11.5 C
Tiranë
E premte, 18 Prill 2025

Prof. Dr. Qemal Lame: Perëndimi përballë Rusisë në krizën e Ukrainës

 

Përqëndrimi i afro 70,000 ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën është demonstrimi ushtarak i dytë këtë vit me përmasa jo të zakonshme: me një sfond të forcës me mesazhe të qarta kërcënuese të gjeopolitikës dhe doktrinës ushtarake ruse. që justifikohet nga Moska për një reagim të mundshëm në rast zgjerimi nga NATO. Ky është modeli klasik i veprimit të politikës së jashtme nga udhëheqja aktuale e Kremlinit. Sesi do të reagohet në të vërtetë varet nga qëndrimi “perëndimor” dhe sa qartë do të komunikohet dhe do të mirëkuptohet nga Rusia! Fakti që Rusia është gati të sulmojë Ukrainën me shpresën e një konflikti të kufizuar nuk mund të përjashtohet. Megjithatë, udhëheqja ruse e ka të qartë se, në rastin e një sulmi ndaj Ukrainës, ajo nuk do të jetë vetëm dhe do të përballet edhe me reagimin e fuqishëm nga Aleanca Perëndimore. Tensionet apo ndërhyrjet ushtarake do të shkaktojnë pasoja në vendin fqinjë dhe do të vendosen vija të reja të kuqe. Nga biseda e Biden me Putin, deklarimi nga NATO dhe nga takimi i ministrave të Jashëm të G-7 është bërë e qartë se SHBA dhe NATO nuk do të dërgojnë ushtri në Ukrainë, por do ta ndihmojnë me armë dhe do të kundërpërgjigjen me sanksione të forta kundër Rusisë.

Demonstrimi i fuqisë ushtarak në kufirin me Ukrainën ka disa motive. Së pari, Ukraina ka rënë viktimë e ndryshimeve gjeopolitike. Nuk mund të anashkalohet qëllimisht fakti se faji i takon kryesisht vetë Rusisë. Megjithatë, në plan të parë dalin interesat e ndryshme gjeopolitike të Aleancës Euroatllantike me atë të Rusisë. Nga njëra anë, Rusia po shtyhet vetëm drejt Ukrainës dhe, nga ana tjetër, është Perëndimi që është vazhdimisht në kërkim të zgjerimit. Pra, mund të jetë interesante për Rusinë të ndryshojë përsëri status quo-në dhe ta kthejë atë në një zgjidhje të përhershme.

Së dyti, struktura e fuqisë ndërkombëtare nuk po zhvendoset në favor të Rusisë. Konflikti vendimtar zhvillohet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Rusia nuk mund të bëhet objekt ose subjekt kryesor i konfliktit, por mund të marri rolin e një ngatërrestari. Ajo është në rreshtin e dytë. Nuk mund të kthehen praktikat e zbatuara në shekullin e 19-të kur fuqitë e forta mbyllin pozicionin e tyre dhe krijojnë zona tampon rreth tyre me “shtete të së drejtës minore”.

Së treti, lindja e Ukrainës, ashtu si Bjellorusia, i përket “Rusisë së vjetër”, zemrës mitike 1000-vjeçare të vetësigurimit kombëtar. Kievi vlerësohet si vendi i shenjtë për gjithë rusët! Perëndimi nuk duhet ta prekë këtë. Sipas interpretimit rus, padyshim ekziston vetëm një e drejtë e kufizuar për vetëvendosje për popujt në fjalë. Kjo ka një cilësi të ndryshme nga pushtimet e mëvonshme koloniale të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik si Kaukazi, Azia Qendrore, Lindja e Largët, Shtetet Baltike.

