Fejton-satirë
PSE MOS TA MBYSIM DIBRËN PROFESOR BUNGURI?
Letër mikut tim për një “ing-poet” që s’din se ç’shkruan e ç’flet…
Nuk e di pse shqetësohemi i nderuar Adem dhe pse bërtasim “ish” kur nuk kemi pula në kotec. Skavica edhe me një digë, edhe me dy, edhe me tri nuk na mbyt as troje e as varre. Ty jo e jo se Greva është lart, por edhe mua jo, sepse trojet e Ashikëve dalin si ballkon mbi liqen. E vetmja gjë që do të na shqetësojë mua, ty dhe të gjithë dibranët në “ballkon të Skavicës” është mjegulla, ai fenomen meteorologjik që më mërdhin edhe këtu në Athinë, sa herë e kujtoj.
Por kjo anashharrohet nisur tashmë nga përvoja prej disa dekadash në dy hidrocentrale mbi Drinin e Zi në pjesën tej kufirit shqiptaro-shqiptar nën FYROM, hidrocentralit të Glloboçicës dhe Dibrës së Madhe, dhe katër hidrocentraleve mbi Drinin e bashkuar: Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Bushatit.
Tash flitet për tri diga të tjera mbi Drinin e Zi për ta çuar në 9 e për ta kthyer tërë lumin më të gjatë të Drinit në det….
Në det me ishuj, gadishuj, fjorde, limane, e udhëtime me gondola…
Unë edhe ti i kemi thënë JO SKAVICËS ! Jo gjoleve të saj, si me një digë po ashtu edhe me dy e tri diga. I themi jo thjesht nga dashuria dhe nostalgjia poetike se ai zhbë përfundimisht luginën më të bukur e më pjellore në Shqipëri. Unë nga profesioni i agronomit e ti nga ai i arkeologut. E bën dibranin pa plëng e pa shtëpi “çifut në shkretëtirën marramendëse të korrupsionit”.
I kemi thënë kotnasikoti.
Ju pyeta “Pse mos ta mbysim Dibrën?” në replikë me një “ing” para emrit të tij, z. Stavri Vangjeli…
Me thënë të drejtën, me gjithë kërkimet e mija nuk e di se çfarë “ing-u“ është zoti Vangjeli sepse me “ing” përpara emrit radhisin veten profesione të shumta (gjeologë, hidrologë, pylltarë, ndërtues, minerarë, naftëtarë, elektrikë, mobilieri…) por nga ato që shkruan faqeve të gazetës “Sot” “ing (pa dr. e pa prof.) më ngjan më tepër me një “poet në pleqëri”.
Se vetëm poetët ëndërrimtarë në ekstrem mund të na japin vizionin e Detit të Dibrës…
“Skavica e madhe S – 485 do i shërbejë Europës edhe botës!”
O Zot sa i bukur ky titull! Kurrë nuk e kisha menduar…
Më në fund Dibra e ndarë me hanxharin e ndryshkur të Londrës 1913 do të shërbejë për diçka madhore, do t’i shërbejë Evropës dhe Botës. Me siguri do të na pranojnë pa asnjë kusht tjetër në Evropë dhe në Botë. Dhe këtë nuk do ta bëjë politika, por DIBRA…
Dibra me detin e saj???!!!…
Kërshëria më nxiti ta këndoj, si dikur këndonim librat e këndimit, tërë atë që shkruhej në vijim të titullit…
Sipas “ing-ut”, “Skavica e madhe S-485” do të jetë … ”Me gjatësi 100 km, e gjithë vija ujore e liqenit do të jetë rreth 300 km e gjatë sepse përfshin 9 apo 10 luginat e mëdha të Drinit të Zi . Diku afër sa bregdeti shqiptar nga Buna në Konispol. Ja pra një Shqipëri e dytë turistike liqenore me rreth 300 m më ulët se liqeni i Ohrit . Kjo vijë liqenore 300 km të gjatë do të kërkojë tre apo katërfishimin e banorëve, që kërkohen të zhvendosen nga varianti i Skavicës së Madhe. Për rreth 7000 familje gjithsej, i bie 20 familje për çdo 1 km.”
