14.5 C
Tiranë
E shtunë, 8 Shkurt 2025

Rifat Ismaili

KUR TE MOS JEMI ME

Ashtu si një ditë pa zbardhur
Kapërcyem pragun e jetës
Dhe bëmë shumë zhurmë
Për ardhjen tonë
Na dëgjuan barërat, fletët
Dielli na u bë dyshek
Hëna jastëk i butë
Dhe nëna u bë urë
Gëzimesh dhe vuajtjesh,
Padashur, herë duke dashur
Pa kërkuar, herë duke kërkuar
Gjetëm pragun e fëmijërisë
Lulet e bukura te rinisë
Udhët e vështira të burrërisë
Gurë të rënduar në fundlumin e mplakjes.
Por veç mos të harrojmë;
Siç erdhëm, prapë do shkojmë.

PËRSËRI NOE

– TREGIM

Në fund të fundit, ashtu si mendohej, gjithçka u përmbyt. Mbase nga ndonjë kometë, tërmet, apo luftë atomike. Në këtë botë, i vetmi që mbeti gjallë, ishte përsëri Noe…
Kësaj here, ai se ndërtoi më varkën…
A ia vlente që ai të harxhonte aq mundim, për jetën e të tjerëve?
Noe po pinte rakinë e fundit, në majën e një mali të lartë. Me njërën dorë mbante kupëzën, me tjetrën ledhatonte veshët e një qingji të vogël, e vetmja pasuri e tij, mbetur gjallë pas fundosjes. E kishte nxjerrë të kulloste në livadhin e vogël me bar të njomë, ndërsa vetë po shikonte horizontin që po mbyllej.
Kishte mbetur i vetëm fillikat në këtë jetë. Gruaja i kishte vdekur para mijëra vjetësh, bijtë gjithashtu, ndërsa ai vetë , i mëkuar me qumësht pavdekshmërie nga bamirësia e Zotit, vazhdonte ende të jetonte në një kasolle të largët në këmbët e një mali, me vreshtën e tij, dhe së fundmi , me të vetmin qingj të shpëtuar.
Përjetësia e kishte mërzitur. Çdo gjë kishte ndodhur aq papritur, toka filloi të humbiste nën ujë, dhe bashkë me të te gjitha gjallesat e saj.Ai i dehur si gjithnjë u ngrit vrikthi dhe me duar në ajër falenderoi zotin , për dhuratën që po i bënte duke ia marrë jetën e pafundme.
Por perëndia nuk ia dëgjoi lutjen përgjëruese, dhe e la mbi ujë kodrën ku gjallonte Noe me qingjin e tij të bekuar, që blegërinte i trembur e fërkonte turirin e vogël në kofshën e tij.
– Përse o Perëndi, më le ende këtu, mbi dhe? Më është rëndur fryma! Më është mërzitur jeta! Përse më dënon kaq rëndë? Ç’ të keqe kam bërë vallë?
– Dikush duhet të jetë, Noe! Dhe unë të zgjodha prapë ty!
– Po përse duhet jeta, imzot? Gjithçka do të rifillojë nga e para, po për të arritur gjer në këtë pikë ku njerëzimi ishte tani?
Ai i tha këto me zë të lartë e të acaruar, por askush nga lart nuk iu përgjigj.
Vetëm qengji, me lëkurën e leshin e butë, vazhdonte ti rrinte në gji e ti merrte erë.
– Pergjigjmu, Zoti im! – thirri Noe i dëshpëruar.
Apo mendon se do të evoluojmë me të vërtetë? – pyeste Noa me sytë ngritur në qiell.
Ju e dini! Edhe pse kaluan mijëra vjet, tek njerëzimi gjendeshin të njejtat barbari, iluzione, vese, përçmime e luftëra.Kjo do të thotë, që jeta njerëzore, herë pas here, kthehet në arketip.
– Pikërisht, tek ti, Noe!- iu përgjigj Zoti me zë bubullues.
Nga ai çast Noe filloi të jetojë i traumatizuar dhe në konfuzion.Ashtu i paqëndrueshëm dhe pa pijen e mëparshme, ishte kredhur në krahët e fatit si një zog që nuk ka shumë shpresë për fitore. S’ donte të mendonte më për asgjë.
Nga mungesa e njerëzve, jeta çdo ditë po i kthehej në një ferr të vërtetë. Por e vetmja gjë që varej prej tij ishte që ta çonte trupin dhe shpirtin, drejt dhimbjesh të tjera në emër të jetës, të së përjetshmes së urryer tashmë për të.
