


Kujtojmë Karl Gegën, përmes një vizite në muzeun e tij në Breitenstein të Austrisë.
Në kuadër të udhëtimeve të mija në vendet ku kanë lënë gjurmë personalitetet shqiptare me famë, botërore, kësaj radhe kujtoj, Karl Gegën, inxhinierin e shquar, që u bë i njohur me projektimin e vijës hekurudhore në vargmalet e Semmering-ut në Austri-. Këtë personalitet po kujtojmë dhe nderojmë përmes një vizite në Eisenbahnmuseum in Breitenstein Kalte-Rinne-Staße 45 2673 Breitenstein të Austrisë, muze ky që i është kushtuar gjeniu të quajtur Karl Gega.
Teksti e fotot : Shenasi Aliu
Shpesh herë ju ka rënë ta dëgjoni këtë emër të madh!? Po në të vërtetë kush ishte Karl Gega? Në shtetin e Perandorisë së Habsburgëve (Austriakëve), njihej me emirin CARL RITTER VON GHEGA. Ritter ka kuptimin “kalorës”, pra ai ishte fitues i titullit kalorës për meritat e punës në fushën e inxhinierisë. Unë pata rastin ta vizitoj këtë muze që njihet si muzeu vetëm në Europë të inxhinierit austriak me prindër shqiptar, Karl Gegës dhe aty u vërtetova nga fjalët e ciceronit se edhe vetë austriakët e pranojnë se Karl Gega ishte shqiptar.
Ja edhe pak biografi nga jeta dhe rrugëtimi jetësor i gjeniut shqiptar Karl Gega, që ka lindur më 10 janar 1802 në Venedik të Italisë, kurse ka vdekur në moshën 58 vjeçare, më 14 mars 1860 në Wien (Vjenë) të Austrisë.
Karl Gega njihet si inxhinier austriak, i cili ka projektuar dhe ndërtuar rrugën e parë hekurudhore në vargmalet e Semmering-ut me teren tejet të vështirë, nga qyteti Gloggnitz deri në Mürzzuschlag (Steiermark, Austri). Njëherësh njihet si hekurudha e parë në Europë e ndërtuar në teren malor dhe me dhëmbëzor.
Karl Gega ishte i vetmi djalë i dy prindërve shqiptar, ai kishte edhe tri motra, nuk la pasardhës meqë ishte i përkushtuar pas punës dhe studimeve. Babai i tij ishte Anton Gega i cili ishte oficer marine. Kështu që, i biri i tij Karli mësimet e para i mori në kolegjin ushtarak në të cilin kolegj u dallua në lëndën e matematikës. Kurse në moshën 15 vjeçare mbaroi studimet në Universitetin e Padua-s Itali dhe në moshën 17 vjeçare mori Titullin Doktor i Matematikës, pra ishte gjeni në këtë lami. Pas gjitha këtyre studimeve ai vazhdoi studimet edhe në Angli dhe SHBA në fushën e inxhinierisë.
Ndërkaq lidhur me projektimin e hekurudhës së Semmering-ut, ai ndërtoi 16 ura gjigande me hark për të realizuar tërë projektin dhe sot e kësaj ditë njihet si hekurudha më e bukur dhe më panoramike në tërë Europën. Ai ka bërë që sot populli dhe shteti i Austrisë vazhdojë të krenohet me punën gjigande të këtij gjeniu. Ndër të tjera Karl Gegën e kujtojnë edhe përmes një kartëmonedhe prej 20 Schilingës, ku në njërën anë ishte portreti i inxhinierit dhe në anën tjetër urat e projektit të tij. Ndërsa që edhe një lokomotivë austriake disa vite rresht ka bartur emrin e tij Carl Ghega, shumë herë janë shtypur pulla postare në shtetin e Austrisë me portretin e tij. Por edhe shumë institucione dhe rrugë bartin edhe sot emirin e këtij njeriu të shquar i cili i shërbeu njerëzimit me punën e tij madhore Në qytezën e Semmering-ut gjendet pllaka përkujtimore shumë e bukur kushtuar këtij inxhinieri.
Varri i tij gjendet në Wien në Bezirk-un e parë dhe mendohet se është varri më i bukur i Austrisë, varri gjendet mu përballë Presidencës Austriake, të cilin varr e kam vizituar para ca viteve.
Krejt në fund edhe njëherë duke e përmend vizitën time te muzeu i vetëm në Europë të inxhinierit austriak me prindër shqiptar Karl Gega, ku edhe nga afër u vërtetova nga fjalët e ciceronit se edhe vetë austriakët e pranojnë se Karl Gega ishte me origjinë shqiptare, por fatkeqësisht ne shqiptarët e njohim pak, kështu që unë jam i lumtur që arrita ta njoh edhe më mirë këtë figurë emblematike shqiptare me prejardhje nga Durrësi.