7.5 C
Tiranë
E premte, 7 Shkurt 2025

Abdurahim Ashiku

Me rastin e 70 vjetorit të Universitetit të Bujqësisë

 

KUR INSTITUTI I LARTË BUJQËSORË MBUSHTE 10 VJET…

Kujtime të një studenti

Anteprima immagine

Një ditë shtatori të vitit 1961, pas dy vjet punë si agronom i mesëm, me përvojë dyvjeçare pune dhe me dashuri për profesionin ku gjurmët e para si specialist i lash në piketimin e blloqeve të mëdhenj frutorë dhe të vreshtave në vendlindjen time-Dibër, hyra në auditorët e shkollës më të lartë të sistemit bujqësor, Institutin e Lartë Bujqësor.
Flinim i gjithë kursi, 120 vetë, në një sallë të madhe të godinës së vjetër të Dakos. Me krevate druri tip marinar, dyshekë e jastëkë mbushur me kashtë gruri…
Një sallë të madhe dushi  ku të gjithë laheshin lakuriq nëne në podrumin e ndërtesës që e merrte ujin nga një pus i hapur diku afër lumit të Tiranës. Ujin për të pirë e merrnin nga një cisternë që mbushej me ujë selite e derdhej në disa rubinete para mense…
Kuzhina në sajë të ekonomisë bujqësore të Institutit sillte një ushqim të bollshëm, gatuar me cilësi nga Çomja dhe shokët dhe shoqet e tij…
Vija me dëshirën e madhe për të studiuar…Anteprima immagine
Korpusi mësimorë ishte në majë të kodrës. Një godinë e gjatë, me një sallë të madhe leksionesh, njëkohësisht edhe kinema, edhe teatër, që zbriste shkallë – shkallë e të lejonte që edhe nga rreshti i fundit ta shihje e ta dëgjoje qartë lektorin tek ligjëronte shkencë.
Auditori 41 ishte më i madhi ku zhvilloheshin leksionet ndarazi të agronomisë, veterinarisë dhe pyjeve, tre fakultetet e Institutit.
Sallat e tjera ishin më të vogla, salla të ngushta ku mblidheshin grupet në punë laboratorike e në seminare, ku jepeshin provimet e bëheshin biseda të ngushta shkencore.
Në hyrje, në krahun e majtë, në fund të sallonit ishin laboratorët e studimit të tokave, katedra e Pedologjisë, anëtarët e saj që atë vit, me në krye shkencëtarin e tokave Faik Bajraktari fituan Çmimin e Parë të Republikës për Hartën Pedologjike të Shqipërisë. Ky mjedis dhe shkencëtarët e studimit të tokave…Faik Bajraktari, Lefter Veshi, Idriz Çomo, Gavrill Spiro, Agron Boksi, Minella Xinxo, Arta Peza, Matilta Sina, Theodhos Kalimeri, Edipe Ohri, Shyqyri Spaho, Zhaneta Peci, Ramadan Garo, Isuf Prizreni…, do të bëheshin miqtë e mi më të ngushtë gjatë pesë viteve studime duke u nisur nga ekspedita disa mujore në mbarë Shqipërinë, nga Valbona, në malet e Skraparit, Berat, Krumë, Shishtavec  e deri në Jergucat të Gjirokastrës, anë e kënd  vendit për studimin e tokave acide të Shqipërisë (mbi bazën e së cilës u hartua harta dhe filluan masat praktike e shkencore për vënien e tyre nën kulturë), nga puna ime katërvjeçare në laborator dhe në pjerrësitë e vreshtave të Saukut ku me një impiant hidroteknik studiuam së bashku me udhëheqësin tim shkencor Minella Xinxo erozionin e tokës nga shiu në kushtet e Tiranës, studim që përcolli konkluzionet në diplomën time “Studim i erozionit në konditat e rrethit të Tiranës”, studim që e ruaj edhe sot si një relikte të jetës time studimore.
