15.5 C
Tiranë
E mërkurë, 21 Maj 2025

Tom Gjokhilaj

BRIKENA LAZRI, jeta dhe krijimtaria
Është lindur në Blinisht të Zadrimës më 23 shkurt
1976. Mësimet e para dhe ato të mesme i mori në
vendlindje dhe pas tyre në Tiranë mbyll studimet
e larta në fakultetin ekonomik dhe diplomohet për
Administrim Biznes.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Pas fakultetit ka punuar në
sektorë të ndryshëm: për 10 vite ka punuar në
postën Shqiptare dhe 10 vite të tjera e në vazhdim
punon në Sigal Uniqa Group Austria. Ka qenë në shkollë të
mesme në vitin 1993 kur Don Antonio shkon në Blinisht. Ka
shërbyr me të si përkthyese, pasi ishte nga të paktët që fliste
italisht. Në vitin 1999 është martuar dhe jeton në Ishull-Lezhe.
Ka 3 fëmijë, tashmë të rritur.
Në jetën e saj, përveç angazhimeve të punës, ajo merret edhe me
shkrime të ndryshme letrare, me përkthime, publicistikë sidomos
me karakter fetar, ndaj, duke qëndruar për një kohë mjaft të gjatë
e angazhuar në këtë drejtim të jetës shoqërore, e ka studiuar dhe
e ka evidentuar jetën e priftit të fshatit të saj, Don Antonio
Sciarra, emisionarit të fesë katolike që ndikoi mjaft dukshëm në
jetën e zonës, sidomos në Komunën e Blinishtit, ku la gjurmë
mjaft të dukshme në jetën e popullatës dhe së fundi shkroi
monografinë me titull: “Dhe shkretëtira do të lulëzojë”, botuar
dhe promovuar në ditën e dhjetëvjetorit të kalimit në amshim të
tij.
Dhe shkretëtira do të lulëzojë, libri i Brikena
Lazrit, i botuar në dhjetor 2022 në përvjetorin
e dhjetë të kalimit në amshim të klerikut Don
Antonio Sciarra, hapet me një dedikim
kushtuar kësaj figure mjaft të dashur për
popullin e Blinishtit dhe më gjerë të Zadrimës,
në atë pjesë ko dora dhe shpirti i tij punoi dhe
shërbeu me devotshmëri për një epokë prej 20-
1
vjeçare. Mes të tjerave, ajo thekson: “Pak kohë para se te vdiste,
Ai u shpall Ipeshkëv Nderi dhe pas vdekjes, prehet në Blinisht të
Zadrimës, aty derdhi gjithë enegjitë e tij, aty ku e deshën, aty ku
e sulmuan, aty ku fali gjithçka kishte, aty ku pati dëshirë që ta
nderonin edhe pas vdekjes.” dhe në kapitullin dedikues që jepet
në formën e një parathënieje ajo, duke folur për vlerën e Don
Antonis thotë: “Ai e bëri të lulëzojë, shkretëtirën që gjeti mes
nesh. Ishte një shkretëtirë besimi, ishte një shkretëtirë e mbarsur
me varfëri, ishte një shkretëtirë e pashpresë.” e po më poshtë
dedukton: “Prej tij besova se Shqiperia, nuk është as e mallkuar
dhe as e harruar prej Zotit; këto gjëra i kemi shpikur ne, për të
justifikuar paaftësinë tonë për t’u ringritur.”
Ky libër vazhdon me kapitullin e parë, të cilin autorja e ka
titulluar: “Aty ku merr fill historia” që e hap me një ekspoze
për gjendjen shëndetësore të Don Antonios në ditët e fundit të
jetës së tij si dhe me një profeci të tijën thënë kolegut të tij aty
pranë shtratit të vdekjes disa ditë para se të kalonte në amshim:
“Me 8 Dhjetor (dita e Zojes se Papërlyer) do të shkoj bashkë me
Zojën.”, një profeci e ndodhur pikë për pikë. Më pas, ajo, me një
digresion mjaft të lehtë, kalon në trajtimin e ngjarjeve duke i
paraqitur në nënkapitullin: “20 vite më parë”, ku trajton
momentet e para të ndryshimeve politike, por edhe duke u shtyrë
edhe në analiza politike e ekonomike dhe më parë se ajo kohë,
në diktaturë. Këtu, pa diskutim që sjell në kujtesë të lexuesit
edhe librin e Don Antonios: “Të kam ëndërruar Shqipëri”, por
edhe kontributin që ai dha që në momentet e para të mbërritjes
së tij në Shqipëri.