Së katërti, situata në Rusi është e vështirë. Ajo sundohet nga një regjim gjithnjë e më autoritar. Represioni ndaj gjithçkaje dhe ndaj kujtdo që edhe nga distanca nuk pranohet dhe zbulon rrezikimin e vetë-perceptuar të pushtetit të lidershipit aktual. Në refuzimin e një pjese të madhe të popullsisë për t’u vaksinuar kundër Koronës, shprehet mosbesimi tradicional ndaj “ata atje lart”. Dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se sa i kufizuar është një model ekonomik, deficitet strukturore të të cilit nuk trajtohen me sukses dhe që mbështetet pa pushim në eksportin e lëndëve të para fosile, të cilat do të jenë gjithnjë e më pak të kërkuara.

Së pesti, momenti duket i përshtatshëm. SHBA-ja është kryesisht e preokupuar me zgjerimin e Kinës dhe rrezikun për pushtimin e Tajvanit. Joe Biden përballet me sfida të mëdha politike të brendshme dhe tashmë e ka kthyer shikimin drejt zgjedhjeve të ardhshme të Kongresit dhe ato Presidenciale. Ndoshta pas kësaj do të jetë më e lirë për Rusinë. Evropianët janë sërish në mosmarrëveshje, falë edhe mbështetjes aktive hibride nga Moska. Britanikët janë jashtë bashkësisë evropiane. Populistët e krahut të djathtë në Poloni po e çojnë vendin e tyre në një vetëizolim krejtësisht të çuditshëm dhe me tendenca të shkëputjes nga BE. Presidenti Macron, i cili jo vetëm që ka shkaktuar acarimin e partnerëve të Evropës Qendrore e Lindore me nismën e tij të nxituar për një partneritet të ri me Moskën, po përballet edhe me zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Dhe Angela Merkel është larguar nga pushteti. Ajo dallohej për një qëndrim të gatshëm për dialog, por të vendosur dhe të vendosur në parim. Në fund, ajo dinte se si t’i bënte evropianët të bien dakord për disa polemika rreth kursit drejt Rusisë. Kjo udhëheqje tani mungon në Evropë dhe nuk është e qartë nëse apo sa shpejt një qeveri e re federale do të marrë frenat e veprimit. Në Moskë nuk ka shpresa se qëndrimi i evropianëve ndaj politikave të udhëheqjes ruse mund të jetë më miqësor. Kancelari Scholz jo vetëm që mbështeti kursin e qeverisë së mëparshme federale, por po vazhdon të njejtin kurs për drejtimet themelore.

Neni 5 i Traktatit të NATO-s nuk zbatohet për Ukrainën. Aleanca Transatlantike nuk do të ndërhyjë në një konflikt ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës. Edhe miqtë e supozuar të udhëheqjes ruse si presidenti turk Erdoğan po mbështesin Ukrainën duke ofruar drone me performancë të lartë është mjaft irritues për Moskën. Ministri i Jashtëm turk bëri të qartë në takimin në Bruksel që Ukraina dhe Rusia të ulin retorikën, të qetësohen dhe të dialogojnë.

Siguria evropiane dhe mënjanimi i një përshkallëzimi të një sulmi nga Rusia drejt Ukrainës ka rritur me të drejtë shqetësimet dhe forcimin e bashkëpunimit për qëndrim të përbashkët të qartë dhe vendimtar nga Aleanca Perëndimore. Presidenti Biden nuk la asnjë dyshim për këtë para – dhe sigurisht edhe gjatë – bisedës së tij me Presidentin Putin. Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të rëndësishme të NATO-s dhe BE-së kanë shprehur qëndrimet e tyre në të njëjtën linjë. Koordinimi është i ngushtë dhe i është bërë i qartë edhe Rusisë.

