LAVDIA U TAKON ATYRE QË NUK SHKOJNË NË KUVEND
APO NË LUFTË ME DY MENDJE.
Kaluan 105 vjet, që nga korriku i vitit 1915. Ai nuk ishte një muaj si të tjerët për malësorët dukagjinas e veçanërisht të Plan-Gjurajve. 15 korrikun, populli i Dukagjinit përkujton përballjen e madhe të tij kundër ushtrisë së rregullt dhe me plot armatime të Malit të Zi në vitin 1915. Dukagjini i dha dhanë kësaj qëndrese heroike 106 dëshmorë, nga të cilët, 81 dhanë jetën në Plan e Gjuraj.
Për numrin e popullsisë e sipërfaqen e territorit dhe hapsirën kohore, ku ishte teatri i luftimeve, mund të thuhet, pa frikë, se ishte nga gjakderdhjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, pse jo edhe shumë më gjerë. Për ato dora e një poeti shkroi:
“…O i miri Plan, ç’tё kanё parё sytё,
Kudo gjak, tym, flakë e tё vrarё,
Edhe pse kanё kaluar 100 vjet,
Lotёt dhe gjaku s’janё tharё…”
Dukagjini është krenar për të parët e tij për luftën ,qendresen jetët dhe gjakun që dhanë për Dukagjinin, Shkodrën dhe Shqipërinë. Gjakun i atyre që bien në fushën e nderit për liri, “…Do të bien dielli e ska me e tha,/ Do të bien shiu e ska me e la…”
Kështu ndodhi edhe më gjakun e të rënëve në ato ditë të stuhishme, i cili nuk është “tharë”, e as nuk është “larë” edhe pse kanë kaluar 105. Njerizit vdesin kur harrohen.
Të tillë do të mbeten gjithmonë Mehmet Shpendi së bashku me trimat e trimëneshat dukagjinase që dhanë jetën në Malet e Planit e në Dukagjin në atë verë të nxehtë nga dielli i korrikut por më shumë nga flaka e pushkëve vrastare të pushtuesve e nga zjarri i shtëpive të djegura. Njeriu edhe mund të bie, por i lumtur është ai që ngrihet përsëri.
Ata që kanë dhënë dhe japin jetën për lirin e përparimin e vendit të vet ngjiten në piedestalin e historisë për të mos u harruar kurrë. Të tillë janë dhe do të mbeten të gjithë ata burra e gra nga Dukagjini që u bënë flakadan për tu ndriçuar në shekuj rrugën brezave. Gjaku i Mehmet Shpendit dhe trimave e trimëreshave që vdiqën bashkë, nën breshëritë e barbare të pushkëve armike, rrodhi së bashku me ujin e pastër të lumit Kir dhe ja ku mbiu, këtu po buzë Kirit, kjo përmendore e pavdekshme, në gjirin e Shkodrës mikpritëse, në Shkodrën e historisë dhe kulturës së lashtë dhe të re. Shoqata “Atdhetare “Dukagjini”, kryesia dhe dashamirësit e saj dhe të Dukagjinit, u bashkuan në një mendje guxuam, po guxuam, dhe ja dolëm. Kjo këmbëngulje, kjo vendosmëri, ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje e gjerë, bëri të mundur që sot të jemi këtu, nën “hijen” e shtatores së atdhetarit Mehmet Shpendi. E poeti vazhdoi:
“…Përpara shtatores tёnde,
Qёndroj plot krenari,
Faleminderit, o Mehmet Shpendi,
O gurё themeli nё histori…”
Kjo përmendore historike e Mehmet Shpendit, për veprën e tij heroike, flet shumë për të shkuarën tonë, këshillon për të sotmen dhe hedhë vështrimin drejt të ardhmes. Mehmet Shpendi, jeta e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, të mishëruara në këtë shtatore, ishin në një kohë kur nuk ishim ne, por, që ne të ishim sot. Nderi dhe lavdia u takon atyre që nuk shkojnë në kuvende apo frontin e luftës me dy mendje.
Pesë vite më parë u ngrit shtatorja e Mehmet Shpendit në qytetin e Shkodrës. Është
kontribut i shumë njerëzve që banojnë në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, që nga Miçigani, Nju-Jorku, Belgjika, Italia, Anglia, Greqia, Tirana, Shkodra 192 kontribuesve dukagjinas e dashamirë të Dukagjinit, në krye të cilëve qëndron bashkësia dukagjinase në Nju-Jork, nën organizimin e grupit të punës në krye të cilit zgjodhën zotin Tom Balbona, të cilët siguruar 52 % të vlerës së përgjithshme për ngritjen e shtatoreve të Mehmet Shpendit dhe Martin Camajt. Por edhe kontribues nga Shqipëria dhanë një ndihmesë mjaft të rëndësishme që kapim vlera milonshe nga secili si Prenda Mark Shpendi, Kolë Ҫardaku, Martin Bardhoj Martini, etj, etj. Është me vend të përmendim e vlerësojmë edhe ndihmesën e drejtuesve të Bashkisë Shkodër, të kohës, që na ndihmuan dhe qëndruan afër me mendime, këshillime e me veprime konkrete, pa të cilën do të ishte e pamundur vendosja e tyre aty ku janë sot.
