
ECIM BASHKË
Nuk shikoj akrepat e orës
As kohës nuk i them të ndalet
Ecën ajo nëpër binarët e jetës
E unë bashkë me të sfidojmë sfidën.
Nuk na tundën as humnerat e jetës
Vitet nuk i numëruam
Ecim bashkë
Unë dhe jeta ime
Kemi pasqyrë të përbashkët.
Nuk jam Penelopë
As ti Odise
Unë dhe jeta ime jemi një
Vetja… 
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Dytë Kombëtar Maratonë të Gjuhës, Historisë dhe Letërsisë Shqipe, që do të mbahet më 19–20 shtator 2026 në Malishevë.
Është nder dhe kënaqësi të jem pjesë e një veprimtarie kaq të rëndësishme kushtuar gjuhës, historisë dhe letërsisë shqiptare, vlerave që mbajnë gjallë kujtesën, identitetin dhe kulturën tonë kombëtare.
Falënderoj organizatorët për këtë ftesë dhe për punën e tyre në shërbim të dijes, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Me respekt dhe mirënjohje të veçantë!
Në mërgim
fëmijët tanë rriten larg një fjale:
shqip.
Nëna u këndon ninulla,
ata rriten me heshtjen e saj.
Në buzët e tyre
fjalët e gjyshërve treten ngadalë,
si gjurmë bore nën diell.
Një ditë,
“nënë” mbetet vetëm një tingull,
“atdhe” — një emër i largët,
“shqip” — një fjalë e harruar.
E ç’mbetet atëherë
nga rrënja?
Një fotografi.
Një flamur.
Një këngë e vjetër
që askush nuk di ta këndojë.
Gjuha nuk vdes me zhurmë.
Ajo shuhet në heshtje,
në gojën e fëmijës
që nuk di më
t’i thërrasë gjyshit
në gjuhën e tij.