14.5 C
Tiranë
E shtunë, 8 Shkurt 2025

Të dashur vëllezër e motra,

Astrit Aliaj

https://www.facebook.com/prefektiqarkutgjirokaster/videos/211862026558653/?t=21

Prefekti i Qarkut Gjirokastër

Të dashur vëllezër e motra,

Kur Silvana, kryeredaktore e TVGJ më mori në telefon dhe më kërkoi të jepja një mesazh bashkëqytetarëve të mi, e falenderova dhe i thashë patjetër do të komunikoj se në këtë luftë arma më e suksesshme është fjala. Më shumë se kurrë sot mbajtja e fjalës së dhënë duhet respektuar.

Për ata që janë në moshë më të madhe se unë do t’u drejtohem “Prindër të dashur”, për ata që janë në një moshë me mua do t’u drejtohem “ të dashur shokë ” dhe normalisht ndaj më të vegjëlve do t’u thosha “ fëmijë të dashur”, është moment historik jo vetëm për familjet tona, për kombin tonë, por për botën mbarë të zgjohemi dhe të nxjerrim nga fjalori ynë fjalën magjike: më fal për çka unë nuk e kam bërë mirë, më fal që unë nuk kam dhënë sa duhet dashuri prindërve, që për kohë të gjatë nuk kam shkuar t’i shoh, fqinjëve se kur isha i vogël ai më mbushte duart me frutat e sapovjela dhe unë u rrita dhe kurrë nuk i dhashë një pako kafe, shokëve me të cilët kur ishim të vegjël kishim ndarë copën e bukës dhe ndoshta ndonjëri prej tyre sot ka nevojë t’i çojë një pako me ushqime, por edhe ndaj fëmijëve që me orë të tëra rrinim jashtë dhe kur ktheheshim në shtëpi nuk arrinim të pyesnim se si shkonin në shkollë, ishim vënë në garë me njëri tjetrin kush e kush të kishte makinën më të mirë, shtëpinë më luksoze dhe sapo dilte një smartfon i ri apo një televizor menjeherë kërkonim ta blinim dhe nuk blinim libra, dhe bibliotekat tona ishin kthyer në vitrina pa vlerë se kishin pak libra dhe janë të mbushur me fotografi dhe lodra për fëmijë, pra kuptimi i jetës ishte paraja dhe jeta virtuale.

Unë zgjodha të komunikoja me ju, jo si një person i cili ka veshur mantelin e pushtetit, as si prefekti juaj, bile nuk dua t’ju flas as si një ushtarak që ka studjuar artin ushtarak kombëtar, ka studjuar teoritë e qitjeve të armëve të silurës, bombave, topave dhe çdo arme që ne kishim apo dhe artin e të gjitha ushtrive më të mëdha të botës, të atyre që zotërojnë armët moderne të kohës, por unë zgjodha të flas sot me ju si njeri prej jush.

Sot gjithë bota ka një armik të përbashkët, ai sot është futur në çdo shtëpi tonën, në çdo ambjent pune, në shkollë, në kopshte, në autobus tek avionët, anijet e veturat moderne bile deri në gazermat e ushtrive më të mëdha të botës.

Por ne sot dimë se si ta luftojmë këtë armik: duhet të injorojmë atë, ta lëmë të vetmuar. E dimë se ai kërkon të na ngjitet në duar, në fytyrë dhe në sy dhe pastaj ashtu si i padukshëm të na futet brenda trupit tonë, në mushkri dhe atëherë ai bëhet i fuqishëm dhe pasojat bien mbi ne. Po shikojmë dita ditës që edhe shtete që kanë një mbrojtje të shkëlqyer sanitare, janë gjunjëzuar ndaj tij, prandaj duhet ta mbajmë sa më larg atë dhe pasi të bjerë në tokë, ne duhet të zbatojmë rregullat që janë përcaktuar nga OBSH-ja si ato individuale dhe ato kolektive: duke qëndruar larg njëri tjetrit, duke mos u takuar si zakonisht, duke larë shpesh duart dhe fytyrën me ujë të bollshëm, duke e larguar atë edhe nga çdo sipërfaqe si në ambjente të mbyllura ashtu edhe në ambjente të jashtëme me mjetet ujëhedhës nga kompanitë e pastrimit të qyteteve duke përdorur solucionet përkatës dhe atëherë ashtu i pafuqishëm ai do të largohet i mundur nga ne.

Ne do të fitojmë luftën dhe jam i bindur se atëherë ne do të kemi kuptuar vlerën e vërtetë të jetës së thjeshtë që duhet të shoqëroj çdo individ në këtë botë, do të bëhemi më të fortë se do të bëhemi më të dashur, atëherë do të kemi kuptuar fjalën tjetër magjike : mbi të gjitha të dua jetën! Nga dashuria lind njeriu, lind jeta dhe vetëm me dashuri mbrohet Mëmëdheu.

Këto ditë ju ktheva leximit të njërit prej kollosëve të Rilindjes, Naim Frashërit, në kryeveprën “ Bagëti e bujqësi”.

Po citoj disa vargje:

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,

Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,

Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Dhe e mbyll me këto rrjeshta:

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,

Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,

Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,

Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë

Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

Në këtë mesazh, do të dua të përshëndes të gjithë mjekët dhe infermierët, të cilët po përballen çdo sekondë me këtë armik, por edhe ata që qëndrojnë në prapavijë të tyre, farmacistët, policët që janë larguar nga familjet e tyre dhe janë gjithë kohës në shërbim të qytetarit, mësuesit që po punojnë në distancë me nxënësit e tyre, punonjësit e furrave të bukës, ata që na shërbejnë me furnizime ushqimore që nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast punën, gazetarët dhe operatorët që ndjekin hapa pas hapi lajmin dhe që sensibilizojnë qytetarët për t’u mbrojtur sa më mirë nga ky virus dhe të gjithë ata punonjës të shtetit dhe pushtetit vendor që në këto ditë të vështira po çojnë ndihma në ushqime familjeve në nevojë dhe pensionistëve që nuk kanë njeri pranë e t’u shërbejnë.

-Së fundmi do të bëja një apel për të gjithë qytetarët e qarkut Gjirokastër të zbatojnë me rigorozitet të gjitha rekomandimet e institucineve shëndetësore për qëndrimin në karantinë në shtëpitë e tyre si masë parandaluese për mos përhapjen e ÇOVID-19, në mënyrë të veçantë një apel për qëndrimin në shtëpi për personat e moshës së tretë dhe sidomos për personat mbi 70 vjeç për të shmangur rrezikun nga virusi.
-Në se do të zbatojmë të gjitha rekomandimet e OBSH të cilat janë të përfshira në urdhërat e qeverisë dhe të ministrive përgjegjesë, nga kjo situatë tepër e veshtirë do të mund të dalim të fituar. Ky është një moment reflektimi kombëtar për familjen dhe shoqërin tonë.
Motua jonë duhet te jetë: “Së bashku do të fitojmë”.
-Të luftojmë frikën, panikun dhe të japim më shumë dashuri ndaj njëri tjetrit.
-Brezit tonë i del për detyrë të kujdesemi sot shumë për fëmijët që ta kalojnë pa shqetësime se përndryshe do ti shoqëroj gjithë jetës dhe ndaj më të moshuarve, prindërve apo të njohurve që na sollën në jetë dhe që ta kalojnë pa shqetësime.

Edhe njehere të dashur vëllezër e motra të jemi sëbashku si një familje për të mirën e fëmijve tanë por edhe të Mëmëdheut.
Ju uroj nga zemra që këtë situatë ta kalojmë sa më qetë!
Faleminderit!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.