9.5 C
Tiranë
E premte, 15 Nëntor 2024

Prof.Dr. Murteza OSDAUTAJ : HUMANIZMI, FASHIZMI DHE GJËRAT QË NUK I THOTË DOT POEZIA (Disa pamje të fashizmit kosovar)

 

Prof.Dr. Murteza OSDAUTAJ


Nganjëherë njeriu nuk mund ta thotë mendimin e tij as në një shkrim analitik dhe as përmes poezisë.

 Kjo jo se nuk i sheh gjerat, jo pse ndaj gjerave dhe ngjarjeve nuk ka një mendim të vetin, por nga shkaku se shëmtia e gjërave dhe e ngjarjeve merr kahje të tillë saqë njeriu mbetet pa mjete gjuhësore për ta thënë mendimin e tij.

 Kjo ndoshta mund të jetë përgjigje për disa nga pak lexuesit e mi të fejsbukut të cilët i lexojnë shkrimet e mia.

Nga të gjitha gjërat që më kanë preokupuar në jetën time, dy janë me kryesoret dhe më të rëndësishmet, humanizmi dhe arti. 

Me anë të këtyre dy koncepteve dhe me anë të këtyre dy sjelljeve jam munduar që ta formësojnë të tërë sjelljen e time si njeri dhe si intelektual por edhe kur jam përcaktuar politikisht.

 Ka qene humanizmi ngase kam menduar se njerëzimi s’ka asnjë shans të mbijetesës nëse sjelljen e e tij dhe veprimin e tij nuk e drejton drejt sjelljes që prodhon dhe bazohet mbi humanizmin. Jam orientuar nga arti se kam menduar se nuk ka mjet më të rëndësishëm se arti që, në bashkëveprim me humanizmi, mund ta bëjnë një shoqëri njerëzore të drejt dhe një shtet human.

 Në lidhje me këtë kam qenë aq i djathtë në masën sa kjo politikë krijon zhvillim ekonomik, ndihmon kultivimin e vlerave kulturore të një populli siç janë familja, traditat pozitive dhe liria dhe kam qenë aq i majtë deri në masën sa kjo politikë e ruan barazinë, dinjitetin, mirëqenien dhe ruajtjen e lirisë së të gjithëve në një shoqëri agresive liberale kapitaliste. 

Prandaj derisa, në shumë aspekte jam i djathtë dhe konzervativ kur bëhet fjalë për familjen, kur bëhet fjalë për kulturën, kur bëhet fjalë për identitetin kombëtar dhe kulturor e, në shumë aspekte, sidomos në rregullimin e marrëdhënieve shtet-liri-kapital, kam dalë i majtë dhe vazhdoj të jem i tillë.

A është gabim apo nuk është, këtë s’mund ta them në këtë moment, ndoshta dikush do të më sulmojë, të më dënojë apo të më gjuaj në një tabor politik të djathtë apo të majtë, por e vetmja rrugë që në shoqërinë tonë të ruhet ekuilibri në mes të lirisë, demokracisë së vërtetë, mirëqenies ekonomike dhe zhvillimit të përgjithshëm është kjo që unë mëtoj të jem.

Por humanizmi është vlerë që duhet të mbillet dhe mbi parimet e tij të ndërtohet shteti ynë. Humanizmi pra është vlerë, duhet të behet sjellje, duhet të mbizotërojë në marrëdhëniet tona.

 Dhe duhet të mbizotërojë jo vetëm në momentet e krizës por të jetë i përditshëm në jetën individuale dhe në jetën shoqërore. Por kjo s’ka ndodhur dhe, për çudi s’po ndodhë as në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë.

Përkundrazi. Në shoqërinë tonë, në këtë kohë krize por vërehen sjellje politike, aktivitete politike, veprime politike të cilat s’mund të kenë origjinë mbi vlerat që i përmenda.

 Shoqëria jonë është shndërruar më shumë në një fushëbetejë ku oligarkët politikë dhe ekonomik e ushtrojnë ndikimin e dhe monopolin e tyre. Vendi ynë është shndërruar në fushëbetejë të plaçkitjes së asaj që mund ët plaçkitet. 

Edhe si vlerë materiale, edhe si vlerë morale edhe si vlerë politike. Vendi ynë është bërë skenë e paraqitjes së ekstremeve të djathta e të majta, pra i ekstremeve. 

I urrejtjeve patologjike në mes politikanëve dhe i luftës së shëmtuar politike në mes partive dhe grupeve politike. 

Vendi ynë është bërë terren ku oligarkët ushtrojnë monopolin e tyre ekonomik e financiar, ku këta oligarkë, të ndihmuar nga politikanët apo duke i përfaqësuar ata, duke e shnukur e rrjepur nga varfëria e njerëzve të këtij vendi ia imponojnë atij prodhimet e tyre aspak cilësore, shërbimet e stisura dhe çmimet plaçkitëse.

 Vendi ynë është bërë fushëveprimi i mafiozëve politikë të cilën bëjnë ligje dhe rregulla vetëm që pjesa e oligarkisë ekonomike të mund të pasurohet dhe me këtë të pasurohet edhe shtresa politike. 

Vendi im është vend i gazetarëve analfabetë dhe shërbëtorë të klaneve e klasave politike. 

Vendi im është vend i mediave të shitura apo i mediave qe janë në shitje. është bërë vend ku televizionet ushtrojnë terror politik dhe psikologjik të përditshëm ndaj njerëzve. 