Në të djathtë të sallonit, poshtë, ishin laboratorët dhe sallat studimore të fakultetit të veterinarisë kurse lart ishte biblioteka dhe rektorati.Anteprima immagine
Në vitet që erdhën fakulteti i Veterinarisë zbriti në një mjedis të gjerë poshtë, në brigjet e lumit të Tiranës kurse ai i Pyjeve në godinën e vjetër të dinastisë Dake. Fakulteti i agronomisë mbeti për shumë vite atje për tu ndërtuar i ri në këndin mes rrugës së Institutit dhe rrugës së Kamzës…
Mos harroj këndin e ngushtë në krahun e majtë të portës së institutit ku Xhevdet Arbuli, profesor i matematikës dhe një njeri i pasionuar në kulm pas radios ngriti një qendër zëri, qendër nga ku u shpërndanë telat në auditorë e në dhomat e fjetjes duke mundësuar që pasditeve e në mbrëmje të ndiqnim Radio Tiranën e veçanërisht “Radio postën” emision aq i kërkuar dhe i mezi pritur nga dëgjuesit kudo. Ai kënd më kujton gjithnjë mikun tim të viteve studentore e të jetës Fuat Memeli që më ngjan edhe sot tek e shoh të ndërrojë fishat e të përcjellë muzikë nga Radio Tirana e lajmërimet  e ditës…
Ne, ndër vite, kaluam nga salla e madhe me 120 krevate druri me dyshek e jastëkë kashte, në salla me 28 vende me krevate hekuri me dy kate e dyshekë e jastëkë pambuku për të përfunduar në vitin e fundit në godinën e parë të re, në dhoma me gjashtë krevate teke…
Përbërja e studentëve ishte mashkullore, vetëm 12 vajza në të tre fakultetet numëroheshin në vitin e fundit të studimeve të mia…
Komunikonim me Tiranën me autobus, në orare të caktuara. Me të vinin e ktheheshin edhe pedagogët, përjashtim bënte rektori i universitetit Gaqo Tashko që kishte një makinë trofe lufte dhe pedagogu i fizkulturës, një atlet i shkëlqyer i çiklizmit, fitues i shumë garave kombëtare që vinte dhe kthehej me motoçikletë.
Vështirë e kishim të shtunat dhe të dielat kur shkonim në teatër apo në opera se autobusi i fundit nisej në orën 20.30 kapjen e të cilit nga teatri i operës dhe baletit (atëherë atje ku sot është Universitet i Arteve)  na duhej ta bënim me vrap, e jo rrallë, kur ikte, na duhej që rrugën nga qendra e Tiranës në institut ta bënim më se dy orë me hap…
Pas kësaj, në dhjetëvjetorin e dytë, Instituti, tashmë me emrin e ri Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësisë, do të degëzonte  studimet shkencore në një seri institutesh shkencore si Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, Instituti i Misrit dhe Orizit në Shkodër, Instituti i Perimeve dhe Patateve në Tiranë, Instituti i Studimit të Tokave në Tiranë, Instituti i Ullirit dhe Agrumeve në Vlorë,, Instituti i Pyjeve në Shkodër, Instituti i Zooteknisë në Shkodër, Instituti i Veterinarisë në Tiranë… varg i gjatë.
Shumë nga shokët e mi të kursit apo të viteve më të larta do ti shihja, pas përvojës shkencore në terren, pedagogë të institutit apo bashkëpunëtorë shkencorë, kandidatë e doktorë shkencash…Anteprima immagine
Njeri prej tyre inxhinier Fadil Llubani do ta shndërronte Krastën e Krujës në pyll të bukur pishash, punë që do ti jepte atij çmimin e parë të Republikës…
