Vitet rrjedhin si uji nën urë. Ecja bëhet e bukur, rinia, puna, modelet që ndërtojmë na shtyjnë gjithnjë të bëjmë më të mirën, më njerëzoren, jo thjeshtë për vete, por për ata që vijnë pas nesh. I bëjmë me kujdesin dhe dashurinë si njeri, si prind, si kontributor në jetën tonë dhe të shoqërisë ku jetojmë. Marrim nga jeta gëzime, vuajtje, trishtime, suksese, dashuri dhe japim gjithçka kemi të mundur nga vetja jonë. Gjithmonë japim çka mundemi dhe marrim çka meritojmë me punën dhe përkushtimin tonë.
Gjatë punës krijojmë shoqërinë tonë profesionale, ndërtojmë marrëdhënie të reja, konsolidojmë pareshtur personalitetin tonë dhe përpiqemi të zbukurojmë sa më mirë e më shumë jetën tonë në familje dhe në komunitet.
Pas nesh vjen një vargan i gjatë me pasardhës: nipa dhe mbesa, që na zgjojnë nga “ritualet” tona, na bëjnë të ndjejmë jetën tek pulson hareshëm në trashëgiminë tonë, tek këta lule të vogla që zbukurojnë e lulëzojnë jetën tonë vazhdimisht. Përmallemi kur na mungojnë, kur largohen dhe migrojnë, kur fillojnë dhe marrin trajtë të re në rritjen e tyre dhe kërkojnë dashuritë e jetës së tyre, kërkojnë të ndërtojnë çerdhen e tyre familjare me besimin dhe përkushtimin që kishim dhe ne kur ishim në moshën e tyre.
E jeta vazhdon…
Dhe vjen një ditë që kemi nevojë më shumë për të pushuar, për t’u argëtuar, për të shkruar kujtimet tona nga një jetë plot shkëlqim, lodhje, emocione, lotë dhimbjeje apo lotë gëzimi…
Lëmë punën dhe futemi në një moment të ri të jetës, në pensionin e pleqërisë. Pavarësisht se ndjehemi akoma të rinj, por të rinjtë, pasardhësit tanë, duan ta ndërtojnë jetën e tyre ashtu siç ne e ndërtuam jetën tonë brenda dëshirave, emocioneve, shijeve tona. Duhet t’ua hapim krahun. T’u japim mundësinë atyre për të zbatuar ëndërrat e tyre në një jetë që ka ecur shumë përpara.
Ne përsëri duhemi, eksperienca jonë, dashuria dhe toleranca jonë u shërbejnë dhe atyre, gjakut tonë të ri, që na ndjek pas me një energji të re, me pasion dhe dashuri të re për jetën dhe të ardhmen, me ëndrra të ndezura…
Ne përsëri gëzohemi, është një moment shumë i bukur i jetës tonë. I shohim, përpiqemi t’u ndihmojmë, zemërohemi, por zemërimi ynë tashmë ka dashuri brenda. Kjo është mosha e pensionit, koha kur ne shohim, ndjejmë dhe ndihmojmë rritjen e brezit tjetër, një brezi që na duhet, që i duhet vrulleve të reja, zhvillimit të ri të jetës, shkencës dhe teknologjisë së re.
Sa shumë gëzohemi kur shikojmë nipin apo mbesën që e vendos gishtin e vogël mbi tastierën e celularit dhe e përdor atë mjeshtërisht, sa që ne themi: “Ore, unë u plaka dhe nuk di ta përdor kështu?! E pra, është radha e tyre. Radha jonë është të gëzohemi me ta, të përjetojmë momente të bukura të jetës, punës, shoqërisë. Të gëzohemi me atë që kemi arritur, duke marrë me vete në jetën e re gjithë respektin e tyre, gjithë vlerat që kemi treguar që t’i mbajnë si shembull në punën dhe në jetën e tyre.
(Marrë nga libri im i ri “Vlerat secili ia rrit vetes me punë dhe përkushtim”-Intervista dhe shënime-)