17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

Prof.Dr.Flori Bruqi(dergoje per botim)

Veli Veliu:Imazhi mund të përmbajë: 1 person, duke qëndruar dhe kostum

Doli në dritë përmbledhja me poezi për fëmijë, ”Kënga e re” e shkrimtarit të njohur, Behram Hoti,botoi Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë 2020).
Përmbledhja me poezi për fëmijë me titull ”Kënga e re” e shkrimtarit të njohur Behram Hoti përfshin krijimet letrare të një periudhe gati gjysmë shekullore! Tonet e ligjërimit poetik shprehen bukur me koloritin dekorativ të natyrës së gjallë fshatare! Temat dhe motivet që trajtohen në këto poezi nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, në mënyrë besnike e ruajnë frymën autentike të asaj kohe të përcjella me shënime plotësuese e data, kur janë shkruar më gjuhën para Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë! Dëshira e autorit është të shihet më mirë periudha e hershme e poezisë për fëmijë, pa ndërhyrje e plotësime nga këndvështrimi i botës së sotme!
Oh! Sa bukur! Erdh pranvera
Plot me lule e gjelbërim;
Petk të ri ka veshë livadhi
Na thërret të gjithëve në argëtim!
(Oh, sa bukur)
Vrojtimi realist i jetës aktive shqiptare, sidomos në hapësirë të gjerë të fshatit, e më pak në qytet, lidhet edhe me jetën e autorit në një trevë kryengritëse, siç është Krahina e Drenicës në zemër të Kosovës, e njohur për luftëra të ashpra kundër ushtrive të huaja barbare! Jeta aktive në hapësirën e fshatit, madhështia e maleve hijerënda, ku gjetën strehim më të sigurt luftëtarët e lirisë, me burime e ujëra që derdhen në lugina të buta plot gjelbërim, bota e pasur bimore e shtazore, ujëvarat e zanave e kullat e burrave të dheut, pasqyrohen me ngjyrat tipike të asaj kohe sa të dhimbshme aq edhe krenare të popullit tonë!
Në artin letrar për fëmijë është domosdoshme ruajtja e frymës së shëndoshë e optimiste, gjë që e ka pasur parasysh poeti ynë Behram Hoti, i cili shkruan kryesisht për të rritur! Në pak poezi paraqitet jeta e rëndë në kohën më të vështirë, ku spikatet jeta e zymtë, për shembull te poezia Kohës së shkume:
Shumë herë kohës së mbështjell me mjerime
Stërgjyshorit veshët ia kanë falë,
E nata e shurdhur këngën e vet s’ e ka ndalë!
Dita ka lind e verbët
Rrugën e vet s’ e ka pa,
E njerëzit n’ ofshama kanë ecë
Kurrë pa ia nda!
Dashuria ndaj vendit të vet dhe për njerëzit e tij spikatet në të gjitha poezitë e këtij libri! Natyra magjepse shqiptare, sidomos në kohën e lulëzimit të vrullshëm, është jashtëzakonisht e bukur dhe e frymëzon poetin të shkruajë vargje për ngjarje e tema të ndryshme edhe kur është në jetën e lirë, por edhe pasi burgoset në burgjet e rënda jugosllave. Kjo është për t’ u befasuar sepse poeti këndon me aq optimizëm edhe brenda burgut për natyrën, jetën e bujkut në fshat, vatrën e ndritur të arsimit dhe dhuratën më të çmuar librin! Elementi edukativ te fëmija nuk mungon, kurse nga emrat veçohet vogëlushi Genti që herët njihet me fenomenet e dukurit e shoqërisë e të natyrës, është karakteristike porosia dhe gjuha e moshës së tyre! Raportet e reja shoqërore në botën bashkëkohore fëmija i njeh duke u rritur, qoftë në hapësirë të fshatit, qoftë të jetës urbane në qytet duke u mbështetët në fakte e të dhëna të reja jetësore!
Autori është aktiv në jetën e përditshme dhe energjia krijuese derdhet në vargje kur këndohet për nënën e hënën, për shkollën e tokën, për diellin e bilbilin, për prillin e detin, për Kosovën e Drenicën për Shqipërinë, e për lirinë! Këto frymëzime në preokupimet e autorit mbështeten në etnopsikologjinë e njerëzve të vendit tonë! Trajtimi objektiv i jetës reale me ngjyrat autoktone e rrisin kureshtjen e fëmijës dhe e zgjerojnë diapazonin e dijes, falë artizimit të ngjarjeve që ndodhin në skenën gjallë të jetës! Motivet e këtyre lirikave janë të kapshme për fëmijët edhe kur u këndon figurave të shquara si heronjve Azem Galicës në poezinë me titull: “Mali i Azemit” dhe “Flamurit” të Fazli Graiçevcit ose poezia me motiv familjar, siç është elegjia për nënën Zymryte Hamza! Pra, në këto poezi shprehet artikulimi modern që është më i afërt me poezinë për të rritur! Mirëpo fëmijët e kohës sonë janë mjaft inteligjent dhe për ta nuk paraqet vështirësi komunikimi edhe kur struktura e vargut është pak më e komplikuar!
Mund të konstatoj se ky libër me poezi e begaton artin tonë për fëmijë me tematikën e larmishme që e ka trajtuar autori duke i përmbledhur krijimet e kohëve të ndryshme! Mendoj, se poezia për të vegjlit e krijuar më herët, në fillimet e saj, njihet më pak nga lexuesit e kësaj kohe!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.