U zgjata pak në prezantim për të shuar paksa mallin dhe dashurinë për ata njerëz e atij mjedisi, fragment jete studimesh me dëshirë e pasion, në kushte jetese që me siguri çudisin brezin e sotëm të studimeve universitare.
Një ngjarje që më la mbresa ishte 10 vjetori i themelimit të Institutit të Lartë Bujqësor, themelim që përkonte me vjeshtën  e vitit 1951…
Bashkëpunoja aso koha me “Zërin e rinisë” e desha që ky përvjetor të pasqyrohej edhe në “gazetën time”. E kisha vështirë të udhëtoja 10 vjet histori për të nxjerrë në pah vlerat që krijoi dhe përcolli fushave e maleve të atdheut.
E vetmja alternativë ishte ti drejtohesha Gaqo Tashkos, rektorit të Institut, shkencëtarit të njohur të bujqësisë shqiptare, poliglotit që siç thoshin atëherë në një tubim shkencor ndërkombëtar kishte fituar admirim dhe respekt tek të pranishmit. Po lexonte referatin e tij për agrokiminë. E lexonte në rusisht, gjuha e detyruar atëherë për komunikime dhe referime të kohës. Pjesëmarrësit i kthyen krahët, u ngritën dhe filluan të dalin. Menjëherë, pa parë letrat përpara, i ishte kthyer referimit në frëngjisht, një frëngjishte e pastër, melodioze. U kthyen. Salla e ndoqi me vëmendje deri në fund. E përcolli me duartrokitje të gjata. Në pushim e rrethuan shumë pjesëmarrës, kuriozë të mësonin se kush ishte ky njeri që vinte nga një vend i vogël, shumë prej të cilëve nuk e dinin se ku binte në hartë. Pyetjeve të secilit ai i përgjigjej në gjuhën e tyre: në frëngjisht, anglisht, arabisht, spanjisht, italisht…
Trokita në derë, i ndrojtur dhe me emocione. Më priti me buzëqeshjen e një prindi. I thashë se çfarë më duhej. Më tha ulu e ndërkohë nga sirtari nxori një dosje. “Merre, më tha, është referati që do të mbaj në mbledhjen jubilare. Merr çfarë të duash”.  Nuk isha ulur. E si të ulesha para një personaliteti si Gaqo Tashko?
Referati ishte një pasqyrim voluminoz i tërë periudhës dhjetëvjeçare të Institutit nga hapja  tij në mjediset ku më vonë do të ishte ”Shkolla e partisë” në Laprakë e në mjediset ku tani ishte Instituti, nga pedagogët e parë, disa rusë, studentët e parë e deri në formimin e tij të plotë si institucion i lartë arsimor e shkencor.
Bëra një “konspekt” në katër faqe shkrim me kujdesin që të nxjerr më të vyerën e asaj kohe.
E dërgova në gazetën “Zëri i rinisë” me emrin e tij në fund.
Më thanë se duhet të marrësh firmën e autorit.
Trokita përsëri në zyrën e tij. I thashë se duhet ta lexonte dhe ta nënshkruante, ky ishte rregulli i botimeve aso kohe.
“Kam besim tek ty”, më tha dhe vuri firmën dhe vulën e tij.
Shkrimi u botua…
Një faksimile të tij po e përcjell ashtu siç po përcjell fjalë për fjalë atë çfarë u botua…
Disa ditë pas botimit në emër të tij vjen një çek 650 lekë, honorar për shkrimin. Thërret sekretarin e komitetit të rinisë të Institutit Ali Çarçanin dhe e pyet për emrin tim. Në pjesën e pasme të çekut me firmë e vulë më autorizon mua të tërheq shumën…
Një gjest që nuk e kam harruar kurrë e që e bëj publik për herë të parë…

