4.5 C
Tiranë
E shtunë, 22 Mars 2025

Rifat Ismaili

PO RRALLOHEN FJALËT…
Po ç’ them dhe unë?
Më ka ikur një jetë e tërē,
dallgëve të jetës dhe heshtjes së ndërgjegjes.
As unë, s ‘kam më zë.
E morën në shtegtim dallëndyshet e mallit,
bashkë me hiret vajzërore të vjeshtës.
Kam filluar të ndjehem më i vogël brenda vetes.
Edhe pse nuk numërohen me gishta më vitet e jetës.
Kam ikur diku larg, s’dua të kthehem.
Jam kthyer në një libër
që çliron filizat e kujtesës,
rriten përditë e më shumë ,kopshtit të zemrës.
Po dhe unë s di ç’të them më.
I kam thënë te gjitha, mbase më shumë se ç’duhet.
Më mungon e shkuara, por dhe e ardhmja…
Syri dhe mendja që të hapin dyert e jetës.
Dashuria më mungon, e kam dashur atë.
Ndoshta, nganjëherë pak i trembur,
shtigjeve të saj kam bredhur gjithmonë.
Po ç’ të them më shumë?
Ndjej se po më rrallohen fjalët…
Në heshtje me veten përballem…
“”””””””””””””””””””””””””””””””””Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

