4.5 C
Tiranë
E premte, 21 Mars 2025

Nikollë Loka

KOHA NË POEZINË E HYSEN GRAJÇEVCIT

Hysen Grajçevcin e kemi përsëri në Tiranë, kësaj rradhe në promovimin e librit të tij. Ai është një krijues i suksesshëm që e ka të shenjtë fjalën dhe miqtë, prandaj është nder dhe privilegj ta kemi në mesin tonë.

Vetë poezia është një nga traditat më prekëse që nga lindja e botës. Fjalët e duhura ndryshojnë jetën, duke i bërë njerëzit që për një moment ta shohin botën disi ndryshe nga si e kishin parë disa minuta më parë. Poezia e Hysenit është e tillë, e shkruar përditë, por e përpunuar në laboratorin e tij krijues deri në perfeksion dhe duke e publikuar kur poezia ka marr formën më të mirë të mundëshme. Hyseni është një poet liriko-epik. Lexuesit e dinë se një poezi me stil të ngritur që përqëndrohet te një hero dhe implikon fatin e një populli ose kombi ka të ngjarë të jetë epike dhe dëshiron të lexohet si e tillë. Por poezia e Hysenit ka edhe shumë ndjenjë, përcjell kohë, ndan dhimbje, ngjallë shpresë, pra ka dhe lirizëm. Është poezi e mbetur diku në mes, kur pas ikjes së natës, agimi ka lindur i vërejtur dhe dita nuk vjen me atë pamjen që pritej.

Poezia e Grajçevcit e tregon kohën, si prani ose si mungesë në ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij, si në poezinë “Atë ditë”:

Atë ditë, bënte ftohtë/frynte një erë./Unë isha larg!/Ti, kot më kërkoje/ në secilin kënd,/në secilën derë!// Tani, për ditë jam te Ti!/ Te kjo rrasë varri/ Vij, e flas me Ty,/ e Ti …!/ Ti, heshtur rri!/ E di…!/ Nënat, bijve nuk u mbajnë mëri!//

Koha e poetit është e njësuar me orën e kombit të vet, e ndarë në dhimbje, rënkim, psherëtimë, prangosje, rrethim si  në poezinë: “Deri kur Dardani” dhe poeti pyet:

Dhimbjen në krisma Dardani/ Rënkimin në dënesë/ Psherëtimën ndrydhur në shekuj/ herë lidhur në pranga/herë rrethuar me hekur!?//

Ndërsa në poezinë “Deri kur ?.., koha e poetit është e ndarë në tri këngët, për të cilat ka shkruar Kadare: Koha e parë, e dytë dhe e tretë, njësoj të tria. Ndryshe vjen koha në poezinë “Jehu i Alpeve të mia”, koha si jehonë, pasi jehona vetiu udhëton në kohë:

Prej  nga nis rrugëtimi, e prej nga/  Zanat ringjallin legjendat!/ Këtu… pranë çdo jehu/ një katakomb!/ Ora e Malit ruan kreshnikun/ Strehë bese një shkëmb!/ Këtu gjokun e Jakup Ferrit/

e pash të larë në gjak…//

Ka dhe kohë të keqe, ajo që ka ardhur në mënyrë ciklike dhe nuk na e ka lënë diellin të ndrijë si në poezinë “Ka dit”. Dhe koha në poezinë e poetit Hysen Grajçevci vazhdon deri në papërcaktueshmëri, në një kohë amorfe që nuk lëviz, nuk ka stinë dhe as ndryshime gjendjesh, por ngurtësohet në një dimër të gjatë, si në poezinë:”Kur duhej të lindesha”:

U linda atëherë kur dimri fshihte gjurmët/ e pranvera vononte blerimin!/ Ishin kohë thyerjesh,/ në belbëzime vegimesh/ edhe sot e dëgjoj si kollitet e nesërmja!/ Po të më pyesnit se kur do të lindesha !?/ nuk do të dija t’ju them,/ di se atëherë nuk kishte planifikim lindjesh/ e vdekja vinte tinëz pa pyetur askënd!// Gëzimet i mbanim në nënvetëdije,/ ndijimet nuk i shpërfaqnim!/ Po lindje i duheshin këtij dheu/ edhe kur buzëqeshja mungonte!//.

Në poezinë e Grajçevcit dhe në kohën poetike të tij ecin paralelisht dy realitete: Ngjarjet reale jetësore që kanë lënë gjurmë në jetën dhe krijimtarinë e tij, ku poeti identifikohet me grupin social që i përket, intelektualin shqiptar nën pushtim dhe dhunë, si koha në realitetin e ri shqiptar të pasviteve ’90, të një lirie të paplotë dhe të  një demokracie në zhvillim. Ndërkohë, paralel me këtë realitet, vjen realiteti tjetër, ai artistik i shpresave dhe i aspiratave të poetit, që priten të realizohen. Në poezinë “Marshi apokaliptik” , të dy kohët e poetit ecin paralel, si në poezinë “Marshi apokaliptik” :

Asgjë nuk mbanim me vete/ asgjë,/  veç ëndrrës dhe shpresës në rrugëtim;/ Karvani ecte i heshtur,/ si ecën kortezhi pas funeralit;/ Mbi supe bartnim/ vuajtjet e viteve në mjerim!/ Atje;/ Në Bllacë, derdhëm dhimbjen,/ lotin, / krenarinë  e të vrarit!/Këtu;/ Ndjehej frymëmarrja/ si në natën para varrit!/ Në Bllacë u prek/ Ferri i Dantes/ dhe përbuzja e robit!// Andej, në gjah hienat;/ këtej, krakëllimë e trisht’ e Korbit!/ Qenia jonë e prekur deri në asht,/ Priste Prometheun,/ Feniksin, të ringjallej prapë!

S’ka si shprehet më bukur tragjizmi ynë kombëtar ! Dhe Feniksi i poezisë së poetit të mirënjohur Hysen Grajçevci vjen prej një lindje të vështirë.

Vëllimi poetik “Në strehën e fjalës”, eështë një dëshmi se poeti po i ngjitet të përpjetës me besim, duke u future në rrethin e ngushtë të atyre krijuesve që poezinë nuk e kanë vetëm mënyrë të vetëshprehjes, por edhe prirje, aftësi që me pak fjalë rrëfen shumë, që të tërheq dhe të mban lidhur me fjalën që i jep lexuesit mesazhe dhe emocione të mëdha.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.