Abdurahim Ashiku
Ish student në vitet 1961-1966

DHJETË VJETË ARSIM TË LARTË BUJQËSOR

Gaqo Tashko, rektor i Institutit të Lartë Bujqësor.Anteprima immagine

Në nëntor të vitit 1951, kur populli shqiptar  festonte 10 vjetorin e themelimit të Partisë së tij, u krijuar Instituti i Lartë Bujqësor, si i pari institucion i arsimit profesional të lartë bujqësor në vendin tonë.
Duke vështruar zhvillimin që ka bërë instituti në këto 10 vjet, shihet qartë që çdo hap i rritjes së tij ka qenë i mbështetur në kujdesin dhe dashurinë e partisë. Sukseset e këtij instituti në këto 10 vjet janë të lidhura me sukseset e arritura nga i gjithë populli ynë në 17 vjet të jetës së tij të lirë.
Instituti ka ndihmuar në luftën e madhe për kolektivizimin e bujqësisë që u kurorëzua me sukses si dhe në luftën për shtimin e prodhimit bujqësor; ai ka kontribuar drejt për drejt në realizimin e revolucionit kultural, duke i dhënë vendit kuadro të larta teknike të bujqësisë, agronomë, zooteknikë dhe veterinerë.
Kuadrot teknike vendosin mbi çdo gjë, ka thënë Stalini i madh, por kuadrot teknike në vendin tonë në përgjithësi ishin të pakta. Për bujqësinë socialiste duheshin agronomë, zooteknikë, veterinerë, inxhinierë e teknikë të ndryshëm të pajisur me shkencën dhe teknikën moderne, të brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste, besnike ndaj çështjes së klasës punëtore, ndaj popullit punonjës, ndaj socializmit. Këtij qëllimi të lartë të Partisë i shërbeu dhe Instituti i Lartë Bujqësor, krahas me gjithë rrjetin e arsimit tonë popullor.
Kështu, krahas me formimin e kuadrove teknike në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e demokracive popullore, me ngritjen e Institutit të Lartë Bujqësor në vitin 1951, me një grup teknikësh e specialistësh, shumica e të cilëve ishin të rinj, u vunë bazat për krijimin në stil të gjerë të inteligjencës popullore dhe në sektorin e bujqësisë, të agronomisë, zooteknisë, inxhinierisë pyjore që kanë dhe do të kenë edhe në t’ardhmen misionin e lartë të realizimit të planeve të bujqësisë.
Viti 1955 do të mbetej i shënuar në historinë e arsimit profesional të atdheut tonë, si vit i parë i nxjerrjes së kuadrove të larta teknike nga institutet e vendit tonë. Në këtë vit dualën nga Instituti i Lartë Bujqësor 22 agronomët e parë si dhe 21 zooteknikët e parë.
Në vendin tonë numëroheshin vetëm 86 kuadro të larta në sektorin e bujqësisë. Sot në vendin tonë ka 523 kuadro të tilla, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga radhët e ish studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor.
Tani janë para provimeve të shtetit edhe 106 teknikë të tjerë të rregullt të cilët si rrjedhim i zgjatjes së afatit të studimeve nga 4 vjet në 4 vjet e gjysmë do të mbarojnë studimet në fillim të vitit 1962. Vetëm në një vit, në vitin 1960, u diplomuan nga Instituti i Lartë Bujqësor 129 kuadro teknike, agronomë, zooteknik; e veterinerë d.m.th. më tepër se sa kuadrot e larta të këtyre specialiteteve  që krijoi Zogu gjatë gjithë sundimit të vet bashkë me ata që trashëgoi nga e kaluara.
E rëndësishme është të theksohet se kuadrot që kanë mbaruar këtë institut janë treguar të aftë për të drejtuar sektorë të tyre e për të kryer çdo punë të ngarkuar në NBSH e kooperativat bujqësore, në SMT, në institucionet arsimore e shkencore e në dikastere.
Gjatë këtyre 10 vjetëve, që nga krijimi i tij Instituti i Lartë Bujqësor, me ndihmën e pandërprerë të Partisë dhe qeverisë ka ecur përpara me hapa të shpejta. Më 1951 instituti filloi aktivitetin e tij me 43 studentë dhe me 4 pedagogë si dhe me kontributin e tre pedagogëve sovjetikë të cilët dhanë ndihmë vëllazërore të pakursyer. Fakulteteve të agronomisë dhe zooteknisë. të krijuara që në fillim iu shtua më 1952 edhe fakulteti i veterinarisë me 14 studentë. Sot në Institutin e Lartë  Shtetëror të Bujqësisë janë planifikuar të studiojnë 1000 studentë.
Në institut japin leksione shumë pedagogë e bashkëpunëtorë shkencorë.
Me qëllim që kuadrot e larta bujqësore të dalin në një profil të gjerë, të aftë për të drejtuar degët e ndryshme të bujqësisë, duke pasur baza të shëndosha për të specializuar më vonë gjatë praktikës së prodhimit në njërën nga specialitetet sipas  prirjes, fakulteti i zooteknisë u shkri në atë të agronomisë. U krijua fakulteti i inxhinierisë pyjore, i cili në 1965 do të nxjerrë të parët teknikë të lartë të ekonomisë pyjore, që do të punojnë për mbrojtjen, shfrytëzimin dhe teknologjinë e përpunimit të lëndëve pyjore.
