmbëdhjetë,
kishte bërë shumë përpjetë,
rritur në kampin e shkretë.
Rritur, rritur me thërrime,
që i mblidhte nëna ime.
Tani s’ kish as shpresë as jetë,
tuberkulozi po e vret.
Sytë e kaltër të thelluar,
nga një lot i turbulluar.
Që s’e mposhte dot regjimi,
kishte karakter prej trimi.
Dhe sëmundja po e merrte,
vajzën trime dhe rebele.
Më në fund shkoi në spital,
ethe, ethja pa ju ndarë.
Edhe thikat mbi të ranë,
mbi të brishtin trup që s’mban,
mjekët bënë provën e parë.
Loti rrodhi anembanë,
vajza s’kishte njeri pranë.
Nëna ish e izoluar,
me shpirt e zemër copëtuar.
Veçse lotin kapërdinte,
e për vajzën asgjë s`dinte.
Ngrihej herët që pa gdhirë
edhe pse ish errësirë,
lutej para perëndisë,
që t’i kthehej vajza mirë.
Dhe në fund merr një haber,
se mushkëritë ia kishin prerë.
Vonë haberi vjen në terr,
nga një frikë, nga një tmerr.
Ku qe loti asaj nate?!
Britma kuje pas mesnate.
Dhe kazerma seç rënkoi,
nëna lot shpirti lëshoi.
Që pa gdhirë u nis për punë,
ish e mallkuar dit’ e shtunë.
Rrugën e lau me lot,
dhe iu lut të madhit Zot,
t’ia kthente vajzën në shtëpi,
me faqet trëndafili.
Se e prisnin në kazermë
dhe katër fëmijë të tjerë.
Zot, o Zot! O perëndi!
ma kthe vajzën përsëri,
është pa rritur Zot, e di?!
Ka prerë brinjë dhe mushkëri,
dhe s’ka pranë asnjë njeri.
Me krah lajmi fluturoi,
anembanë kampi gjëmoi,
i ri e i vjetër vajtoi,
vallë sykaltra mbaroi?!
Sepse s’kishte kurrë qetësi
nga ai regjim i zi,
që turrej me aq tërbim
dhe mbi foshnjat pa mëshirë.
E bukura motra ime,
po dergjej nëpër agime.
Humbi në sanatoriume,
panjohur jetë e as gëzime.
Kish freski mëngjesore
dhe puhinë pranverore.
Kishte syrin lotuar,
bukurinë lulëzuar.
Ishte porsi trëndafil,
mbyste thellë bukurinë.
Sykaltra me të madhen plagë,
askush nuk mori dot shpagë.
Pafund zemra më dridhet
dhe loti në grykë më mblidhet.
Për të shtrenjtën motrën time,
që tretej në sanatoriume.
Xhelatët dukeshin pareshtur,
gjithkënd mbyste ankth i heshtur.
Kur dukeshin me aq nxitim,
egërsinë kishin vështrim.
E shtrenjtë më ish nëna ime,
lau rrugët me lot e dhimbje,
kishte lindur për mundime.
Kish mundim e brengë pa reshtur,
fshihte lotin e pa heshtur.
Kishte hidhërim e plagë,
por fjalën e kish të artë.
Të falem sot o nëna ime,
për atë jetë, për ato dhimbe!
O motra ime, të falem dhe ty,
Parajsa ju qoftë streha në përjetësi!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.