Dëshirë zemre…
Botë e sfiduar në mundësi lumturie
të ftoj të ulesh në prehrin tim
Të të bëj kurorë miliona yje
që rrezatojnë nga shpirti im
Botë e heshtur kredhur në mendime
plagëhapur në shekuj vajtuar
Zgjas duart të të dhuroj përqafime
dhuratë jete në jetë munguar
Botë e mbushur dhimbje plot
zemërvrarë lënguar në deje
Të ftoj të ulesh këmbëkryq sot
të heqësh nga supet halle e derte
Botë e munduar mbushur ligësi
bijtë e tu duan të të shpëtojnë
Mundur të keqen me dashamirësi
mirëqenia e lumturia të mbizotërojnë
Mbretërimi i dashurisë
Qeshi qielli kur më the: “Të dua”
natyra mori tjetër shkëlqim.
E gjithë lëndina u lulëzua
vaditur nga ujvarë e shpirtit tim.
Në sytë tanë ndjenjat ndriçuan
vullkan dashurie në zemër shpërthyer.
Yjet e hëna në kratere festuan
me ngadhënjim lumturie mbërthyer.
Rrezet e diellit krahët zgjatuan
përshkuan qelizat e qenies tonë.
Me retë e qiellit kurora u formuan
që dashuria të mbretërojë gjithmonë.
“””””””””””””””””””””””
Mungesë…
Rrënjët depërtuan thellë në oazet e shpirtit
ushqyer në zemrat me të hidhurat lotë
sfiduar mallin që dhimbjet vaditi
mizorisht lulëzoi mungesa mbi tokë.
Shpesh u kryqëzuam në rrugët e dhimbjes
dhe busullën e jetës shkelëm me këmbë
pushtuar nga ankthi i afrimit të errësirës
mjergulluar trurin e sytë tanë.
Zhytur në detin e pafund të dhimbjes
ku loti shteron e shpresa humbet
melankolia mbledhur lëmsh brenda fytit
pritja mjerisht drej greminës rrëshqet.