16.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Janar 2025

Për një mik të shtrenjtë që nuk është më

 

NE KUJTIM TE MIKUT DHE KOLEGUT TON RAMADAN BIGZA

Bedri Zenel Islami

Për një mik të shtrenjtë që nuk është më

Sot ai do të ishte 68 vjeçar. Njëri ndër miqtë e mi më të afërt të rinisë së parë, por edhe deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Gazetari Ramadan Bigza. Ne i thonim asaj kohe shkurt, Dan Reshiti.

Kur e kam njohur ai jetonte në shtëpinë e madhe të Gjyrezëve, në fillimin e lagjes Perash. Pastaj vajtën tek një banesë të ndërtuar me punë vullnetare.

I kam ende ndër sy prindërit e tij, Selmanin dhe Fetijen, të urtë deri në dhmbje dhe të ndershëm deri tek e pabesueshmja. Nganjëherë i shihja kur niseshin për në punë, në Fabrikën e Tisazhit; ai ecte pak më përpara, ashtu i dobët, i hajthëm, i qëndrueshëm në pamjen e tij; ajo, pak më pas, , duke mbajtur në duar një çantë , ku kishte ushqimin e ditës me vete. Nënë Fetija ishte e jashtëzakonshme. E gjithë qenia e saj ishte mirësi.

Motrat e Danit, Semi dhe Dhurata ishin simotrat e mija. Pastaj , në jetën e tij erdhi Monda, dhe gjërat rrodhën si në një shumësi jetësh.

Për shumë vite nuk jemi ndarë, së bashku edhe me të tjerët, që ishin po aq, në mos më të rëndësishëm se sa ne dhe që i donim me shpirt. Ishte koha e shoqërisë së bukur, të bardhë, ëndërrimtare dhe harrakate.

Befas, gazetari Ramadan Bigza, miku ynë i shtrenjtë, u nda nga jeta. Ishte fund maji. U këput nga dhimbja për njerëzit e tij apo kulmrrëzuar si fati i shumë shqiptarëve, tani kjo është pak e rëndësishme.

Ne ishim një brez i bukur, por koha jonë nuk kishte ardhur. Shtegu i jetës sonë ishte i mbuluar me lulet e harresës së një kohe që , aq sa e donim, aq ishte edhe e ftohtë. Përpiqeshim të ngrinim një botë tjetër përmes dashurisë sonë. Për aq sa e ngritëm, ndjeheshim të lumtur. Ne ishim si ata bardët pleq që , edhe pse jo të verbër, nuk donim të ndjenim dhe nuk e shihnim kohën që ishte e mrekullueshme, por e ftohtë. Ishin ditë në të cilat nuk mendohej largimi, vetmia, heshtja, e as dhimbja. Përditë nxitonim drejt diçkaje që e kishim shpikur vetë, nën një pasion vetëtimash. Ky qe fati ynë i ylbertë, i cili nuk e kishte parashikuar ngjyrën e dhimbjes së ndarjes nga një mik!

Mendoj shpesh për atë kohë që ishte gëzimi i botës.

Asaj nate, kur një shoqe e vjetër e gjimnazit, Drita Vrenozi -Gera, më telefoi dhe më tha se Dani kishte ndërruar jetë befasisht, nuk e besoja dot. Pak orë më parë kisha biseduar me të në telefon dhe më kishte uruar ditëlindjen e tim biri. Ishte fund maji.

Më është rrëzuar një kohë.

Por sot është ditëlindja e tij dhe jo ditëlargimi i tij. Sot, ne të gjithë miqtë e tij, përmes mendimit, kthehemi në Shkodrën ku kemi lindur, në Shkodrën e mbretërve, atje ku loja e ajrit dhe e diellit, e ujrave dhe e mjegullës, e gazit të tij dhe e vendqëndrimit të fundit, në atë qytet ku kemi bredhur deri në lodhje, ku kemi kënduar pa fund, kemi qeshur dhe kemi vrapuar, kemi luajtur në fushat e lagjeve dhe jemi ngjitur nëpër mure, kemi pëshpëritur të fshehtat përvëluese dhe kemi ndjerë se si rrahjet e zemrës nuk i përshtaten asnjë lloj anatomie, ku kemi dashur fort e kemi ndjerë mall për miqtë e shokët, sidomos të gjimnazit; ku kemi bërë poezitë e para dhe kemi ngritur me mundim emrin, në atë qytet ku ende kemi prehjen tonë të mendimit, të qetësisë dhe të dëshirës.Oh, Zot, sa të rinj ishim!!!

Urime ditëlindjen , miku im!

Urimet e zemrës për të gjithë ata që lindën në Ditën e parë të Pranverës!

Shtutgart, 21 mars 2020…

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.