Në këtë kapitull, një vend mjaft të rëndësishëm i kushton
edhe për gjendjen e kishës katolike shqiptare, ku mes të tjerave,
që në fillim thekson: “Kleri katolik, pothuajse ishte asgjesuar
plotesisht. Objektet e kultit dhe sidomos kishat, ose ishin
rrënuar ose ishin transformuar në teatro apo në salla lojërash
2
sportive, por edhe në magazina.”, një ekspoze e shkurtër, por
mjaft shteruese, megjithëse analizën e thelluar e pasqyron edhe
më tej mjaft gjerë edhe pas këtyre dy fjalive mjaft koincize. Aty
nuk mungon të paraqesë diçka edhe nga krijimtaria e Don
Antonios duke ekspozuar një poezi të tij shkëputur nga libri i
sipërpërmendur. Gjithashtu, aty nuk mungon të trajtojë edhe
vizitat e Nënë Terezës si dhe të Papa Gjon Palit të II, ku mes të
tjerave shton edhe tekstin e fjalës së tij në vizitën historike në
vitit 1993: “Kjo është një ditë që na e dhuroi Zoti. Ty o popull
fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të
dashur!… Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm
vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqiperi, e tronditur
nga përsekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga
dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit,
dhimbjet dhe shpresën e kombit, duke mbajtur gjallë dhe
sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e
lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson, një vlerë të
përhershme të identitetit autentik shqiptar.”.
Në kapitulin e dytë të titulluar “Përballja me realitetin
Shqiptar”, vazhdon të tregojë për fillimet e ringritjes së kishës
katolike, si dhe fillimet e aktivitetit të Don Antonios. Gjithashtu,
aty jepen edhe përshtypjet e tij të para për popullin e varfër
shqiptar e sidomos të rrethit të Lezhës ku u instalua që në fillim
të herës për të shërbyer deri në vdekjen e tij.
Kapitulli i tretë me titull “Situata në Shqipëri” na paraqet një
ekspoze të gjendjes së Shqipërisë në vitet e para të tranzicionit e
sidomos për zhvillimet e fesë katolike në vitet e para, parë këto
edhe sipas librit të Don Antonios.
Në kapitullin e katërt me titull “Vendosja në Blinisht”, tregon
momentet dhe kushtet e vendosjes së Don Antonis në Blinisht
duke pasqyruar kaosin e gjithanshëm që e kishte kapur fshatin
asokohe, si dhe përpjekjet e disave për ta ruajtur qetësinë dhe
3
rregullin e prishur. Nga ana tjetër, aty pasqyrohet edhe vizioni i
Don Antonios për të shfrytëzuar çdo rast për zhvillimin e jetës e
të kulturës, sidomos ripërtëritjen e traditës së punimit të
veshjeve zadrimore, ndihmesën për ta frenuar emigrimin e të
rinjve, etj. Për këtë të fundit na sjell në vëmendje një thënie të tij
paraqitur tek libri i shkruar po prej tij: “Jam shumë i dëshpëruar
për largimin në masë të të rinjve. Prindërit iu thoshin: “Shkoni,
shkoni!”; nuk më dëgjuan, por unë isha gjithnjë i vëmendshëm
ndaj tyre” dhe në fund e mbyll me një fragment nga intervista e
tij dhënë në Rai tv, shkëputur nga libri “Rrëfimet e një prifti”.
Në kapitullin e pestë na paraqet përpjekjet e Don Antonios për
të depërtuar drejt njerëzve me njohjet e tij, siç ishte rasti me
mjekun e fshatit Gjok Gjokën, sidomos kur merr vesh për
fatkeqësinë që i kishte ndodhur pak kohë më parë se Don
Antonio të shkonte me mision në Blinisht. Gjithashtu, aty
cilësohet puna e tij e madhe për të thithur fonde e ndihma për
njerëzit dhe kishat e zonës që do të ndërtonte aty.
Në kapitullin e gjashtë paraqiten disa nga bashkëpunëtorët e
rrugëtarët e tij në këtë mision e mes të tjarave edhe misionarja
Elsa Del Manso, nga ditari i së cilës shkëput një fragment mjaft
të detajuar për misionin e tyre, për karakteristikat njerëzore që
kishin banorët e zonës që, ndonëse në varfëri të tejskajshme,
prapë shquheshin për shpirtin e tyre bujar, si dhe për vlerat e
mëdha që pati Don Antonio, etj.