,Doli nga shtypi antologjia poetike e titulluar ” Kuçova Unicef”,botuar nga ” Fast Print”, me nismëtare dhe ideatore, poeten fisnike Lindita Kurti , ku përveç mjaft bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj, morën pjesë poetë e krijues, nga Kuçova dhe e gjithë Shqipëria, duke i dhënë këtij libri vlera të veçanta.
Në këtë vepër, mora pjesë me dy poezi, por u angazhova edhe si redaktor, dhe me një shkrim përmbledhës për veprën dhe krijuesit, që po jua sjell më poshtë;
-PAK FJALË MBI VEPRËN DHE KRIJUESIT
Asnjëherë, asgjë nuk vjen krejt rastësisht, edhe pse, në dukje, mund të ngjajë e tillë.Sepse kjo lloj ” rastësie “, ka fjetur më parë brenda mendjes dhe vjen koha, ashtu sikurse në pranverë sythet, të zgjohet dhe të të imponohet si qëllim në vetvete.
Para pak kohësh, Lindita Kurti, poete, dhe njëkohësisht, ideatore dhe nismëtare, apeloi , në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, krijimin e një antologjie poetike, ku çdokush në shprehje të dëshirës së tij, nga Kuçova e zonat përreth, por edhe nga të gjitha trevat mbarē shqiptare, të përfshihej me pjesëmarrjen e pakursyer, dhe fitimet e shitjes së këtij libri, të shkonin në ndihmë të njerëzve në nevojë. Shumë shpejt, ajo u përkrah nga shumë krijues, por në veçanti nga krijuesit kuçovarë, Shkëlqim Ago, Kastriot Fetahu, Ana Tisi,të cilët u kthyen në bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë për të finalizuar me sukses këtë kontribut humanitar. Por le të ndalemi pak, në vecanti, në njërin prej tyre, Shkëlqimin, i cili ka luajtur një rol parësor në mirëorganizimin e kësaj vepre krijuese me shumë duar. Krijimtaria e tij është mjaft e pasur dhe e spikatur, por ajo që është për t’u përmendur është enciklopedia për Kuçovën, një punë serioze dhe mjaft e rëndësishme, e titulluar ” Kuçova Enciklopedi”. Nga vetë titulli i librit, dhe puna studimore e kësaj enciklopedie, merret me mend çfarē thesaresh fshihen brenda tij. I bashkangjitet në vlera dhe një tekst shkollor për klasat e pesta, e titulluar nga autori Shkëlqim Ago, ” Vendlindja ime”. Mjaftojnë këto dy vepra, për të na dhënë idenë e një krijuesi të zellshëm, dhe njē veprimtar i palodhur ndaj komunitetit kuçovar.Por ai dallohet edhe për vepra të tjera të rëndësishme si libri me ese ” S’ua kam thënë të gjitha”, ” Shqipërinë mbaj në zemër”, O bukuri, pushto botën”, “Urtë e butë”, mbresa e përgjithësime, e vepra të tjera.Së bashku me krijuesen e përkushtuar Lindita Kurti ,ishin ndër pikat kyçe që kjo antologji të shihte dritën e diellit. Por një kontribut parësor dhanë edhe krijuesit Ana Tisi , autore e disa veprave, për të rritur dhe fëmijë,dhe Kastriot Fetahu, një penë brilante që me veprën e tij ka fituar zemrat e shumë lexuesve.
Nje gjest mjaft fisnik , nga ana e tyre, dhe për t’u marrë shembull.
Sepse artistët e vërtetë, në çdo kohë, kanë punuar dhe punojnë gjithnjë në heshtje dhe pa bujë, dhe janē prijës të përparimit, ndërgjegjësimit kolektiv dhe mirësisë.
Por me gjithë vështirësitë që has përpilimi dhe botimi i një antologjie, erdhi dhe koha që çdo gjë të përfundojë me sukses, me kriteret e duhura dhe në përputhje me tematikën e përcaktuar.
Kjo antologji ,është ndarë në dy seksione të rëndësishme, grupimi i parë përmbledh gjithë krijuesit kuçovarë dhe zonave përreth që u përfshinë në këtë nismë, dhe grupimi i dytë me nëntitullimin simbolik ” Miqtë e Kuçovës bashkojnë penat”, mbledh në gjirin e saj, të gjithë miqtë krijues nga zona të ndryshme të Shqipërisë që morën pjesë me dëshirën e tyre duke sjellë për antologjinë, dy krijime, qoftë në poezi, apo në lloje të ndryshme të prozës.
Në secilin prej seksioneve të lartpërmendur, do gjejmë poetë që me penën e tyre brilante kontribuojnë pareshtur në panteonin e letrave shqipe. Ishte kënaqesi, që midiis tyre gjejmë edhe emra si Leon Lekaj, Vlashi Fili, Dhimitër Druga, Silvana Qose, Vladimin Duraj , e të tjerë, që i përkasin origjinës kuçovare, por edhe pena të shquara si Agim Desku, Vullnet Mato, Agim Bajrami, Agron Shele, Mimoza Çobo, e mjaft artistë , që e pasuruan me shpirtin dhe talentin e krijimtarisë së tyre antologjinë.
Cila është veçantia e kësaj antologjie?
Në rradhë të parë, qëllimi i saj humanitar, duke përdorur armën më të fortë që kanë krijuesit, penën e tyre. Magjia e penës, në këtë rast i përcillet lexuesit, jo si vullnet individual me karakter sponsorizimi të vetvetes, por si ndërgjegje kolektive, që impenjohet të përçojë përmes artit e kulturës ndjenja të thella solidariteti. Ky sensibilizim ka qenë në çdo rast, një veçori që dallon krijuesit e angazhuar. Sepse për çdo krijues, impenjimi i tij në problemet dhe plagët e shoqërisë ku jeton ,mbetet parësor.
Përveç qëllimit social të kësaj vepre, kemi shumë dimensionalizmin e saj; dhjetëra krijues që me larmishmërinë e tematikave të trajtuara, hapin dyert e një oborri princëror për lexuesin. Si në njē ballo me dama e kavalierë, me statusin e njerëzve të përkorë, ata i demonstrojne botës bukurinë dhe madhështine e mendjeve të tyre të ndritura. Ashtu si hyhet në një sallë balloje, me elegancë dhe solemnitet, po ashtu vijnë në rradhë njëri pas tjetrit dhjetëra krijues, për ti dhēnë magji e madhështi festës, që në fund do kurorëzohet me aktin final të kësaj balloje, që do u dorëzohet mjaft fëmijëve në nevojë dhe disave do t’u rikthejë përsëri buzëqeshjen.
Thirrja për solidaritet nëpërmjet artit, është një tempull mirësie. Dhe të gjithë së bashku, e bëjmë këtë zë të fuqishëm, që ngre sipër pluhurat e harresës dhe mospërkujdesit , ndaj këtyre fëmijëve dhe njerëzve , që në një shoqëri të emancipuar duhet të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes.
Karakteristika tjetër e vecantë, është se kjo nismë vjen nga Kuçova, një qytet i vogël, por me tradita dhe me kulturë, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e vendit tonë , me pasuritë e saj natyrore, traditat dhe kulturën , që përcillen nga njëri brez në tjetrin. Ndaj , natyrisht, i takon një vend nderi, në këtë shfaqje prestigjioze, duke qenë se krijuesit ku këtu banojnë dhe japin kontributin e tyre qytetar, janë të ndjeshëm dhe shpirti u djeg per çdo padrejtësi , për mosfunksionimin si duhet të jetës shoqërore, dhe mbi të gjitha, kanë për zemër ata me të dobëtit, që pa përkrahjen dhe dashurinë njerëzore, nuk mund ti bëjnë dot ballë vështirësive të mëdha të jetës.
Eshtë një kënaqësi e veçantë që kjo antologji, një risi në llojin e vet, e ka zanafillën në Kuçovë dhe shpresojmë të shërbejë nē të ardhmen edhe si prelud për nisma të tjera të rëndësishme e me tematika interesante, gjithmonë duke ruajtur të paprekur motivimin dhe karakterin social.
Falenderojmë gjithë krijuesit pjesëmarrës, që me vullnetin e tyre , falën nëpërmes krijimtarisë, buzëqeshjen e jetës.
Dhe ky, është vetëm një fillim i mbarë i “Kuçova Unicef”, të cilin e përshëndesim dhe i urojmë mirëseardhjen, po kohë pas kohe, do ketë vazhdim në bashkëpunim me gjithë poetët, me të cilët do krijohet një komunitet të penave dhe të gjithë bashkë të jenë të dobishëm aty ku është nevoja më tepër.
Asgjë nuk vjen rastësisht, por me përkushtim.
RIFAT ISMAILI
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.