Në dy udhëkryqe…
Nga një udhëkryq deri te tjetri,
shpirti ëndrrimtar kryqëzohet dy herë.
Nën eklipsin tënd koha tjerr kujtime,
një lëmsh që fillin s’ia gjen.
Kam etje për një copë qiell që largohet,
për horizontin që u fsheh e s’ shihet më.
Në dy udhëkryqe, dy herë njihet bota,
kur vjen dhe kur e lë.
Hej Bibë Doda!
Dole
prej legjendës së vjetër
të malit hijerëndë,
dhe arrite përtej hijes,
kreshnik i zemëruar
me shekullin tënd.
Kohës iu turre ta shqyeje,
e dheun deshe ta digjje
qe besa,
që të dilnin nga hiri
besëlidhja e vjetër,
ëndrra dhe shpresa.
Deshe lirinë ose vdekjen,
lirinë dhe vdekjen
i vure nën krye.
Qe besa,
nuk vdiqe!
Hej, burrë i Dheut,
Ti vdekjen përqeshe
ndër flakë tmerri,
por vdekjen s’e zgjodhe,
ta solli pabesia
e një valiu,
e një të mjeri.
Shpirti yt prej burri
dhé i rëndë,
u ngrit mbi një mal,
e si mal i zemëruar
u ngjit mbi retë,
deri në lartësinë
ku të lëshonte shkreptima,
pastaj zbriti
mbi shkëmbin e pashkelë,
atje ku rriten dafina.