Dhe prej “9 apo 10 luginave të mëdha të Drinit të Zi” (!!!) na çon në Paris…
“Dibranët e shqiptarët nuk janë njohur fare me “Parisin” ujor të Drinit të Zi. Ata nuk do të kërkojnë ato euro. Dibranët janë në pararojë të etnitet tonë. Vetëm të sqarohen mirë. Ata do të kërkojnë vetëm disa bonuse për të filluar jetën e re në shërbim të shqiptarëve, europianëve por kryesisht të botës së nxehtë aziatike, që kërkojnë të marrin një herë frymë pa kondicioner…”
Dhe fantazia e “ing-ut” na çon e ku nuk na çon. Në “qiellin e shtatë”…
“Do të jetë më mirë se në Zvicër dhe Paris. Për punën e tyre, ata do të shpërblehen vetëm në natyrë në disa akra toke! Banesat e dibranëve 2 dhe 3 katëshe, vila gjithandej futur në pyje e pisha të luginave i ndërtojnë vetë ata dhe i përfundojnë para se të përfundojë HEC-i. Hotele shumë katëshe të korporatave të botës do të hedhin shtat me dhjetëra e dhjetëra. Mos harrohet t’ju falim holandezëve pak fushë në Korab, sepse ata dheun 5 m të lartë e quajnë mal! Turizmi elitar masiv do të jetë kudo të ndërthurura mes tyre me natyrën plot bukuri e shëndet, super shpejtësisë e mjeteve motorike ujore, llixhat kurative me vlera të larta, xhepat e thella ujore të luginave natyrore me shpate të larta e pyje, do të jetë prezent në këtë Dibër shumë të vogël, gjatë gjithë vitit!… Inteligjenca dibrane shpejt do ta kuptojë këtë. Ata duhet të jenë pararoja e Ndryshimit dhe e Rilindjes së vërtetë shqiptare e dibrane.”
“Ing-u-poet” pasi na çoi në Paris, Zvicër, Holandë…nuk harron të na çojë edhe në… Stamboll për të na thënë se “Është kryeqyteti i Ballkanit dhe i Anadollit, të dy gadishuj me shumë histori”. Dhe për të vijuar… “Nata me ndriçimet është edhe më e paarritshme…”
Dhe duke përfunduar… “Bëra mjaft krahasime ndërmjet detit të kripur të Stambollit dhe detit të ëmbël të Dibrës. Unë po vë në dukje vetëm pak. Do ta kemi detin tonë edhe ½ herë më të thellë dhe 3 herë më të gjatë. Me maja malesh 1500, 2000, 2500 e deri 2800 m të lartë dhe me luginat e thella. Kaq. Poetë të shumtë do të vijnë të frymëzohen e të shkruajnë… edhe turq edhe francezë edhe izraelitë, nga e gjithë bota…”
“Ing-u” më tej na drejtohet me emër ty, Aliut dhe mua. U mërzita pak se ma kishte tjetërsuar emrin nga Abdurahim në Abdurrahman, gjë që nuk ma ka bërë as greku në këto njëzet vjet në mërgim. Por kjo nuk ka rëndësi në krijimtari letrare, i falet.
Ai na drejtohet në njëjës… “Në shek. e 21 historia nuk njihet, nuk përvetësohet dhe nuk admirohet duke shkelur 70 km luginë, kush do të të shoqërojë, akomodimi, të nxehtit e verës që do ta shuash me paguren e ujit që ke me vete. Si do të shohësh vendet e betejave të kohës së Skënderbeut, vendbanimet prehistorike në 18 zona që i përshkruan aq thjesht e bukur z. Adem. A. Ashiku thotë se varret, historia, lavdia e hershme dhe e re do të përfundojnë në llumin e turbullt. Ky është shqetësimi i parë. Unë shkurt po jap mendimin: Historia tani mbahet në muzeume, me piktura, dokumentarë shprehës të vendeve, burrave, kuvendeve, betejave. Dhe këto pa cicëronë, thjesht me komanda dore, ekrane, altoparlante. Me disa orë të ecur nëpër sallone të vogla e të mëdha njeriu thith dije, mbresa, njohuri të thella, të të parëve tanë dhe dibranë! Me investime për të bërë më të bukurën, që do të rrjedhin vetëm nga një vepër gjigande, është problemi më i thjeshtë që ka për të zgjidhur. Nuk është ëndërr. Janë 170 milionë euro në vit që i hiqen fondit vjetor për blerje energjisë elektrike. Janë milionat që do përfitohen nga turizmi. Vetëm, vetëm një gërmë ndryshoni në botëkuptimin tuaj nga JO bëheni PO.”