Në kapitullin e shtatë paraqet punën e madhe që ky misionar
bëri sidomos me të rinjtë dhe fëmijët, të cilët, të lindur dhe rritur
në një epokë të errët ku besimi fetar, jo vetëm që s’njihej, por
edhe ishte i ndaluar me ligj, nuk kishin njohuritë më elementare
për fenë. Aty, gjithashtu përmenden edhe bashkëpunëtorët më të
ngushtë të tij nga zona me kontributet e tyre në fusha përkatëse
të ndryshme, si dhe fëmijët që më vonë ndoqën shembullin e tij
për t’u vënë plotësisht në shërbim të besimit fetar si misionarë të
4
fesë. Duhet thënë se në këtë kapitull, sidomos, ashtu si edhe në
kapitujt e mëparshëm, ka përdorur shumë foto ilustruese që e
bëjnë më nteresante paraqitjen e detajeve që përshkruhen aty.
Në kapitujt që pasojnë, tek i teti jepet kontributi i Karitasit në
shpërndarjen e ndihmave humanitare si dhe krenaria e banorëve
për ta treguar veten dinjitozë para kësaj gjëje edhe në varfërinë e
tyre të tejskajshme, ndërsa tek kapitulli i nëntë jep detaje për
ndihmat në fonde për ndërtimin dhe rindërtimin e kishave, që së
pari jep detajet e krijimit të Shoqatës së Rindërtimit nga Don
Antonio për të cilin kujton edhe nëpërmjet shënimeve të tij:
“Don Antonio, në librin e tij, thekson:
“Shoqata Rindërtimi, është një organizatë joftitim-prurëse në
shërbim social, sipas ligjeve në fuqi. E themeluar mbi vlerat
ungjillore të vëllazërimit universal, shoqata do të mbledhë besimtarë
dhe jobesimtarë, të gjithë të impenjuar njësoj, në vlerat e
solidaritetit. Stili i saj, dëshirojmë që të jetë bashëkndarja,
pjesëmarrja dhe bashkëpunimi me shqiptarët e territorit të
Zadrimës, që të mund të jetë protagoniste e historisë së saj, e cila
është një histori e vështirë, e fortë dhe ndonjëherë e lidhur ngushtë
me nevojat parësore të egzistences: ushqim, veshje, banesa,
mbijetesë.”” dhe më tej ajo shton: “Kjo shoqatë, do të bëhej
mbështetja më e madhe e Don Antonios, në zbatimin e qindra
projekteve që do të vinin më pas. Përmes saj, do të vinin grupe të
ndryshme me vullnetarë nga Italia; do të shkonin grupet e para nga
Shqiperia për vizita të shkurtra, aktivitete të ndryshme, apo të rinj për
studime; si dhe do të mbështeteshin emigrantët që kishin shkuar me
gomone në Itali, do të ndihmoheshin shumë njerëz nga Shqipëria për
problemet e tyre shëndetesore. Asnjë ankesë apo kërkesë për ndihmë
që i shkonte Don Antonio-s, nuk do të binte në vesh të shurdhër; ai do
të përpiqej me të gjitha mënyrat që të gjente një zgjidhje.” dhe më
poshtë shton: “Ai na befasonte përditë, duke dërguar në Itali, fëmijë
të sëmurë me leuçemi, fëmijë me probleme të poliomelitit, apo me
simptoma të tjera më të rënda, të zgjidhuara me sukses dhe që sot
gëzojnë shëndet të plotë; ose duke sjellë specialistët më të mirë të
5
spitaleve italiane, për të ofruar vizita mjeksore në Blinisht, për të
gjithë banorët e Zadrimës, por edhe nga e gjithë Shqipëria. Kjo
shoqatë, do të ishte baza e Don Antonio-s, nga ku do të nisej për të
sensibilizuar njerëzit dhe bizneset, në të gjithë Italinë, që të ofronin
ndihmën e tyre, qoftë në vlera monetare, në materiale apo edhe si
vullnetarë.” e gjithashtu, diku më poshtë, duke folur për
përpjekjet e tij të fuqishme për bashkëpunëtorë, ajo shton: “Një
prej bashkpunëtorëve më të vlefshëm të tij, ka qenë kirurgu i njohur,
Stefano Marianeschi, i cili punonte në spitalin e Milanos dhe që e ka
ndihmuar don Antonio-n, në dhjetra e dhjetra raste bamirësie, në
mjekimin e shqiptarëve.
Janë kuruar në Itali, mbi njëqind fëmijë me sëmundje të rënda dhe
doktor Marianeschi, e kujton kështu bashkpunimin me Don Antonio-n,
në një interviste të vitit 2014:
“Frekuentoj Shqiperinë, prej më shumë se 20 vjetësh. Në të njëjtën
kohë, kam kryer misione edhe në vende të tjera të Botës. Kur
kthehem, më ndodh që, edhe pse kam konsumuar pushimet për të
kryer këto misione, jam më i karikuar sesa në nisje dhe e bëj më
mirë edhe punën në shtëpi, rritem profesionalisht dhe nga ana
humane. Në çdo rast, kam patur gjithmonë një lidhje të veçantë me
këto udhëtime. Në Shqipëri kam ardhur për shkak të njohjes më
Don Antonio Sciarren, një misionar i aftë “që ta bëjë shkretëtirën të
lulëzojë”. Më vonë, kam bashkëpunuar edhe me don Enzo Zago-n,
gjithashtu efikas. Shikoj që gjatë këtyre viteve, strukturat spitalore
janë përmirësuar, por shërbimi duhet akoma të rritet, duke evituar
zakonin e keq të të kërkuarit para, pacientëve të shkretë”.”
