SHKALLË DHE ASHENSORË TË “BORGJEZËVE TË RINJ”
Dy rrëfenja
Jeta kalon mes kujtimesh, ngjarjesh që kanë gjithnjë një kohë të vetme gramatikore, kohën e shkuar. Me “Na ishte një herë…” nuk fillojnë vetëm përrallat për fëmijë por edhe ndodhi të jetuara e të treguara. Ndodhitë që po përcjell më poshtë hyjnë mes dy formave, të jetuara dhe të treguara, në vetën e parë apo në vetat e tjera të zgjedhimit të foljes ndihmëse “jam“ dhe “kam” …
DYQAN RROBASH NË RRUGËN ATHINAS…
Nuk e di pse, sa herë kaloj bulevardit Athinas ku gëlojnë si milingonat në hyrje të folesë dyqane të të gjitha llojeve e ngjyrave, këmbët, për disa sekonda, më ndalen tek një dyqan i madh rrobash të gatshme e mendimi ndalet e kullot në kohë të shkuara…
…Kisha arritur më në fund ta bashkoj familjen e ndarë në dysh dhe me ato pak punë që gjenim herë pas here, pasi kishim paguar qiranë, dritat, telefonin, ushqimin e të tjera vogëlsira kishim vënë mënjanë pak para dhe gruaja këmbëngulte që ta lija “për punë“ kostumin tim të qepur sipas modelit shqiptar mbi një copë leshi të kombinatit të tekstilit të Tiranës dhe të bleja një kostum të ri në udhëtimin e parë drejt Shqipërisë. Ishte vjeshta e vitit 1997 dhe falë një premtimi për vizë kthimi do të udhëtoja për në Shqipëri. Ende nuk ishte bërë legalizimi, madje në atë vit me shumë njolla të zeza mbi emrin e Shqipërisë “dele në shtrungë” njiheshim.
I ramë rreth e qark Omonies në kërkim të ndonjë dyqani rrobash të gatshme “të mira e të lira” (dyqanet firmato i kaluam pa u hedhë sy) deri sa një burrë që luante tek dera edhe rolin e Cerberit edhe atë të Ciceronit na futi brenda e na “dorëzoi“ tek një njeri që ngjante si dy pika uji me të i cili do të na prezantohej si i vëllai i tij. Burri na e “hodhi“ tërë dyqanin nën këmbë, na shëtiti në katin përdhes e në katin e dytë, na futi në magazinë e na rekomandoi ngjyrat dhe modelet më të mira. Me thënë të drejtën rrobat ishin me moshë goxha të vjetër e të modeleve që u kishte kaluar me kohë moda. E kush pyeste asokohe për modele e për modë. Shqipëria ishte e zhveshur lakuriq nga skamja dhe varfëria që kishte pllakosur e rrobat që vinin nga jashtë, të grumbulluara nga kishat apo të falura nga plaka zemërbuta ishin luks. Lere pastaj vitin që kishte kaluar, shkatërrimet e djegiet, vrasjet e bandat të cilat kishin shkulur rrënjët e gjithçkaje që ishte bërë me djersë dhe gjakun e një populli të tërë, shkulje e djegie të cilat na i kishin dhënë me flesh e me bollëk mediet vizive e të shkruara greke, nga mëngjesi në mëngjes, në figurë e në sinkron.
Kur thuajse e kishim zgjedhur kostumin, shitësi, pasi e mori vesh se jemi shqiptarë, falë arvanitishtes së të parëve të tij, për mburrje e krenari, nën zë më tha se në dyqanin e tij kishte ardhur e kishte blerë kostum vetë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Për të qenë i besueshëm për ata që tha hapi një sirtar dhe më vuri para fytyrës vetë kartëvizitën e kryetarit, me emër e mbiemër e me numër telefoni të zyrës së tij. Asokohe ende në Shqipëri nuk kishte telefona celularë, madje as edhe nuk flitej as si kuriozitet shkencor në medien e shkruar e vizive…
Ia lash kujtesës këtë fakt pa llogaritur se ajo do të zgjonte e grumbullonte të tjera fakte të kësaj natyre një pjesë të të cilëve po i “ shpraz “ siç shprazen patatet nga thesi e pluhuri i mbartur nga toka të largëta, të zë hundën e të formon një cipë balte mbi fytyrën e djersitur…
NJË MINISTËR QË LYP
…Një miku im i emigracionit, ikanak i viteve të trishta shqiptare, njeri që kishte fiksuar në kujtesë jo thjeshtë rrjedhën por tallazet e emigrimit shqiptar, një ditë, në kafenenë e vogël në Likurgu 9 ku aso kohe mblidheshin shqiptarët më tregoi një ngjarje që e kishte vrarë si njeri dhe ia kishte ulur kokën si shqiptar.
