16.5 C
Tiranë
E dielë, 22 Qershor 2025

Shkruar nga:Albert Vataj

In memoriam për Ndue Bacaj, malësorin e kreshtave të larta të veprës që e lartësoi.

E pata koleg, mik dhe bashkëpunëtor në “Zani i Malsisë”, në punën dhe angazhimet për të promovuar dhe përfaqësuar Malësinë, këtë shqiptari të zemrës dhe shpirtit, të urtësisë dhe trimërisë, historisë dhe kujtesë, thesareve të etnosit dhe bujarisë së sofrave. Skrupuloz dhe i përkushtuar, i palodhur dhe ngulmues, një arkiv datash, ngjarjesh dhe emrash.
Ndue Bacaj, ndoshta iku, duke lënë punë të papërfunduara. E sigurt kjo, sepse ai gjithmonë do të ishte në themelet e një ngulmimi të ri krijues dhe hulumtues. Gjithnjë ai kishte diçka të vlertë për të bërë, diçka të çmuar për të lënë në thesaret e vetëdijësimit të përkatësisë identitare malësore.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti
Por vdekja nuk merr leje. Gjithsesi Ndue Bacaj e ka përfunduar veprën e vet. Malësisë, si pakkush, i ka shërbyer me mëndje të kthjellët, penë majëmprehtë, zemër të farkëtuar shkrepave dhe zë të gjëmimshëm.
Malet e Malësisë vijnë kokëulur në këtë lamtumirë, në këtë ndarje me birin dhe burrin që e lartësoi puna, më lart se krejt titujt, nderimet dhe vlerësimet që i meritoi si mirënjohje.
Për shumëkënd larg atyre trojeve të temperuara nga zjarri i luftës, besa e burrave, trimëria e Norave, në skaj të hartës së Shqipërisë, Ndue Bacaj, mund të jetë një emër anonim, i panjohur, sepse ndoshta ne vetëm përmes televizionit dhe para kamerave, apo me mikrofon me vete, i njohim. Të tjerët i përfaqëson puna e përmasave të parrokshme nga mënyra se si i bëjmë gjërat sot, dhe Ndue Bacaj, ju garantoj se ishte përtej këtij fokusi vëmëndjeje, por në qendër të ciklonit të zhvillimeve promovuese dhe hulumtuese.
Ndue Bacaj, publicisti, studiuesi, historiani dhe një nga mendjet më të ngadhënjyese të Malësisë së Madhe, mbylli sytë përgjithmonë, në moshën 71-vjeçare, larg vendlindjes që aq shumë e deshi e i shërbeu me përkushtim.
Në rrjedhën e një jete të përkushtuar ndaj dijes, historisë dhe identitetit kombëtar, Ndue Bacaj nuk pushoi së shkruari, së hulumtuari dhe së artikuluari të vërtetën. Autor i monografive të shumta dhe biograf i dhjetëra figurave të shquara të trevës së Veriut, ai ngriti urën midis së kaluarës dhe së tashmes me një ndershmëri dhe këmbëngulje të rrallë. Ishte i pranishëm në faqet e shumë gazetave dhe revistave si “Shqipëria Etnike”, “Dukagjini”, “Shkodra”, “Zani i Veriut”, “Pishtari” e “Malësia”, duke e shndërruar fjalën e shkruar në mision përbashkues e ndriçues.
Ndue Bacaj nuk ishte thjesht një autor — ai ishte një ndërgjegje. Një zë që nuk heshti kurrë për çështjet madhore të kombit. Ai u bë një ndërmjetës i urtë mes brezave, duke i dhënë kujtesës sonë historike një trup të gjallë dhe një zë që frymonte me dashuri ndaj rrënjëve. Nderimi i tij si “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Malësisë së Madhe ishte vetëm një pasqyrim i një realiteti më të thellë: ai i një biri të devotshëm, që dha më shumë sesa mori.
E ndau jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, por kurrë nuk u nda nga Malësia. Kudo që jetoi, e mbarti me vete atë si bekim dhe amanet. Por kësaj here, udhëtimi i fundit do të ishte larg, në heshtjen e dheut të huaj, ku fjala e tij nuk do të dëgjohej më, por do të kujtohet si amanet i pashuar.
Familja humbi njeriun e shtrenjtë. Malësia një ndër më të urtët e më të përkushtuarit. Kombi një ndër zërat më të kthjellët të kujtesës dhe identitetit.
Pusho në paqe, Ndue Bacaj. Fjalët e tua do të mbeten gjurmë që nuk i shlyen koha.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.