Po aty, duke folur për të tjerë bashkëpunëtorë të Don Antonios
në misionin e tij, flet edhe se si lindi dhe u shkrua libri i tij me
titull: “Të kam ëndërruar Shqipëri”. Po aty ajo publikon letrën,
të cilën ai ia lë si testament njërit prej bashkëpunëtorëve të tij
për ta botuar librin me titull “Të kam ëndërruar Shqipëri”. Për
këtë gjë, ajo nënvizon: “Në letrën e fundit që Don Antonio, i
dërgon atij, me datë 10 nëntor 2012, shkruhet: “I dashur Renato,
(Renato Brukoli (gazetar i mirënjohur në Itali)), po vendos në
6
duart e tua dhe në duart e shërbëtorit të Zotit, shumë të dashur për ne,
Don Tonino Bello, i cili “letër e fjalë”, dinte ta përdorte per
ungjillizimin e ri; këtë përmbledhje të “rrëfimeve” të mia. Jua dorëzoj
juve, që të mund ta korrektoni, për një version përfundimtar, siç mund
ta shikoni të arsyeshme. Po imagjinoj, publikimin për Krishtlindje.
Me konfidencën dhe miqësinë e gjithhashme!
Don Antonio.”” dhe më poshtë jep një përshkrim mjaft të gjatë të
gazetarit italian Renato Brukoli, i cili i bën një portretizim mjaft
të hollësishëm figurës së Don Antonios.
Nuk mund të themi se ky ishte kapitulli më i gjatë i librit të
Brikena Lazrit, por ishte kapitulli ndër më të detajuarit dhe më
të ilustruarit me fakte e dokumenta shkrimore, një pjesë e të
cilave i solla aty në autoktoninë e tyre, siç i ka servirur ajo.
Në kapitujt që vazhdojnë, në disa prej tyre, autorja e kësaj
mongrafie, na njeh me disa figura miqsh e bashkëpunëtorësh të
Don Antoni Sciarrës dhe kryesisht në kapitullin e dhjetë flet për
Renato Cucchiarellin. Për këtë person na kumton se ishin të
lidhur ngushtësisht që herët dhe këtë e shfaq që në fjalët e para
të një interviste që Renato kishte dhënë në vitin 2021 dhe kur
gazetarja e pyet se kush ishtë Don Antonio, ai shprehet duke
nënvizuar: “Me të vërtetë që nuk e di; nëse ishte vëllai im, babai
im, apo djali im; sepse dashuria që kam për të, i tejkalon të treja
këto dimensione.” dhe kështu, autorja, me një digresion të lehtë
hedh dritë në të shkuarën e këtyre dy protagonistëve të librit të
saj ku miqësia e tyre zë fill që nga viti i largët 1974 kur për herë
të parë, gati krejt rastësisht takohen me njëri-tjetrin dhe për të
krijuar atë miqësi të gjatë e të ngushtë, në një bashkëpunim
bamirësie humanitare derisa Don Antonio kalon në amshim.
Kështu, duke vazhduar me paraqitjen e të tjerëve miq e
bashkëpunëtorë të tij, krahas Renatos dhe gruas së tij, Rossanës,
në kapitullin e njëmbëdhjetë përshkruan Gino Milanin dhe
lidhjen e tij të ngushtë me Don Antonin. Edhe ky në një
intervistë në tetor 1997, kur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan
7
po bekohej “Këmbana e Paqes”, krijuar me gëzhoja fishekësh të
mbledhur nga fëmijët e Zadrimës, duke folur për Don Antonin,
ishte shprehur kështu: “Don Antonio, është një njeri që ka besuar
fort si bir i Zotit dhe si meshtar, ka besuar fort se një nga mesazhet
më të mëdha të Ungjillit, është pikërisht Ungjilli i Paqes. Ai, si
meshtar dhe si njeri, gjithmonë, në tridhjetë vitet e meshtarisë në
Itali dhe këto vite në Shqipëri, po bën të mundur, pikërisht këtë gjë,
Ungjillin e Paqes. Është një njeri që, kërkon që të ndërtojë pikërisht
këtë gjë, me lutje, në festa, në punë, nëpërmjet ndërtimit të kësaj
shoqërie. Ka ndryshuar shumë njerëz në Itali dhe vazhdon ta bëjë
akoma këtë gjë, në tokën shqiptare.” e kështu Brikena Lazri
vazhdon të shkruajë aty edhe për figurën e Xhinos, siç e
thërrisnin zadrimorët. Aty na jepet i plotë, gjithashtu edhe
dedikimi i tij për Don Antonin në librin “Rrefimet e nje prifti”.
