18.5 C
Tiranë
E enjte, 3 Korrik 2025

Dibran Fylli

 

Fakte historike

Nga libri “Hasan Prishtina, stërnip i Abdullah Veliqit”, (f.29-35) i autorit D. Fylli

SI U LIRUA PARIA SHQIPTARE NGA KËSHTJELLA E BEOGRADIT

 

Me shkuarjen e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Itali, Austri dhe Angli gjatë prillit 1913, çështja e lirimit të parisë shqiptare nga burgu i Beogradit ishte aktualizuar në nivelet më të larta diplomatike evropiane.

Për shkak të presionit që bënte mbi Beogradin diplomacia Austro-Hungareze, Nikolla Pashiqi më 29.III.1913, do t’i drejtohej vojvodës përgjegjës të Ushtrisë me shifër sekrete nr. 1399 se “ka nderin për t’u lajmëruar Juve, se zoti ministri i luftës në saje të propozimit tim i ka lëshuar në liri poshtë të emëruarit pari të cilët kanë qenë të internuar në Kështjellën e Beogradit, pasiqë kam fituar bindjen se do të mbesin qytetarë lojalë.

Duke ua komunikuar juve këtë, kam nderin për t’iu lutur që të urdhë-roni për t’i njohur udhëheqësit përkatës dhe të rekomandoni që ndaj tyre (parisë) të sillen me kujdes, por në të njëjtën kohë të vështrohet mbi sjelljet e tyre”, (pasojnë emrat e atyre shqiptarëve që duhej të liroheshin. Në fund figuron nënshkrimi i Nikolla Pashiqit): Dokumenti i bashkangjitur me këtë shkrim.

Më 1 prill 1913 Seksioni politik i Ministrisë punëve të jashtme me shifër sekret nr. 4852 i drejtohet Komandantit Armatës II-të zoti Ministrit të Ushtrisë me poroz imin e Kryetarit të Këshillit të ministrave i kishte lëshuar në liri poshtë të përmendurit pari, të cilët kishin qenë të internuar në Beograd, pasi që ishte arritur besimi se të njëjtit do të mbesin qytetarë lojalë:

Nexhip Draga prej Mitrovice, Hasan Bej prej Prishtine, Hoxha Said prej Shkupit, Shaban Pasha prej Prishtine, Çemal Bej prej Shkupit, Hurshid Bej prej Prishtine, Rushid Bej prej Dobratini, Muarrem Efendia prej Prishtine, Xhemajl Bej prej Prishtine, Jashar Pasha prej Peje, Ibrahim bej Kokola prej Prishtine, Idriz Seferi prej Gjilani, Qazim Seferi prej Gjilanit. Për lirimin e tyre dhe kujdesin që duhej pasur ndaj sjelljeve të tyre u ishte dhënë urdhër çarqeve policore të Kosovës. Detyrë striktive për t’i përcjellur kishte marrë edhe seksioni politik operativ i Ushtrisë dhe xhandarmërisë.   

Të përfundojmë, me izolimin dhe burgimin e udhëheqësisë shqiptare të Vilajetit të Kosovës, strategjia serbe synonte realizimin e plotë të okupimit të viseve shqiptare. Për realizmin e asaj strategjie Ushtria serbe kishte startuar prej dy pikave që e kishin komandën në Nish: 1. Prej Kraleve forcat serbe duhej të depërtonin Luginës së Ibrit – Rashkës, për të ndaluar në Dukagjin.

Prej andej Luginës së Drinit nëpër Shqipërinë veriore synohej për të dalur në Lezhë drejtë Detit dhe 2. Luginës së Moravës dhe Vardarit (Nish-Shkup) nëpër Gjevgjeli në Selanik, në nëndrejtimin Tetovë – Gostivar – Kërçovë – Manastir – Ohër – Strugë – drejtë Shqipërisë qendrore – Luginës së Shkumbinit nëpër Elbasan synohej për të dalë në Detin Adriatik në Durrës. Së këndejmi, izolimi dhe burgimi (eventualisht likuidim) i parisë shqiptare siç u veprua në rastin konkret, ia mundësoi Serbisë për ta okupuar pjesën dërmuese të Kosovës. Ky izolim (burgim) ia mundësoi Serbisë përmes Kampanjës (Luftës) ballkanike të zgjerohet në viset shqiptare edhe për 39,000 km2 dhe për 1.290.000 banorë. Mali i Zi, në anën tjetër, do të zgjerohet për 7000 km2 dhe për 260.000 banorë.

Serbia i frikohej Hasan Prishtinës. Hasan Prishtinën me shokë shteti serb e izoloi sepse nuk guxoi ta likuidonte publikisht, ngase kishte dro nga opinioni evropian. Prandaj Serbia, derisa Hasan Prishtina me shokë ishte burgosur në Shkup dhe në Kështjellën e Beogradit (4 nëntor 1912 – 1 prill 1913), në Kosovë ishte vendosur pushtet okupues i huntës ushtarake me dirigjime të rusëve, ndër më despotët në botë. Ndërsa, në Londër ku po mbahej Konferenca për fatin e viseve që kishin dalë nga zgjedha osmane, përmes politikës imperialiste ruse në Ballkan, në vend të një Shqipërie në të 90100 km (Vilajeti i Kosovës 32900 km vilajeti i Shkodrës me 10 800 km2 Vilajeti i Janinës me 17 900 km ) u pranua një Shqipëri me 28000 km2. Dhe vetëm kur Serbia dhe Rusia u bindën se kishte kaluar rreziku (më 1.IV.1913) prej Hasan Prishtinës, N. Pashiqi e kishte liruar luftëtarin e pamposhtur të Kosovës. Me të dalë nga burgu, Hasan Prishtina menjëherë do të vihet si bleta në organizimin e luftës kundër okupatorëve të ri. Dhe nuk do të vonojë shumë, kështu që në shtator të vitit 1913 e tërë Shqipëria e paçliruar prej Mitrovice e deri te Struga sërish do të ngritet në luftë për liri. Parimit të luftës për liri Hasan Prishtina do t’i qëndrojë deri në vdekje. Por edhe pastaj armiqtë e popullit të Hasan Prishtinës do të frikësohen prej tij, sepse ka mbetur vepra e tij që nxitë, mendon dhe vepron për ardhmërinë e të gjitha gjeneratave që vijnë pas tij.

Me dëshmi autentike që i sjellim këtu u vërtetua se Hasan Prishtina më 28 nëntor 1912 ishte burgosur në Kështjellën e Beogradit. Hasan Prishtina pra, nuk ka mundur e as që do të qëndronte në Stamboll siç thuhet në “dokumentin” e botuar në Tiranë më 1983. Vetëm me argumente pra, duhet të thuhet e vërteta. Në të kundërtën, Hasan Prishtina më 28.XI.1912 do të ishte pranë e Ismail Qemalit dhe Flamurit Kombëtar.

 

Prof. Dr. Hakif Bajrami, “Pse Hasan Prishtina më 28 nëntor 1912 nuk ishte në Kuvendin e Vlorës”, “Dëshmi dhe Artikuj”, dokumentet duhet studiuar me kritikë objektive,

Me rastin e 90 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, burim i cituar.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.