Xhevdet Kallaba
Nga Ditari im: 29 janar 2020
FLAKA E JANARIT KTHEHET NË GJENEZËN E SAJ.
Ndonëse janarët janë në flakë që nga periudha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, një grup aktivistësh kulturorë nga Kamenica, në vitin e largët 1992, vunë themelet e një manifestimi kulturor – përkujtimor për Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, që përjetësinë e tyre e lidhën pikërisht me muajin janar.
Në fakt, ky manifestim, më vonë, iu kalua qytetit të Gjilanit për t’u bërë manifestim tradicional, e i cili do të emërtohej “Flaka e Janarit”. Gjallëria e këtij manifestimi, të përmbushur me aktivitete nga krijimtaria letrare e muzikore, kishte gjetur e po gjen vend në të gjitha trojet shqiptare, si dhe në mërgatë, duke i tubuar dashamirët e artit e të kulturës në orë letrare, koncerte muzikore, shfaqje teatrale etj.
Sot (29 janar 2020), në organizim të Komunës së Kamenicës, respektivisht të Drejtorisë për kulturë, e në bashkëpunim me dashamirë të fjalës së shkruar, në kompleksin muzeal “Kadri Zeka”, në Poliçkë, u mbajt një orë letrare. Në odën muzeale të Kadri Zekës, disa nga krijueset dhe krijuesit poetikë deklamuan vargje nga krijimtaria e tyre për t’ia dhënë edhe njëherë freskinë Flakës së Janarit.
Për ta nderuar këtë ngjarje pati edhe mysafirë nga Medvegja, Prishtina, Gjilani dhe nga komuna e Kamenicës.
Të pranishmit i përshëndeti koordinatorja për kulturë, zonja Azemine Maliqi. Më pas, nën orkestrimin e zyrtares për teatër, regjisores Natyrë Kallaba, mikrofoni spontanisht ia kalua studentes së aktrimit, zonjushës Fitore Jashari, e cila me monologun kushtuar Flakës së Janarit i hapi rrugë orës letrare, të organizuar enkas për këtë manifestim tradicional. Tingujt e flautistes Hysnije Latifaj bashkë me zërin artistik të Fitores, na bënë që të ndjehemi të sigurtë për ardhmëninë e manifestimeve siç është Flaka e Janarit, dhe jo vetëm.
Nga ana tjetër, doajeni i fjalës së shkruar, profesor Nexhat Rexha aty për aty radhiti deklamuesit e vargjeve poetike, duke realizuar një lidhje mes gjeneratës së vjetër me këtë të renë.
Nuk kishte ndonjë përzgjedhje paraprake të poezive, por sikur ishte e vetkuptueshme për vargjet që i shkojnë më së miri këtij manifestimi tradicional, në përjetësimin e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha etj.
Me vargjet e tyre kjo ditë e Flakës së Janarit u begatua nga: Elionita Rexhepaj, Rexhep Abazi, Hajrush Redenica, Minivere Maka, Nijazi Kastrati, Shpresa Ajvazi, Shaban Emini, Bajram Kallaba, Xhevdet Kallaba, Muharrem Hoda dhe Nexhat Rexha
Në këtë manifestim me dy këngë u paraqit edhe Zotërim Marovca, ndërkaq të pranishmit i përshëndeti edhe imami i Hogoshtit, z. Xhemush Biqku.
Për të gjithë të pranishmit Drejtoria për Kulturë e Kamenicës shtroi një drekë me gatime tradicionale.