Kapitullin e dymbëdhjetë ia kushton ndërtimit të kishave në
komunën e Blinishtit e më gjerë. Gjithashtu në këtë kapitull, ajo
ka folur edhe për aktivitetin e gjithanshëm të tij si dhe ndihmat e
dhëna në ngritjen e kulturës dhe traditave të reja, siç ishte ajo e
poçerisë së Krajnit, por edhe krijimi i pemtoreve dhe serave të
vogla nëpër fshatra e sigurimi i fidaneve, por edhe i veglave të
punës bujqësore. Një vend të veçantë aty i kushton edhe njohjes
e promovimit të figurave klerikale zonale, si dhe martirëve të
fesë, rënë gjatë regjimit komunist.
Në kapitullin e trembëdhjetë jep intervistën e ambasadorit të
Italisë në Shqipëri, në atë kohë Paolo Foresti, i cili do të kujtonte
më vonë: “Don Antonio Scarra, ka qenë ndër të parët misionarë që
kam njohur në Shqipëri. Punonte në një vend veçanërisht të
vështirë, në zonën e Zadrimës; dhe prej tij kujtoj entuziazmin dhe
dashurinë që jepte në misionin e tij. Pastaj me fëmijët, ishte i
jashtëzakonshëm. Më ftoi një herë, për të dhënë një përshëndetje si
ambasador i Italisë, për fëmijët e fillores. Ishte një shkollë e
sapondërtuar, e re, moderne, e thjeshtë, por aty kishte gjiçshka. Por,
sidomos, aty ishte motër Elsa, e cila ndihmonte shumë Don Antonion. Dhe unë që arrita në këtë fshat të humbur të Zadrimës, ishte një
8
shtëpize me parafabrikate dhe kur hyra brenda, kishte plot ngjyra,
siç e duan fëmijët dhe ata menjëherë, filluan të këndojnë në kor:
“Erdhi ambasadori!”. Ishte një këngë e vjetër italiane dhe ata të
gjithë këndonin të stonuar por mua, më bëri që të qesh pafund. Që
nga ajo ditë, kam bashkëpunuar shumë me Don Antonio Sciarrën.
Dua të kujtoj, për këtë njeri të jashtëzakonshëm, zemrën e butë,
mëshirën e krishterë që kishte për të gjithë dhe sidomos për të
dobëtit; por edhe qëndrueshmërinë dhe forcën që kishte me të
pushtetshmit. Të pushtetshmëve nuk u falte kurrë asgjë, ndërsa të
varfërve ua falte të gjitha. “. Më tej flet për udhëtimet e para të
grupeve nga Zadrima drejt Italisë si dhe takimet e Don Antonios
me presidentin e kohës Rexhep Mejdani duke cituar mes të
tjerave edhe një pjesë të fjalës së këtij të fundit me rastin e
vendosjes së Këmbanës së Paqes në Tiranë më 1 janar 2001:
“Këmbana e Paqes, bekuar nga Ati i Shenjtë, hyri në territorin
shqiptar, si mishërim i paqes, drejtësisë dhe lumturisë që na pret”.
Në kapitullin e katërmbëdhjetë, duke sjellë në mendje
karakteristikat dalluese dhe të përgjithshme fshat më fshat, flet
për arritjet e ndërtimit të kishave dhe simbolikave të veçanta për
secilin fshat të zonës me kontributin e Don Antonios, por edhe
ndikimin e tij në jetën sociale të çdo fshati, si dhe ngritjen e disa
institucioneve fetare e laike fshat më fshat.
Kapitulli i pesëmbëdhjetë i kushtohet misionit të Motrave në
fshatin Piraj të cilat aty sollën edhe qendrën e fizioterapisë për të
gjithë zonën dhe si e vetmja në rrethin e Lezhës. Aty flitet edhe
për një ngjarje banale, por edhe mjaft të frikshme që u kishte
ndodhur gjatë një grabitjeje me armë nga katër persona nga disa
fshatra të zonës dhe si Don Antonio i kishte falur, ashtu siç
kishte falur edhe Papa Gjon Pali II atentatorin e tij. Më pas flet
edhe për kremtimet e Krishtlindjeve dhe Pashkëve në fshatin
Piraj dhe aty sjell, veç fakteve historike të shtjelluara, edhe disa
foto ilustruese, njërën prej tyre e kam shkëputur dhe vsndosur
aty më poshtë, si një dëshmi autoktone të sjellë nga autorja e
9
kësaj monografie që flet për bekimin e bukës dhe të ushqimeve
të tjera në ditën e Pashkëve.
