13.9 C
Tiranë
E enjte, 15 Maj 2025

Pena brilante e poetes:Seti Pezaku Vladi

 

Bukuroshja e Durrësit është mozaiku më i lashtë i zbuluar në Shqipëri dhe me vlera te rralla artistike.No photo description available.

Për herë të parë ky mozaik me dimensione 5.1m.×3m. që i përket gjysmës së dytë të shekullit IV para erës sonë u zbulua rastësisht në qendër të Durrësit gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Arkeologu i shquar austriak Camillo Prashnicher u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Prashnicher është i pari që e botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurativ.

Në qendër të dekoracionit është portreti i një gruaje,

ndoshta Aura, shoqëruesja e Artemides e cila qarkohet nga një dekoracion i pasur lulesh.

Më pas mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit. Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologët austriakë Schober dhe Prashnicher në fillim të shekullit të 20-të, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për fat të mire, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker. Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.

Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë.

Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me shumë mjeshtëri.

Mozaiku është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

“”””””””””””””””””””””

OSHTIMË KËNGE

Imazhi mund të përmbajë: qiell dhe jashtë

Njëmijë copash thyhet vështrimi
në atë shteg ku ndizet syri i hënës,
vesa pikon nga yjet që shkrijnë,
atje ku përtërinë sythe rrënja e nënës.
Cicërimë e djegur malli mbeti
stinëve të rrëzuara braktisur çdo mot,
oshtimë kënge me largësi Ilire
me etjen udhëtoi nëpër mjegulla lot.

@seti pezaku vladi

“””””””””””””””””””””””

Bija e ILIRISË

( TEUTA )Imazhi mund të përmbajë: 1 person, duke buzëqeshur, tekst

I thjeshtë piedestali ku ngrihesh statujë,
pa kulla e bedena, sinjale madhështie,
Ti ,legjendë shekujsh me fitore pa bujë,
me jehonë krojesh e plisash Ilirie.
Drini e Buna fytyrën të lanin,
pasqyrë kishe liqenin kaltërsi,
lulet për ty aromën shpërndanin,
se Ti vetê ishe nektar e dashuri.
Nimfë e detit me uniformë ushtare,
Rozafa mbi shkëmb ta shkroi historinë,
me shpatën në dorë,mburoj’ e përkrenare,
nga Dyrrahu i lashtë vështron ILIRINË…
Shikon detin e trazuar ku ti fluturoje,
përpara kishe më të madhen lubi,
mbi valët e errëta e të egra luftoje,
me ulkonjën romake, perandori.
Shikon betejat ku munde Epirin,
dhe Korkyrës flotën në flakë ia dogje,
me neveri shikon Dhimitër faqenxirin,
shiti ILIRINË me tradhëti të pashoqe…
Si oshëtimë malesh, Mbretëresha Teutë ,
në fronin e tretë mbretërove Ti ,
ILIRINË në zemër flamur e vutë,
nga Gjiri i Ambrakisë, Liburnët në veri.
Zemra jote me plagë shtizash gatuar,
me copa deti e qielli Ilirie,
me pllaka çeliku anijesh shkatërruar,
me trumpeta fitoresh e qeshje fëmije.
U gatove me këngët në festat e gëzimt,
me dashuritë e popullit nën lulet e mollës,
me thirrjet mbi dyrekët e anijeve t’luftimit,
me shirat, furtunat e reshjet e dëborës.
Tē rriti ILIRIA me Diell Perēndie,
Ti , yll i largët që ndrin gjithmonë,
një melodi lahute, kreshento simfonie,
je film epope i gjenetikës sonë.

Seti Pezaku Vladi

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.