Nuk ndalet hovi poetik i “ing-ut”. Ai na tregon “arat” që nuk na i kishin treguar as prindërit e gjyshërit, këndon me pathos për to.
“Punët i kryejnë vetë dibranët… Dikur mblidheshin e gdhiheshin me javë e muaj për t’u përballur me armikun. Tani do të punojnë ditë e natë të krijojnë jetën e tyre të re dhe me det. Fillimisht, duke u nisur nga vija ujore e liqenit do t’i caktohet çdo familje truallin e ri. Për çdo familje rreth 20 m vijë ujore! Ja shpronësimi u zgjidh. Janë 220 ha pyje që përmbyten. Me një llogaritje të përafërt i bie që rreth 40 drurë i përkasin çdo familje, që t’i përdorë për 2 dyshemetë dhe çatinë e vilës së re. Ndërtimi horizontal duket se u zgjidh. Kërkohen kryesisht edhe këto shpenzime: Makineri për gurrë dhe latimin e tyre. Dhe atyre dekorative. Hekur e çimento. Makineri zhavorri…”
Më tej i “zë qetë” me z. Faruk e z. Kukeli “ish agronom i diplomuar në Korçë”, të cilëve u bën thirrje që “Qysh këtë verë të fillohet me qerestenë e pyjeve që do të përmbyten! Me pleqësinë dibrane në krye, ky aksion i madh i kombit bëhet realitet!”…
Më tej ai kalon thellë në histori ku mbledh e bën grumbull turq, kinezë, personalitete historikë… Davutoglunë, Aleksandrin e Madh, Kostandin e Madh, Kastriotin e Madh… për të na thënë se ata, shekuj para Krishtit e shekuj që nga mesjeta për “Skavicën e madhe S – 485” kanë menduar e kanë luftuar.
Unë u kënaqa me “ing-un” pa “dr.” e pa “prof.”, z. Vangjeli. U kënaqa aq shumë sa vendosa ti them PO SKAVICËS. Ma mbushi mendjen sa koka ime është plotë përplot.
Unë po zgjedh vendin ku do të ndërtoj vilën time në tre poda. Po zgjedh ishullin e Gjarajcës mes detit të Dibrës. E kam timen atë kodër se lidhet me trojet e gjyshit tim zbritur nga Bulaçi në Rreth Kale. Dyzet drurë do t’ia kërkoj mikut tim, Dr.prof.ing. Selman Mëziut të mi zbresë nga pylli i Kroit të Zi për të shtruar dy dyshemetë dhe çatinë e vilës. Me siguri miku im inxhinier i pyjeve, ekolog i njohur, do të ngrejë vilën e vet në fjordin e Gurit të Kuq dhe do të komunikojmë bashkë kur dielli do të ulet mbi Runjë me gondola. Se i dashur Adem, Deti i Dibrës do të ketë shumë fjorde sa vendet nordike do ti kenë zili. Në 9 apo 10 luginat e Drinit të Zi që tash do të jenë fjorde do të ndërtohen hotele shumë katesh të korporatave të botës…
Unë më në fund do të njoh “Parisin” ujor të Drinit të Zi…
Edhe ty i dashur Adem të them shoqërisht t’i thuash “PO SKAVICËS”, asaj të madhes. Dhe nxito shpejt të zësh një truall në ishullin “Kulla e Murre” në Hotesh. Dhe lëri anash ato studimet tuaja për arkeologjinë e Dibrës. “Historia tani mbahet në muzeume, – të këshillon “ing-u”, me piktura, dokumentarë shprehës të vendeve, burrave, kuvendeve, betejave. Dhe këto pa cicëronë, thjesht me komanda dore, ekrane, altoparlante. Me disa orë të ecur nëpër sallone të vogla e të mëdha njeriu thith dije, mbresa, njohuri të thella, të të parëve tanë dhe dibranë…”.
Bëju edhe ti me mua i nderuar Adem Bunguri. Harroje punën e arkeologut. Do të jetë më mirë se në Zvicër dhe Paris…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 26 mars 2016
Shënim: Citimet janë origjinale. Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi për gabimet drejtshkrimore e logjike të ing. Stavri Vangjeli. I mban ai dhe gazeta që mbledh e boton lajthitje të këtij soji.