Bekimi tradicional i bukës e ushqimeve nga fshatarët e Pirajve.
Kapitulli tjetër pasues i kushtohet misionit të Motrave në fshatin
Gjadër. Që në fillim të këtij kapitulli, Brikena Lazri na flet për
vendosjen e tyre në Gjadër duke nënvizuar: “Ne vitin 1995, me 12
Tetor, do vijnë edhe motrat e Gjadrit, nga Kongregata e “Mësueseve të
Përshpirtshme, Venerini”. Në një broshurë të botuar në vitin 2021, me
rastin e 25 vjetorit të misionit në Shqipëri, eprorja e përgjithshme,
Motër Eliana Massimi, kujton: “Gjashtë Janar 1994. Trageti mbërrin
në portin e Durrësit. Ajri i ftohtë i agimit dimëror me shi, më godet në
kuvertë… por, nuk është ai që më bën të dridhem… është ajo që shoh
në mol dhe që më ngrin në vend: një zjarr i vogël, një femijë që ruan
një grumbull rrobash, tre-katër fëmijë të tjerë, vetë në mbathje, që
zhyten në ujërat e akullta e të errëta të detit, duke lypur nga ne
italianët, një lëmoshë prej njëmijë liretash…
Ky ishte takimi im i parë me Shqipërinë dhe ishte një dashuri me
shikim të parë, me krejt popullin shqiptar.
Don Antonio Sciarra, e kishte ftuar Nënën e Përgjithshme, që të
vizitonte misionin e tij në Shqipëri, në mënyrë që të kuptonim
10
urgjencën e pranisë sonë edukative, në atë tokë të plagosur e të varfër.
Motër Marçella Lorenzetti dhe unë, u zgjodhëm për këtë udhëtim,
duke na shoqëruar tre vullnetarë: Fulvio, Alberto e Renato, si dhe me
përkujdesjen amësore të Elsës, jetuam një javë shumë të veçante. Don
Antonio na shoqëroi, që të vizitonim të gjithë fshatrat e misionit, na
magjepsi me liturgjitë e tij aq të vërteta, me afërsinë e tij njerëzorohyjnore me të gjithë, me sytë e tij që shihnin të ardhmen që duhej të
kishte Shqipëria.. .dhe, mbi të gjitha, ai “na lidhi” me Gjadrin,
fshatin me një prani shumë të gjallë të të rinjve, të cilët duhet të
mirëpriteshin, të afroheshin dhe të edukoheshin me zemrën e Roza
Venerini-t.
Përvoja e atyre ditëve, më ndezi një pasion të madh në shpirt;që të
isha atje, pranë të rinjve “tanë” shqiptarë!
Raporti që paraqitëm në Këshillin e Përgjithshëm, ishte aq i ngrohtë
dhe bindës saqë, në verën tjetër, ne ndërtuam një kamp në Gjadër dhe
për Krishtlindje, bëmë një tjetër vizitë me pako dhuratash, me
ushqime dhe veshëmbathje… Në verën pasuese, të vitit 1995, një tjetër
kamp veror me vullnetarë. Më 12 tetor 1995, filloi misioni ynë në
shtëpinë e vogël me parafabrikate, pranë kishës së Shën Jozefi-t.
Guximtare dhe të dashuruara me misionin, Motër Elsitta Chittet,
Motër Enrica Giovannini dhe dy motra të tjera mësuese të
përshpirtshme Filipine, i dhanë formë pranisë tonë në tokën shqiptare
në Gjadër.
Pjesa tjetër është histori…
Jam e sigurtë se nga qielli, të jashtëzakonshmit dhe të paharrueshmit
tanë, Don Antonio Sciarra dhe Motër Rita Sisti, vazhdojnë ta bekojnë,
ta ruajnë dhe ta shoqërojnë me kujdes, të tashmen dhe të ardhmen e
“Zadrimës së tyre dhe tones”.
Më poshtë vazhdon me paraqitjen e disa shënime ditari, mbajtur
nga vetë Motrat e Gjadrit, si dhe deduksionet e saj për atë kohë e
përiudhë të vështirë e të errët që solli 1997-ta. Krahas atij ditari
kronikal të paraqitur në këtë kapitull, bashkangjitur jep edhe dy
letra falënderimi nga disa prej vajzave që bashkëpunuan me ato,
por aty janë zgjedhur veç të Alida Filipit, që u angazhua dhe
punoi shumë me motrat; si dhe të Motër Arta Sulit, e para vajzë
11
shqiptare që iu bashkua kësaj kongregate. Gjithashtu, si në çdo
kapitull tjetër edhe këtu sjell mjaft foto ilustruese.