 Vendi im është bërë vend në të cilin analistët politikë, opoinionistët dhe komentatorët politikë, me dijen dhe padijen e tyre, me kast apo me pahirë, mbjellin urrejtje dhe pezëm tek njerëzit e thjeshtë. 

Në vendin tim çdo hajvan mund të bëhet analist dhe opinionist, çdo budalla e përqesh dhe e nënçmon inteligjencën tonë.

Në vendin tim politikanët milionerë dalin dhe shpërndajnë pako ushqimore për varfanjakët e shkretë. 

Biznesmenët mafiozë që vodhën pasurinë e këtij vendi që njëzet vjet promovohen nga televizionet dhe gazetat vetëm pse ndonjë skamnori të mjerë e të pafat ia falin një pako me ushqime që mund t’i zgjasin një javë. 

Në vendin tim politikanët që e mbajtën të lidhur këtë vend për njëzet vjet dhe e plaçkitën ketë vend pa asnjë mëshirë, shumë më keq se serbet që kishin bërë për 100 vjet, dalin dhe, me logot e partive të tyre, shpërndajnë ndihma në fshatrat e veriut thuajse nuk ishin mu këta që e lanë atë pjesë të popullit në harresë dhe në pamëshirën e bandave serbe për njëzet vjet.

Në vendin tim intelektualet dhe akademikët heshtin, s’bëzajnë sepse politika e ka blerë heshtjen e tyre. Intelektualet dhe ‘intelektualët’ janë vënë në shërbim të oligarkëve politike sepse mund të përfitojnë ndonjë tender, se mund ta kryejnë ndonjë magjistraturë, se mund të kishin para për të doktoruar me mëritë e pa meritë. 

Se mund të punojnë në ndonjë pozitë të mirë fitimprurëse apo se mund të zaptojnë shumë e shumë vende pune njëherësh sikur të ishin personazhe filmash me super menin apo me të gjithë superheronjtë e Holivudit. Intelektualët shiten, intelektualet heshtin, intelektualet shtrijnë qafen dhe vihen në mbrojtje të keq bërjes politike se kështu i punësojnë fëmijët, nipat, mbesat, farefisin dhe se kështu, për ta mbuluar padijen e papunën e tyre e tyre shkencore, duke iu sahanlepirur politikës mbesin aktual dhe në trend dhe përfitojnë nga subvencionet dhe paratë e shtetit.

Në vendin tim keqpërdoret dhe shkelet pa pikë dinjiteti, për më shumë se tridhjetë vjet, patriotizmi idealistë i mërgimtarëve tanë. Në emër të këtij idealizmi patriotikë, politikanët tanë mblodhën miliona e miliarda në fondin e 3% dhe në fondin ‘Vendlindja thërret’. Për ta ndihmuar atdheun, në të gjitha fondet për të cilët po flas, unë njoh njerëz që kanë dhënë edhe centin e fundit të familjes së tyre, i kanë dhënë edhe paratë e fshehta që i mbanin vetëm në rast se do të vdisnin e të kishin me çka të ktheheshin në atdhe për tu varrosur në vendlindje. Këto kanë qenë para gjaku, para djerse dhe para vuajtje dhe, po këta politikanë, që bënë politika dhe përcaktojnë fatin tonë e jetën tonë, sot, nuk japin asnjë llogari, bile me këtë temë nuk merret as prokuroria dhe as gjyqësia po ashtu e korruptuar e këtij vendi.
Në vendin tim mund të dënohesh nëse je ‘hajn i pulave’, siç thotë një politikan, por nuk të mungon një qime floku nëse ke plaçkitur, vjedhur e fshehur paratë e këtij populli në bankat zvicerane, në bankat e Qipros, në kompanitë off-shore apo në bojlerët e vilave mbretërore të ndërtuara me paratë e vjedhura të këtij populli të varfër.
Në vendin tim edhe pandemia, edhe shëndeti, edhe varfëria, edhe kriza përdoret për larje hesapesh politike. Në vendin tim të gjithë e shkelin kushtetutën dhe ligjet dhe ët gjithë akuzojnë njeri tjetrin për hajni, vrasje, korrupsion dhe krim të organizuar. Në vendin tim në fund të ditës të gjithë dalin të larë si loti.
Në vendin tim shoh luftëtarë të penduar pse kanë luftuar, në vendin tim shohim luftëtarë të dëshpëruar pse nuk kanë vdekur edh ata si shokët e tyre. Në vendin tim shoh njerëz të ndershëm që janë gjuajtur mënjanë. Në vendin tim, në sytë e njerëzve, shoh dëshpërimin, pashpresën dhe mohimin. Në vendin time s’ka ndonjë politikan që nuk urrehet, s’ka ndonjë politikan që nuk përbuzët nga populli i tij. Në vendin tim nuk gjej vajzë a djalë që nuk i ka bërë valixhet gati që, me mundësinë e parë, do të ikë nga ky vend.
Për një të lexuar normal, që ka shfletuar ndonjë libër për Italinë e Musolinit, për Spanjën e Frankos apo për Gjermaninë e Hitlerit, është e çartë se në Kosovë ka mbirë dhe po kultivohet me kujdes ajo që mbillej dhe kultivohej në vendet që i përmenda. Mjafton ta lexojmë Kanetin, Traverson, Finqestajnin, Ftzin apo ndonjë autor tjetër.
Mjafton t’i lexosh këta dhe pastaj të dëshirosh të arratisesh nga ky vend!
Këto janë gjerat që s’do të doja t’i shkruaja dhe që s’do t’i duronte poezia.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.