MË FAL QË TË DESHA, O PRILL I STINËS SË PESTË
(Poemth për vete e të tjerë)
Prilli im i STINËS SË KALTËR,
Lule çelur miturisht rrugëve të blerta
Aromë hiresh veshur me dritë,
Kujtoji flokët e mi të kafenjtë,
Kur m’i harliste era,
Sikur më zbriste nga retë
Pranë melodisë shkëlqimtare të syve të tij të plotë
Shkruar në buzë
Si zjarr përvëlues ndezur në dy kraharorë.
Kujtoje
Përqafimin e STINËS SË KUQE
Me krahëbardhat dëshira të ndritshme,
Që shpirtin çmerítin,
Kur fshehtësisht më tha me frymë:
Ti je! E kam ditur!
Habia e ngrohtë e petaleve,
Zemrën ma përkundi,
Shtyrë nga puhizat ëndrra flakëruese:
“Paolo e Françeska” 1).
Ç’faj bëra që e desha?
Ah! STINA E AJËRT na mbuloi djallëzisht,
Që malli të frymonte nën tinguj të vdekur,
Rrënjë burgosur vetmisë së përgjakur.
Që vlimi i vullkanit të ndjenjave
Të përvëlonte vetveten.
I ngriu pëshpërimat, premtime nate, pa agim.
Atë më të ngrohtën,
më të butën
më përkëdhelësen,
të kaltrën, të kuqen…
Si fytyra e vërtetë e dashurisë dhe trupi i saj,
E thërrmoi.
Kokrrizat nga gjuha u rrokullisën,
Plagë krijuan nën psherëtimat e zbathura.
….
Më fal, prill, që të desha!!!
….
Ne, shtegtarë të përhershëm, me ajrin puthemi tani,
Shiu i mendimeve na pluhuros nga pak,
Brenda mjegullnajës me emrin tim.
Më fal, përsëri!
Midis tokës e qiellit, në këtë STINË TË BETONUAR,
Jemi: unë, ti, njerëzit, të gjithë.
Kaltërsia përjetësisht na lë mbi supe,
Sinqeritetin tonë të bardhë, borë prilli.
Gotën e ofruar nga dora e besimit,
Buzët e mia, ngjitur tek refreni: Falmë që të desha,
Nuk e pijnë dot!
Shikomë, o prill i STINËS SË PESTË,
Që luan vallen e luleve të vdekura,
Unë po të shpalos vetveten
Nën tingujt e dhimbjeve buzëmekura.
1)Paolo Malatesta e Françeska da Rimini
Dante Aligieri “Komedia hyjnore”
E mërkurë 25 nëntor 2015 ora 15:50
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
“PRILL I STINËS SË PESTË”
vëllim poetik në proces
Si e kam njohur Margarita Xhepën: Nëse mund të quhet njohje duke i parë vetëm portretin një njeriu, them se e kam njohur Margarita Xhepën nëpërmjet faqeve të revistës „Ylli“. Kur isha fëmijë më pëlqente të quhesha me një emër luleje. Vjollca, Margarita. Mendoja se vajza që mban emrin e një luleje është e bukur si ajo lule. Nuk isha gabuar. Duhej të ishte mesi i viteve ‘60, kur pashë për herë të parë foton e Margarita Xhepës në rolin e Ofelisë në faqet e revistës „Ylli“. Nuk e kam harruar as sot bukurinë e asaj fytyre. Me gjunjët në tokë, pranë këmbëve të Hamletit (N. F.), kokën mbështetur në trupin e tij dhe fytyrën kthyer nga lexuesi i revistës, ata sy të kaltër të mrekullueshëm, flokët e verdhë të lëshuar, thurur me kordele, krijonin një imazh përrallor. Aty vërtetova se vajza që mban emrin e një luleje, është e bukur si ajo lule. Nëpërmjet kujtimit tim të parë për Margarita Xhepën unë flas vetëm për bukurinë e saj. Më vonë kur njoha tragjedinë “Hamlet”, e ripashë atë bukuri si aktore, në rolin e një vajze të re, të Ofelisë, që përjetoi një dashuri të madhe, dashuri që i tronditi shpirtin dhe e çoi në çmenduri.
Më ka pëlqyer shumë roli i Kleas tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Më kujtohet se sapo ishte ndërtuar teatri “A. Moisiu” në Durrës. Nuk e di nëse kjo pjesë ishte pjesa e parë skenike. Di që kisha një biletë për këtë shfaqje. Vendi ishte në një nga radhët e para afër skenës. E pashë Klean, (M. XH.) nga shumë afër, me fytyrën e bukur dhe flokët lidhur në një kurorë elegante. Pashë sytë e saj të veçantë, të skuqur e të mbytur në lot. I pohoi Ezopit që tasin e florinjtë ia kish futur ajo në trastë. Ai duhej të rikthehej si skllav i Ksantit dhe do të shpëtonte nga vdekja. Pashë si u ngurtësua ajo fytyrë e bukur, kur Ezopi (K. R.)preferoi vdekjen në liri se sa dashurinë e saj dhe jetën në skllavëri. Në këtë rol Margarita Xhepa nuk ish vetëm një grua e bukur, por një aktore me përvojë. E dëgjoj edhe sot zërin e Ezopit (K. R.), që kërkonte lirinë dhe le të vdiste pastaj, por si njeri i lirë: „I lirë, i lirë, i lirë!“ E kam në sy pamjen e Kleas (M. Xh.) me sytë e bukur që rridhnin, rridhnin lot. Ndjehem e privilegjuar, që edhe pse e vogël, këtë pjesë e kam parë drejtpërdrejt nga skena. Mund të flas sot për vlerat e M. Xh. si aktore, por këto vlera unë i njoha kohë më vonë, prandaj dhe nuk do t’u shkonin përshtypjeve të mia të para.
Sytë e Margarita Xhepës janë të mrekullueshëm. Unë i krahasoj vetëm me sytë e ja shtëzakonshëm të Elizabet Taylor. Këto dy aktore, për mua, kanë sytë më të veçantë në botë.
Kohët e fundit lexova për një rol të ri që ka luajtur M. Xh. rolin e dados së Elektrës në tragjedinë e Sofokliut „Elektra“. Një rol krejtësisht i veçantë, i shprehur vetëm me mimikë dhe pasthirrma, pasi dados ia kanë prerë gjuhën. Nuk e di se si mund të luhet ky rol, por mendoj se një aktore e madhe si M. Xh. mund ta realizojë atë.
Duke u nisur nga ky rol, fryma e artit do të gjallojë në trupin e saj, ashtu sikurse gjalloi gjer në fund, sepse arti skenik dhe M. Xh. janë një.
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
Tiranë, prill 2011