Në kaptullin e shtatëmbëdhjetë u rikthehet edhe një herë tjetër
të gjitha gjurmëve që la Don Antonioja gjithandej duke ndërtuar
vepra të ndryshme që nga Lezha deri në Tropojë e Pukë.
Kapitullin e tetëmbëdhjetë ia kushton ngritjes së monumeteve
të martirëve. Pyetjes provakative të një gazetari, ai i përgjigjet
me këto fjalë mjaft shpjeguese: “Shqipëria ka duruar për 500 vjet
sundimin turk, pastaj diktaturën komuniste. Kishte varfëri kulturore.
Kishte nevojë që t’i jepej vendit një shenjë e një historie më të bukur,
të ndryshme nga ajo e Danjel Dajanit, një jezuiti 39-vjecar, rektor i
seminarit dhe njeri i kulturës,i pushkatuar nga rregjimi.
Në fshatin e tij, donim të bënim që të kuptohej që, nuk kishte vetëm një
realitet pasiv, por kishte njerëz që kishin patur kurajo. Prandaj, të
ngrihej një monument në fshatin e tij të lindjes për këtë të kushtuar
ndaj fesë, i cili u vra sepse besonte në Zot dhe në demokraci; ka qenë
një mirënjohje ndaj martirit, por edhe një shenjë e dukshme që do të
mbetej në kohë, si simbol i besimit dhe i kulturës, përkundër dhunës së
diktaturës.
Misionari mund ta zhvillojë shërbimin e tij në shumë menyra, duke
mbajtur parasysh edhe predispozitat e brendshme dhe të historisë së
komunitetit në të cilin punon. Ka meshtarë që përpiqen ta barazojnë
jetën e tyre me atë të komunitetit ku operojnë; prandaj banesat e tyre
janë modeste, ushqimet janë të pakta, heqin dorë nga mjetet
personale të transportit, etj. Njerëzit e vënë re faktin që po ulesh në
nivelin e tyre, duke u munduar që të paraqitesh si misionar me Jezusin
e Ungjillit: të varfër, punëtor, që ecën në këmbë, mësues jete.
Një tjetër zgjedhje e mundshme, konsiston në nxjerrjen nga historia e
burimeve që promovojnë popullin e ndërtimin e një të ardhmeje më të
mirë, duke propozuar sipas kontekstit, marrëdhënie në fushën e
shëndetesore, kulturore, bujqësore, sipas prioriteteve dhe mundësive.
Misioni Danjel Dajani, është orientuar që në fillim drejt kësaj qasjes
së dytë, duke e quajtur “Rindërtim”, punën e gjatë e me durim që na
pret përpara….”.
12
Kapitullin e nëtëmbëdhjetë ia kushton vajzave zadrimore, por
edhe nga krahinat e tjera të vendit të humbura gjatë tranzicionit
të vështirë që po kalonte Shqipëria. Që në fillim na jepet një
deduksion nga ana e saj pse trafikoheshin shumë vajza shqiptare
asokohe duke sjellë si shkak kushtet e rënda të jetës shoqërore të
fëmijëve në diktaturë, por edhe më pas. Aty, përveç një historie
mjaft të trishtë të një vajze të trafikuar, jep edhe një fragment
nga libri i Don Antonios “Rrëfimet e një Prifti” që flet pikërisht
për këtë plagë të rëndë të shoqërisë shqiptare.
Në kapitullin e njëzetë na sjell në mendje kontributin e disa
prej shoqatave italiane si dhe të Don Antonios që arriti t’i ofrojë
ata drejt Shqipërisë e Zadrimës në veçanti. Aty uk mungon të
sjellë në mendje edhe ndonjë incident të vogël të ndonjërit prej
tyre, si dhe të parandalimit të ndonjë mashtrimi që vinte edhe në
emër të misioneve.
Në kapitullin njëzetë e
një na jep lidhjen e saj
personale me misionin dhe
me punën si përkthyese
duke e shoqëruar edhe me
një foto që po e shikoni aty
në të majtë.
Më pas, në kapitujt e tjerë
me radhë na paraqet të
dhëna të tjera. Kështu, në kapitullin pasues na jep përshtypje nga
personalitete të ndryshme që e njohën dhe bashkëpunuan me
Don Antonion.
