30.5 C
Tiranë
E shtunë, 19 Korrik 2025

FUSHAT KARRIKESH

NEBI DRAGOTI

  Fejton

E gjatë e gjatë kjo fushatë shqiptare, fushatë karrikesh 365 ditë. Hahahaaa e ohohooo! Punë e madhe me fjalime histerike të mëdhaja; u lodhën politikanët profane, si i thonë, duke bërtitur, duke sharë kundërshtarët si të paaftë, kur super të paaftë janë vetë.

             Mbajnë ndezur motorët partitë,

             zili sikur kanë shkopin magjik

            që kur të vinë në pushtet,

            mrekulli ky vend do të ketë…

E megjithatë mos t’ua hamë hakun për premtime. I bëjnë të gjitha punët; gurë pa lëvizur nuk lenë. Mos t’ua hamë hakun, se…luftojnë për karrike, të drejtojnë profesionalisht në punë të pista, në afera korruptive, se me këto punë mezi mbajnë familjet; pa për të punuar është populli trim, punëtor, paqëdashës, sehirxhi, kur i sheh të zihen, të grinden, të kacafyten kope qensh, ( më falni, desha të them kope politikanësh). Ose… ose ju merreni si të doni, se kështu është e vërteta. E vërteta është kokë shkëmb, nuk ndryshon mendim.

              Notojnë mediat, mbushen gazetat;

             vu, vu fjalimet, gënjeshtrat,

           të sinqertë në dukje, të rafinuar

           me programe,  projekte maskuar.

E kemi mësuar që në shkollë porosinë e N. Frashërit:”Punë, punë natë e ditë/ që të shohim pakëz dritë”. Po këta e kanë tejkaluar masën e punës, sa janë edhe të sëmurë për pushtet, se punojnë 365 ditë, pa pushime luksoze, pa plazhe si në hotele personale me pesë yje, ku hanë, hedhin, pinë , dehen me lekë fituar “me djersë” fushatash.

           Vuajnë të shkretët trutharë,

           (tamam trutharë hileqarë)…

            Vuajnë të shkretët tuldhjam.

            Ama, vetëm për karrike

            garojnë fort partitë politike…

Nuk e çajnë kokën të punojnë për rritje ekonomike, për ndryshim të gjendjes sociale, se…kufijtë janë të hapur. S’ka punë këtu? Të ikin të rinjtë të punojnë jashtë! Ore, të ikin , të ikin nga Shqipëria.-Të shporren!- thonë. Politikës nuk i bëhet vonë, se politika ka punë dhe me punë po i mirret fryma, as gjumë nuk bëjnë 365 ditë me llomotitje, dhe, për çfarë?…Për karrike, rehat prapanice. U thefshin karriket, u djegshin e u bëfshin hi dhe me hi u mbulofshin “punëtorët” e fushatave politike. Shënim: Nëqoftëse ka ndonjë që nuk e kupton fejtonin, qënka symbyllur, shurdh, dede apo debil. Ose i vjen keq për partitë parazite, që kemi dhe mos i paçim, fara mos t’u duket!

Hahahaaa e ohohooo!

    Durrës, 21.09. 2020.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.