Sa shpejt kaluan pesë vjet, e shtatorja e Mehmet shpendit na vështron nga
pjedestali i historisë, janë rritur pemët dekorative, nuk ka papasterti, është shtuar gjelbërimi, por më kryesorja është se është rritur akoma më shumë imazhi i Mehmet Shpendit, është vlerësuar më shumë puna e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, etj. Shtatorja e Mehmet Shpendit ju flet përditë bijëve dhe bijave dukagjinase, u jep pororsi e këshilla, me veprën e tij të pavdekshshme.
Shtatorja e Mehmet Shpendit, që nga dita kur u vendos në atë piedestal, duket sikur u flet thotë brezit të rinjë dukagjinas, e brezave që vinë, por edhe shumë më gjerë: “Mos na turpëroni, mos u tërhiqni para vështirësivë, jetoni me djersën tuaj dhe shmanguni veseve të dëmshme të së kaluarës, por dhe atyre që koha që po jetojmë na i ka vënë përballë. Mbajeni kokën lart për brezat që kanë kaluar, sepse askush nuk mund tua zënë kryet për ne e të parët tonë”. Është e domosdoshme që të gërshetohen vlerat e së kaluarës me ato vlera të sotme që i shërbejnë njeriut, familjes e shoqërisë. Po, është koha e kalemit dhe librit, dhe jo e e zërit të lartë, grindjeve e ngatrresave për hiçgjë, është koha e ligjit bashkëkohor, e kulturës dhe e arsyes dhe jo e grykëhollës.
Mehmet Shpendi, rrjell nga fisi kryengritës i Shalës, i lindur në Pecaj të ketij fisi, në vitin 1851, aty ky fjala, puna e pushka ishin bashkëlidhur në mënyrë të pazgjidhshme, aty ka ndahet kuvendi, aty ku merr rrugë besa, burrnia e urtia, aty ku ka prijës të përzgjedhur, të fortë për pushkë e të urtë për fjalë. Mehmet Shpendi, me mendjen dhe punën e tij fitoi respektin në të gjithë krahinën e Dukagjinit. Burri heroik i Shalës, u shqua në shumë luftëra për trimëri dhe qëndresë të vëndosur Kombëtare, duke mos pushuar së luftuari për liri dhe Atdhe deri se plumbat e tradhëtisë e përshkuan duarlidhur dhe në besë në Ndërkisa të Planit me 15 korrik 1915. Edhe në momentet e fundit i dërgoi lajimin Shalës që të mos dorëzohej duke luajtur gishtin e pushkës për nën gju, e duke lënë fjalët lapidar “tokë e qiell paça lanë dorëzane, kurrë anmikut besë mos me i zanë”.
Mehmet Shpendi është figurë unikale historike e krahinës së Dukagjinit e paparlyer gjatë gjithë jetës së tij. U deshën njëqind vjet për të vlerësuar punën dhe veprimtarinë e këtij gjeneralit të maleve, dhe për ta vendosur në vendin e merituar që ka sot.
Mehmet Shpendi jetoj 64 vjet, prej të cilave 42 vjet është me pushkë në dorë, e përfaqe, në shërbim të vendit të tij, ҫështjes shqiptare, për liri e pavarësi. Ai është përfaqësues tipik i vegjëlisë, pa privilegje përsonale dhe familjare, arriti të bëhet simbol për brezat në ndërgjegjen atdhetare, si prijës i Djelmnisë së Shalës e Dukagjinit, si drejtues i betejave të stuhishme, si dijetar i kuvendit, si pleqnues i drejtë sipas të Drejtës Zakonore të kohës e si zbatues i saj, si një atdhetar me ndërgjegje të lartë kombëtare, i cili u flijua për idealin më të shtrenjtë, atë të atdheut.
Është kjo arsyeja e poeti Risto Siliqi në vitet e para të shekullit XX shkruante për Mehmet Shpendin:
“… Kurrë nuk gjindet zdathë e zdeshun,
Por gjithmonë gatue për pritë,
N’zheg e n’shi e n’borë e breshun,
Shtati i tij gjithmonë vaditë …”.