Përshkallëzimi i mundshëm nga Rusia kërkon një përgjigje të qartë dhe vendimtare nga Perëndimi. Eksporti i naftës dhe gazit përbën më shumë se gjysmën e të ardhurave shtetërore të Rusisë. Ekonomia financiare ruse është e varur nga sistemet perëndimore të pagesave. Nuk mund të mohohet edhe nevoja e shteteve perëndimore evropiane, sidomos e Gjermanisë, për gazin rus të nevojshëm për zhvillimin ekonomik dhe ngrohjen e popullit. Nuk vlerësohet si masë efektive as presioni i SHBA dhe Francës për sanksione për ndaljen e tubacionit Pipeline 2 nga Rusia direkt në Gjermani. Tubacioni  është përfunduar dhe kanë ngelur edhe disa procedura të fundit ligjore për t’u vënë në funksionim. Nord Pipeline dhe Tubacioni Jugor që vjen nga Azerbaizhani, nëpërmjet Shqipërisë në Itali, është një zgjidhje strategjike për Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, shqetësimet e udhëheqjes ruse, reale apo të supozuara, duhet të merren seriozisht. Shtetet perëndimore nuk mund të hyjnë në kërkesat e Rusisë për të njohur vijat e saj të kuqe, të cilat janë zhvendosur edhe më parë. Në parim nuk mund të arrihet që t’i mohohet Ukrainës ose Gjeorgjisë të drejtat që perëndimorët, përfshirë Rusinë, i kanë dhënë çdo shteti tjetër në Kartën e Kombeve të Bashkuara ose Aktin Final të Helsinkit.

Ka mjete shumë efektive, përtej masave ushtarake, për ta bërë udhëheqjen ruse të hezitojë për të shkuar më tej. Me rëndësi është deklarimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane të cilat riafirmojnë vendimin se zgjerimi i  NATO-s nuk është aktualisht në rendin e ditës në kuptimin që nuk mund të përjashtohet në parim. Sëbashku mund t’i rikthehen marrëveshjeve të Aktit Themelues NATO-Rusi, i cili përcakton se kush lejohet të vendosë sa dhe cilat njësi trupash në zonën kufitare me tjetrin. Është e nevojshme të ringjallet dialogu NATO-Rusi të rënë dakord atje dhe të përdoren instrumentet e mira të OSBE-së. Mund të organizohen inspektime të ndërsjella dhe të ecet me vendosmëri përpara me bisedimet për çarmatimin që tashmë kanë filluar.

Bashkimi Evropian ka nevojë për një mbrojtje të përbashkët evropiane. Kjo nuk mund të arrihet me zhvillimin e sistemit të armatimeve nga secili shtet anëtar në veçanti. Bashkëpunimi midis Francës dhe Gjermanisë luan rol me rëndësi. SHBA nuk mund të zgjidhi në vazhdimësi të gjitha problemet e mbrojtjes evropiane. Sovraniteti evropian bazohet në potencialet ekonomike dhe ushtarake, aftësinë për bisedime dhe masave për zgjidhjen e konflikteve e parandalimin e tyre.

Putin deklaroi pas bisedës me Biden, se në vitet nëntëdhjetë Rusia ishte në vështirësi dhe ka bërë gabime. Këto nuk do të përsëriten më. Kjo nënkupton ndryshimet pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, shkëputjen e disa republikave dhe orientimin euroatllantik të shteteve të Evropës Lindore. Moska është e nevojshme të nxjerri mësime nga e kaluara dhe të mos ketë nostalgji për t’u rikthyer  në modelin e dështuar të ish Bashkimit Sovjetik. Ajo është me vend të reflektojë për distancimin e saj nga Perëndimi prej 30 vjetëve pas ndryshimeve demokratike në Evropën Lindore. Mendoj se Rusia nuk do të thellojë konfrontimin me Perëndimin dhe nuk do të zgjerojë më tej tensionimin e situatës me një pushtim të mundhshëm të Ukrainës. Putim do të vlerësojë uljen në tavolinën e bisedimeve, zgjidhjet diplomatike në krahasim me ato ushtarake dhe do të parandalojë sanksionet e mëtejshme ekonomike të paralajmëruara nga SHBA, BE, Britania e Madhe, etj.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.