…Kisha mall të madh për vendin që kisha tridhjetë vjet që e kisha lënë ndaj nuk lija takim e tubim shqiptarësh pa shkuar, tregon ai. Një ditë mësova se një ministër i ri shqiptar do të jepte një konferencë shtypi dhe do t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Shkova i malluar dhe bëra vend në një nga radhët e para. Ministri, një djalë i ri, simpatik, veshur me një kostum të dalë boje tha e çfarë nuk tha për Shqipërinë duke e nxirë dhe e bërë sterrë sikur ajo të ishte “e zeza e Afrikës më të zezë“ të të gjitha kohëve. Këto do t’i kapërdija siç kapërdin fëmija ilaçin e hidhur dhe do t’i harroja sikur ai, në fund, për tu dhënë ngjyrë vetjake të gjitha atyre që tha, të mos kishte deklaruar: “Ja shikoni mua, një njeri me arsim universitar dhe me një formim intelektual të lartë, si jam veshur. Ky është i vetmi kostum imi. Në shtëpinë time me dy dhoma e një kuzhinë, nuk kam as televizor me ngjyra, as frigorifer, as lavatriçe. Regjimi diktatorial nuk na lejonte që t’i kishim…”. U befasova nga deklarata dhe ula kokën sa nuk preka dyshemenë. Në atë moment doja që as të shikoja dhe as të më shikonte njeri, për herë të parë e ndjeva veten kokulur si shqiptar. Çfarë fliste ky njeri, ky ministër ? Pse e ulëte kaq poshtë veten dhe vendin e tij? Pse ma vriste kaq egërsisht kujtimin dhe mallin për vendin tim?…
Gazetarët, hiletë e të cilëve unë i njoh fare mirë, pasi i bënë disa pyetje provokuese ia lanë fjalën më të moshuarit prej tyre. Ai u ngrit dhe deklaroi se ata si shoqatë e gazetarëve, do ta ndihmonin Shqipërinë…
Dhe cila ishte ndihma, do të thuash ti, më pyeti miku im i vjetër. Të nesërmen, me paratë e mbledhura nga njeri tjetri, ata e përcollën ministrin shqiptar duke i dhënë pas një televizor me ngjyra, një frigorifer, një lavatriçe dhe dy kostume me të gjitha veshjet nga këmbët tek koka…”
KËPUCË PËR DEPUTETIN
Asokohe isha punëtor në një dyqan të madh këpucësh popullore, nga ai lloj këpucësh që matej me kilogram e vinte nga magazina italiane e turke të dala mode. Në atë dyqan, (fjala është për vitet pas katrahurës shqiptare), vinin shumë emigrantë dhe njerëz që qesja e tyre nuk i nxinte këpucët firmato…
Një ditë aty hyri, i shoqëruar nga një emigrant, edhe një djalë i ri, i pashëm, i ndrojtur. Emigranti i cili më njihte falë ardhjes herë pas here për të blerë ndonjë palë atletike, por edhe për të shoqëruar shokët e tij, më tha se personi që shoqëronte ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkonte të blinte një palë këpucë të mira dhe të lira, për vete dhe për gruan e tij.
U gëzova, siç gëzohen fëmijët nga një lodër e bukur, e ndjeva veten krenarë që kisha fatin t’i shërbeja një njeriu të madh. Shkova dhe i thashë pronarit i cili erdhi dhe pasi komunikoi nëpërmjet meje me të në gjuhën e vendit më tha se gjithë dyqani i tij ishte në dispozicion për të zgjedhur çfarë të dojë.
E shëtita deputetin në të dy katet e dyqanit të madh të këpucëve, i zbrita nga raftet të gjitha modelet dhe ngjyrat për burra dhe gra, e vura t’i provojë një nga një…
Më në fund, pas ndonjë ore shëtitje e provash, zgjodhi një palë këpucë për vete dhe një palë për gruan.
Shkuam tek arka, paraqitëm këpucët në kuti dhe prisnim të paguanim dhe të merrnim faturën.
Pronari që na kishte ndjekur dhe me sa duket kishte rrëmuar në këpucët e provuara u shfaq para nesh me një qeskë transparente ku dukeshin dy kuti me këpucë të një firme të njohur italiane. “Këto i keni nga magazina jonë, dhuratë për ju dhe për gruan tuaj. Është nder për mua që erdhët dhe më nderuat …”
Ndërkohë arkëtarja kishte pre faturën. E mora në dorë dhe, njohës i çmimeve të këpucëve, pashë që klientit të ri i ishte bërë një zbritje prej pesëdhjetë përqindësh…
* * *
Tregimtarët e mësipërm m’i dhanë emrat dhe mbiemrat e heronjve të këtyre radhëve. Nuk po i them se kush janë dhe çfarë postesh kanë marrë në ngjitjet në piramidat e shtetit dhe të pushtetit. Lexuesi, po t’i dojë ata le të lexojë gazetat e ditëve të fundit, emrat e “Borgjezëve të rinj“ që shtypi shqiptar, pas deklaratës së bujshme të kryeministrit Berisha se ata do të paguajnë një për një pronat e uzurpuara në bregdetin shqiptar, i ka bërë publikë, të djathtë dhe të majtë, pa dallim.
“Lypja ka faqen e zezë, thotë populli, por nuk të lë pa gjë“
Ata u ngjitën në piedestalin e “borgjezit të ri“ nga shkallët e “lypjes“ në “ashensorët“ e zhvatjes.
Ata nuk kishin këpucë, kostum, televizor me ngjyra (si unë dhe ti) dhe kanë prona të mëdha, mercedesë e vila (jo si unë e ti)…
ABDURAHIM ASHIKU
Athinë, 1998