Në fakultetin e agronomisë u formuan dy degë të reja; ajo e frutikulturës (1959-1960) që lidhet me nevojat e zhvillimit perspektiv të bujqësisë tonë dhe e shkencave ekonomike, që ka rëndësi të veçantë për faktin se bujqësia tek ne është e organizuar rishtazi me ndërmarrje të mëdha socialiste dhe në të lindin probleme të shumta ekonomike të organizimit e të planifikimit që duhen studiuar në konditat konkrete të vendit. Në vitin 1958 NBSH “Ylli i kuq” Kamzë iu aneksua tërësisht institutit. Kjo krijoi mundësinë që planet e punës të ekonomisë bujqësore të gërshetoheshin me planet dhe oraret mësimore dhe të mënjanoheshin kështu një seri të metash.
Masat e marra në ndryshimin e planeve mësimore ashtu edhe në sigurimin e bazës materiale për praktikat në prodhim, së bashku me masat edukative, puna e mirë e organizatës së Partisë dhe rinisë si dhe mobilizimi i pedagogëve kanë ndikuar në mënyrë të favorshme mbi punën e studentëve për ta përvetësuar e për ta lidhur sa më tepër me praktikën. Tani studentët e fillojnë praktikën me punë të thjeshta bujqësore bashkë me punëtorët e ekonomisë duke realizuar normat e punës, po ashtu si punëtorët, nga viti në vit bëjnë punë gjithnjë më të kualifikuar si krasitës, shartonjës, ndihmës traktoristë deri në zv. Brigadier, zv. Agronom. Ndihmës mjek veteriner etj.
Praktikat zooteknike ata i fillojnë në ora 3 e gjysmë të mëngjesit me pastrimin e stallave dhe me mjeljen me dorë dhe me makinë, e deri në pjesëmarrjen në fushatat e ndërzimit artificial e shtegtimin e dhenve.Anteprima immagine
Me një përgatitje të tillë praktike dhe teorike specialisti i ri nuk do ti trembet punës kudo që të jetë dhe do të fitojë besimin e punëtorëve dhe kooperativistëve tanë.
Instituti ka shënuar përparime edhe në punën shkencore. Pjesa më e madhe e pedagogëve kanë stazh të prodhimit të mjaftueshëm për t’ju dhënë mundësinë që të gjallërojnë leksionet dhe tu ngrenë nivelin teorik dhe praktik, t’i lidhin ato me problemet që e preokupojnë bujqësinë dhe blegtorinë e vendit tonë. Një punë e vlefshme në baza shkencore është bërë nga ekspedita pedologjike e përbërë nga studentë të institutit dhe e udhëhequr nga përgjegjësi i katedrës pedologjike, sot kandidati i shkencave bujqësore, shoku Faik Bajraktari. Me punë të palodhur e me guximin që e karakterizon rininë tonë dhe me ndihmën e shkencëtarëve sovjetikë Prof. D. Daraselija dhe kandidati i shkencave Bagatiriov ata bënë të parën hartë pedologjike të Shqipërisë në shkallën 1:200.000 dhe 1:50.000 dhe tani po punohet për hartën pedologjike 1:10.000.
Njëkohësisht me punën e partisë në institut u arrit që gati çdo pedagog të marri përsipër një temë studimi shkencor.
Këtë vit, me vendim të Qeverisë u krijua Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësisë, si i vetmi institut mësimor dhe shkencor për bujqësinë, blegtorinë dhe pyjet në vendin tonë, i dalë nga shkrirja e 4 instituteve të bujqësisë: Instituti i Lartë Bujqësor, Instituti i Kërkimeve Zooteknike në Shkodër, Instituti i Kërkimeve Veterinare Tiranë dhe Instituti i Kërkimeve Bujqësore “I.V.Miçurin” Lushnje.
Duke pasur qendrën në Kamëz – Tiranë, Instituti i ri, përveç punës pedagogjike, do të udhëheqë edhe punën shkencore që bëhet në të 13 stacionet dhe bazat e tyre eksperimentale të ish instituteve të veçuar në Shkodër, Kukës, Peshkopi, Lushnjë, Fier, Elbasan, Korçë e Gjirokastër.
Instituti i ri disponon 3000 ha tokë dhe një shumicë krerë gjedhesh përveç mjeteve të tjera të ndryshme që i nevojiten punës eksperimentale shkencore dhe të prodhimit. Rreth 120 kuadro të larta punojnë në punë pedagogjike dhe shkencore në formë permanente, përveç teknikëve të mesëm dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.
Bashkimi i institutit do të sjellë dobi të ndjeshme kryesisht në kombinimin e punës mësimore me atë shkencore, në ndarjen më racionale të punës, në bashkërendimin e studimeve të ndryshme dhe rrjedhimisht për një shfrytëzim më të drejtë të forcave, Në këtë mënyrë do të krijohen mundësi më të mëdha për specializimin e kuadrove. Do të ngrihet niveli i punës mësimore dhe puna shkencore do të shtohet e do të thellohet si rrjedhim i formimit të kolektivave më të gjera të punës mësimore, e shkencore, i kontrollit të madh dhe i ndihmës reciproke midis sektorëve të ndryshëm.
Gjatë planit të III-të 5 vjeçar do të marrin arsim të lartë bujqësor 1000 veta, shumica e të cilëve në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë.
Punonjësit dhe studentët e institutit do të vënë të gjitha forcat që të zgjerojnë dijet praktike e teknike profesionale të ruajnë e zhvillojnë vazhdimisht traditat e lavdishme të popullit tonë, të edukohen me qëndrimin socialist ndaj punës dhe pronës shoqërore, me dashurinë për atdheun dhe me besimin e patundur në triumfin e çështjes të socializmit e të komunizmit.

“Zëri i Rinisë” 11 nëntor 1961

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.