Kaluan 100 vjet, por ata mbeten të paharruar! Na lanë një atdhe ne të gjallëve (se atdheu përbëhet edhe nga të vdekurit) dhe ne do ua lëmë fëmijve tanë.
Konferenca e paqes në Paris 1919 mbaroi, por Italia nuk kish hequr dorë nga ato që traktati i fshehtë i Londrës i kish premtuar. Pasojë e synimeve ishte një traktat tjetër i fshehtë italo-grek, që e ndante Korçë-Gjirokastër-Vlorë, mes tyre. Margaret Macmilan përmend edhe një version sjellë nga Nicolson, që e bëri më tragjike situatën: Shqipëria të ndahej, veriu Serbisë, një shtet mysliman në qendër, jugu Greqisë dhe Italisë, të cilës i jepej gjithasht mandati mbi Shqipërinë e mbetur.
Por, me Kongresin e Lushnjës gjërat kishin ndryshuar. Më 20 mars, sipas gazetës “Mbrojtja Kombëtare”, u vendos nga paria e Vlorës, që”…çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”. Në 29 maj në Kuvendin e Barçallasë (Dukat), nga fshati i të parëve të mi, Kuç i Kurveleshit, mori pjesë Ismail Haki Kuçi, i cili ishte edhe përfaqësues i qeverisë së Tiranës.
Më 31 maj fshati Kuç ngriti çetat e luftëtarëve. Burra të fshatit, që u nisën në luftë, ishin 180 veta. Me armët e tyre. Për drejtimin e luftëtarëve u zgjodhën si komandantë të çetave Meto Peçi (gjyshi), Sefedin Meçe, Rrapo Aliu, Jaho Gjoligu dhe Arshi Saraçi. Në dt. 3 qershor fshati Kuç sulmoi postkomandën italiane të zonës, çarmatosi 60-70 karabinierët dhe i la të lirë të iknin. (shih: Hasan Luçi-Lufta e Vlorës, 2012).
Në 4 qershor 1920, një çetë me Jaho Gjoligun u nis për çlirimin e Tepelenës. Katër çeta nën komandën e gjyshit tim, Meto Peçi dhe Rrapo Aliut, u nisën drejt Drashovicës. Rrugës u bashkuan me çetat e Bolenës, Kallaratit, Vranishtit, Tragjasit, Velçës e Ramicës dhe së bashku çliruan Lumin e Vlorës. Në 5 maj çetat e Kuçit sulmuan Kotën, ku ishte organizuar mbrojtja më kryesore e trupave pushtuese italiane dhe e pushtuan pas 9 orë luftimesh. Vlora, nga ky moment, mbeti e rrethuar. Atë e mbronin 20 mijë trupa ushtarake të armatosura deri në dhëmbë. Në 10 qershor çetat e Kuçit kishin mbërritur në Qafën e Koçiut. Prej këtij momenti, Italia filloi sulmin me artileri, me topa dhe avionë luftarakë. Luftëtarët kuçjotë hynë triumfatorë në lindje e jug të Vlorës në 22 korrik.
Lavdia e këtij burri në luftën epope të Vlorës, nuk e pengoi Ahmet Zogollin ta internonte në vitin 1937 si kundërshtar të regjimit zogist, internim që zgjati deri në pushtimin fashist.
Ne u rritëm me kujtimin tënd, gjysh Meto! Ti ishe një luftëtar, kur atdheu të kërkoi, ishte në ballë. Plagët e marra në luftë ishin medaljet e tua të vërteta.
Kemi qenë krenar me ty gjysh!
100 vjet më pas, me këto shënime, kujtojmë për të të ndermendur se frutet e armëve të shokëve të tu i siguruan Shqipërisë pavarësinë. Ju jeni e do mbeteni të pavdekshëm!