Po meqë Zoti, përsëri kishte zgjedhur atë, Noen, për rimëkëmbjen e botës, si do ta shpinte përpara jetën i vetëm?
Tani nuk kishte më asgjë, as grua, as shpezë, bimë e kafshë, përveçse një qingji po aq fillikat sa ai?
Ku ishte femra e njeriut për riprodhimin?
Ku ishte dashi i përkorë?
Ku ishte Eva, kush do të punonte e sakrifikohej në emër të jetës?
” Jam plakur shumë dhe jam bërë fatal”- mendonte Noe.
Vështronte qingjin që po rritej, dhe po shndërrohej në një dele, të cilës, sa po i shquheshin thithkat e njoma nga do buronte qumështi.
– Mos ndoshta e kam pranë, po nuk e shoh të bukurën?
Ai filloi ti mendojë përsëri njerêzit, femrat, librat, skulpturat, të gjitha të përmbytura e të shfarosura.
– Zot! Zoti im, a më dëgjon?
– Po të dëgjoj, Noe…
– Si është e mundur vallë, që njerëzit su bënë më të mirë nga ç’qenë, pas shekujsh lufte e moskuptimi?- e pyeti Noe Perëndinë, që duke prekur mjekrrën e tij të bardhë, perkëdhelte me sy delen e re, që i vështronte ata të dy, Zotin e Noen, me përgjërim.
– Çdo shekull, o gati çdo dhjetë vjet, njerëzimit i lindte një diktator, popujve u lindte nje Savonarola, një antikrisht, një sëmundje apo një mallkim demoniak- u përgjigj zoti me pezmatim. Njerëzit nuk janë të aftë për tu vetqeverisur. Kishin gjithmonë nevojë për dikë që rri më lart, për Mua, Autoritetin. Përuleshin gjithnjë përpara vdekjes, vuajtjes, dhunës dhe shtypjes. Pra ishin të dobët. Por dhe të këqinj njëkohësisht. A nuk ishin që të gjithë ,ne të njëjtën kohë, shtypës dhe të shtypur? Si mund të besonin në ëndrrën e shpëtimit? Si mund ti duroja akoma ata xhuxhër? E dija që humbjet s’do mbaronin kurrë, sepse botën kështu e pata thurur, që të rilindte e të përsosej përmes humbjeve, por së paku ata njerëzit, me dashurinë e tyre, nuk mund ti pakësonin, po të kishin dashur?
– Ke të drejtë, o Perëndi- i tha Noe..Që kur e humba besimin tek njerëzit, fillova ta vështroja me përçmim, çdo banesë apo çdo gjë të tyren. Pata filluar të pastrohem. Nuk vuaja më nga xhelozia për gratë e bukura që ndeshja rrugës. Nuk dëshiroja më asgjë. Po largoja nga vetja kotësitë e jetës, dhe po merresha më shumë me studimin e vetes. Jetoja si një eremit, i vetëm në majë të kodrës, duke u ushqyer me lëngun e bimëve të egra dhe qumështin e kafshëve që kisha pranë. Tek e bukura e dikurshme po gjeja të shëmtuarën, dhe nga e shëmtuara po dilte e bukura.
– Në rregull Noe!- i tha Zoti! Vazhdo misionin hyjnor!
Ditët rridhnin njëra pas tjetrës, toka po shfaqej dhe uji po fironte pak nga pak nga drita e diellit, barêrat po jepnin shenjat e para të jetës.
Noe e delja rrinin në kodrën e tyre të shenjtë dhe ushqeheshin. Ai shpesh i ledhatonte deles gjinjtë e saj të butë, dhe veshtronte i mahnitur barkun e fryrë të kafshës, ku po priste të vinte në botë, nga një ndërhyrje hyjnore, një krijesë e re, që do popullonte botën, dhe do merrte në dorë fatin e saj.
Në mendime e sipër ai dëgjoi zërin bubullues të Zotit!
– Noe! Ka ardhur koha të vish pranë meje! Misionin tend e kreve me sukses ne rritjen e kesaj nëne qe do sjellë në jetë krijesën time të re.Eja biri im i bekuar, të shlodhesh pranë meje.
Dhe brenda sekondes, me një fashe drite, e ngriti Noen ne ajër, të veshur me qiell dhe rrezëllim.
RIFAT ISMAILI
Firence. Prill 1997

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.