Në kapituj të tjerë detajon shënimet e saj për mjaft tema si:
interesimi i Don Antonis për Dioqezën e Sapës; problemet që
solli viti i mbrapsht 1997 dhe në vazhdim; roli dhe vizitat e
Presidentit Mejdani në Blinisht e Zadrimë si dhe Presidenti
Scalfaro; Ngjarjet që kulmuan me Luftën e Kosovës, si dhe
13
historia e Lavdijes, një vajzë e vogël kosovare, apo historia, sa e
dhimbshme, aq heroike e nënës kosovare që i ishin vrarë tre
djemtë e saj në luftë, akti burrëror i shkodranit që ndaloi
muzikën në dasmën e vajzës së tij, si dhe veprimi mjaft sublim
të asaj nëne që la mënjanë mortin e djemve të saj të vrarë dhe
urdhëron të rifillojë kënga e muzika; Shënimet e Don Antonios
për kampin në Krajën; Dëshmi për Don Antonion dhe punën e tij
me refugjatët; Dëshmi të priftërinjve të tjerë; Dëshmi të
vullnetarëve dhe të refugjatëve; Analiza me titull: “Sapa,
dioqezë më vete”; Inagurimet e kishave dhe veprave sociale;
Sëmundja fatale e Don Antonios dhe së fundi kalimi i tij në
amshim dhe ceremonia e funeralit të tij.
Megjithëse aty-këtu nëpër kapituj të ndryshëm duket sikur i
kthehet e rikthehet të njëjtës temë, përsëri mund të themi se ajo
prapë sjell elemente të reja dhe aspak përsëritje të rëndomta. Po
kështu secilën tematikë e kapitull e shoqëron me foto ilustruese
e dokumente konkrete sipas rastit.
Si konkluzion i përgjithshëm mund të themi se Brikena Lazri në
trajtimin e jetës dhe të veprimtarisë së Don Antonio Sciarrës në
këtë monografi, ka sjellë mjaft detaje të hollësishme e mjaft
interesante që e mbajnë lexuesin të lidhur pashkëputshmërisht
pas leximit të këtij libri mjaft interesant. Po kështu, përveç
fakteve të shumta dhe të larmishme që ka parashtruar, aty ka
përdorur një gjuhë mjaft të zhdërvjelltë dhe me një frazë aspak
të lodhshme për lexuesin. Edhe fotot e ndryshme ilustruese janë
përdorur me mjaft efikasitet dhe, jo vetëm që i shërbejnë
mendimit të shprehur si ilustrim, por e bëjnë më interesant këtë
libër të mirëdetajuar. Ngjarjet që shpesh zënë vendin e analizave
e deduksioneve, i japin kolorit dhe shije letrare mjaft të
këndshëm kësaj monografie dhe e mbajnë lexuesin të mbërthyer
pas leximit.
Kjo monografi e Brikena Lazrit ka vlera të veçanta për lexuesin
14
e saj, pasi, jo vetëm e njeh atë me jetën dhe veprat e një
kampioni të vetmohimit në shërbim të njerëzve në nevojë, të një
atleti në ringritjen nga gërmadhat të besimit fetar dhe të kishës
katolike në disa fshatra të Zadrimës, por i jep frymëzim përmes
një shembulli të shkelqyer të një njeriu vullnetpathyer dhe kurrë
të lodhur e të padorëzuar para asnjë vështirësie, njeriut arkitekt
të organizimit të shoqatave bamirëse dhe thithjen e fondeve të
ndryshme për t’i vënë në shërbim të nevojave imediate që kishte
shoqëria shqiptare në përgjithësi e ajo e Zadrimës në veçanti.
Kjo monografi është një frymëzim më vete për ata që e kanë një
mundësi për ta ndjekur rrugën mjaft të lavdishme që pati Don
Antonio Sciarra këndej e andej detit.
Nga ana tjetër mund të themi se kjo nuk është një monografi e
thjeshtë, por një vepër historiko-letrare që shtrihet dhe detajohet,
jo vetëm përmes disa të dhënave rreth jetës dhe veprave të një
personi të veçantë, por na sjell edhe mjaft ngjarje që kanë e
s’kanë lidhje direkte me protagonistin e kësaj monografie. Ajo
ka prodhuar aty edhe mjaft deduksione ilustruese për gjendjen e
popullit shqiptar në përgjithësi dhe të Zadrimës në veçanti duke
sjellë aty mjaft të dhëna historike, politike e shoqërore, ashtu si
edhe ngjarje të ndryshme mjaft prekëse e shumë domethënëse.
Vlerat e kësaj monografie janë të pamohueshme, ndaj ia vlen të
lexohet në çdo germë të saj.
Tom Gjokhilaj, Londër, dhjetor 2022

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.