“Djelmnia e Shalës”, nën drejtimin e Mehmet Shpendit, është unikale për organizimin politiko-shoqëror-ushtarak të kohës. Ajo qëndroi stoike dhe e pazhigatur. Djelmnia u ndje si një forcë qeverisëse-ekzekutive në territorin e saj. Kjo nxiti që edhe krahina të tjera ta ndiqnin, të organizoheshin dhe të bashkëpunonin me të.
Duke gjykuar nga mendimet, të rejat që solli në jetën e krahinës, Djelmnia e Shalës, veprimet dhe shikimin pozitiv drejt së ardhmes, pse jo edhe nga mosha, mund të thuhet pa druajtje se ajo qe formacioni i parë rinor shqiptar me këtë nivel organizimi, me këtë largësi shikimi, me këtë thellësi mendimi. Franc Nopça e ka quajtur “Opozita e parë shqiptare”
“Mehmet Shpendi ka qenë dhe mbetet simboli i qëndresës popullore të Dukagjinit në udhëkryqet më delikate të historisë sonë nacionale”, shkruante Ndue Sanaj ato ditë që u vendos shtatorja.
Me vendosjen e shtatores së Mehmet Shpendit, qyteti i Shkodrës ka edhe një pikë tjetër orjentuese më shumë, shkruante Prelë Shytani ato ditë.
E Prelë Milani do të shkruante, “Mirë se erdhe o krushkamadhi i lirisë! Mirë se erdhe o vëlla se më kishte djegur malli me të pa! Mirë se erdhe në Shkodrën tonë Iliriane, se cilës ju bëre mburojë në kohët më vështira kur zmbrapse pa lavdi Shefqet Turgut Pashën dhe Kostandin Nikiçin”.
Prenda Mark Shpendi është familjari më i afërt i Mehmet Shpendit që është gjallë sot. Nuk ka si të mos na kujtohet takimi dhe biseda e çiltër me të pak dit pasi u përurua shtatorja e Mehmet Shpendit. Ajo me sy të përlotur, por dhe me ndjenjen e gëzimit që arriti të shohë kushuririn e saj, njëqind vjet pas vdekjes, të përjetësuar në bronx, duke vënë dorën në zemër, me zërin që i dridhej nga emocionet thotë prerë: “Dita më e gëzuar e jetës time ishte kur u ngrit shtatorja e Mehmetit dhe marrja e titullit “Nderi i Kombit”, e pasi qetësohet disi, thotë, “Kam 85 vjet jetë (sot ka 90 vjet), dhe asnjëherë nuk kam pasur gëzim më të madh se sa ditën që ju bënë këto nderime axhës së babës tëm, Mehmet Shpendit” e nga sytë i rollën pika loti”. Ajo nuk gjenë fjalë për të falënderuar të gjithë ata që menduan, organizuan, punuan e kontribuan në këtë drejtim, por vendosë dorën në zemër, sytë i drejton nga qielli dhe thotë: “Zoti jua ditët, jua priftë mbarë, ju bekoftë e ju ndihmoftë”.
Përkujtimet, siç po bëjmë edhe sot, mbajnë ndezur pishtarin e historisë. Nepërmes kujtimeve të së kaluarës nxirren mësime për të sotmen dhe të ardhmen. Më kujtohen fjalët e të ndjerit Zef Gjelosh Ara, vite më parë, kur po përkujtonim këtë ngjarje në Qeresh. Kishim mbaruar çfarë kishim në program. Ishte një ceremoni e thjeshtë me një kurorë, e disa përshëndetje e kujtime. Ndërsa rrinim në një hije e dikush na solli nga shtëpia raki, djalthë e ndonjë gjë tjetër, në një moment qetësie, Zefi thotë: “Unë e disa të tjerë që jemi këtu jemi të vjetër, por kam një amanet veçanërisht për të rinjët, në çdo 15 korrik, mos e leni pa dalë e me u takue me njëri tjetrin në këtë vend, u organizoi apo nuk u organizoi kush, sa me pi nga një cigare duhan apo një gotë raki, në kujtim të asaj kohe heroike”.
Dukagjini është taban pjellor, e në një taban të tillë gjithmonë ka pasur dhe ka për të pasur lindje e rritje të figurave që i shërbejnë krahinës dhe vendit me mend e me zemër. Prandaj pa asnjë dyshim mund të themi:
“…Dukagjin, “Nderi i Kombit”,
Dukagjin, palca e gurit,
Dukagjin, rojtar i trollit,
Dukagjin, n’ngjyra t’flamurit…”
Lavdi Mehmet Shpendit dhe të gjithë atyre që derdhën gjakun për Lirinë dhe mbrojtjen e trojeve tona, Atdheut, që na e lanë amanet të parët.
16 korrik 2020