A NDAHEN ÇMIMET E POEZIVE PARA SE TE LEXOHEN DHE TË DËGJOHEN NGA JURIA DHE PUBLIKU?
Me përgjegjësinë më të madhe dëshmoj, se në takime të shumta poetike dhe në konkurse letrare, çmimet ndahen para se të lexohen poezitë. Çmimet e poezive nuk ndahen sipas vlerës, por sipas emrit dhe mbiemrit të autorit (autores). Këto bëhen me direktivën e disa udhëheqësve të klubeve të shkrimtarëve, duke ua dhënë para se të fillojnë takimet emrat dhe mbiemrat jurisë, se kujt duhet t`i ndahet çmimi i parë, i dytë dhe i tretë. Unë nuk e di, se si disa nga juritë pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë?!… Si mund të pranojnë direktivën e disa personave dhe të bëhen pre, për të vlerësuar antivlerat e për të shkelur vlerat? A duhet ta luftojmë këtë fenomen? Mendoj, që sa më shpejt të marrim masa dhe t`i bëjmë të njohur publikisht të tillë krijuesish dhe jurish, që turpërojnë krijuesin e vërtetë! Unë mendoj, se urgjentisht duhet të ndërpritet kjo çoroditje, pasi krijuesit me vlera nuk mund ta kapërdijnë një gjë të tillë. Nuk e them këtë vetëm sa për të shkruar diçka që nuk është e vërtetë! Këtë e them me fakte dhe argumente. Në këtë rast e kam drejtuar gishtin që të ndalet ky fenomen, i vlerësimit të antivlerave. Nuk do të jetë vonë të dalin në skenë abuzuesit.
Po ashtu mund të flasim edhe për aktivitetet kulturore-artistike. Publiku, dikur mbushte sallat kulturore me sipërfaqe që pranonin mbi 500 veta, kurse sot të njëjtat salla nuk kanë pjesëmarrje të publikut as me dhjetë veta. Të kërkojmë shkakun dhe të marrim masa për ta kthyer atë publik, që dikur nuk kishin vend ku të uleshin. Unë si do që të jetë mbetem tek ajo, se organizatorët i zhvillojnë këto takime, sa për t`i zhvilluar. Mund të ishte edhe një aktivitet letrar tradicional siç janë, por të angazhohen që t`i organizojnë në një mënyrë më të mirëfilltë, duke e kthyer publikun, duke qenë prezente pranë brezave të rinj, siç janë shkollat, fakultetet etj. Të mos i shndërrojnë takimet për qëllime personale dhe grupimesh, të mos bëhen manovrime me ndarjen e çmimeve, mos t`i harxhojnë paratë për xhepin e tyre apo diçka tjetër. Le të kërkojnë financues dhe të kenë mjete materiale për t`ua paguar njerëzve që vijnë nga vende të ndryshme biletën e udhëtimit. Si duket dalëngadalë në këto takime edhe shumë poetë vendas janë të demoralizuar me veprimet e disa individëve dhe kanë filluar të mos të jenë pjesëmarrës. Në fillim të përgatitjeve apo takimeve, të takohen dhe të konsultohet kryesia e anëtarësia, të njoftohet buxheti që zotërojnë për të realizuar manifestimin. Pas përfundimit të takimeve po ashtu të mbahet një mbledhje dhe të raportohet për shpenzimet financiare, sa para janë harxhuar dhe ku janë harxhuar? Ky është rregull i shkruar dhe nuk e kam shpikur unë, sepse mosdhënia e llogarisë lind dyshimin e keqpërdorimeve. Mos krijoni përshtypje të këqija mes krijuesve dhe lexuesve.
Krijimet e mirëfillta artistike këmbëngulin për një vlerësim meritor dhe mendim estetik. Antivlerat flasin hapur atëherë kur lexuesi i zakonshëm jep sinjal se nuk pranon të komunikojë me pseudoshkrimtarët e këtij lloji.