25.5 C
Tiranë
E hënë, 20 Maj 2024

Aida Jolla

Atë natë me datë 26 tetor

Hëna ndriçonte si sonte vezullim

Zoti shkëputi një yll e ma vendosi në kraharor

Lindi një dritë dielli, ishte biri im

Ishte ditë e mërkurë, si emër planeti
Edhe këtë vit keshtu të ra për fat
Me drita lumturie u mbush i gjith qyteti
Se ti më fale botën, dhe kaq ishte pak
Ti je planeti im i mirësisë, planeti mërkur
Ku bota dhe jeta është e gjitha dashuri
Pranë teje unë e mërzitur nuk do jem kurrë
Se ti më fal një qiell me lumturi
Vitet ikën pa u ndier,dhe ti u rrite Gresi im
Tashmë, nga një fëmi i vogël më je bërë si shok
Po fëmi do mbetesh gjithmonë në shpirtin tim
Si ateher biri im, si atëherë, edhe sot.
Të uroj vetëm shendet e lumturi
Drita e syve të mi
E suksese në shkollë i shtrenjti im Gresi.
Me dashuri të përjetshme
Mami Aida.

26 tetor 2022.

“”””””””””””””””””””””

Pershendetje nga zemra të gjithëve, sot doli në dritë, libri im i parë me poezi,”Dielli dhe Hëna “.
Botuar në Kosovë, në qytetin e bukur të Prishtinës, nga shtëpia e njohur botuese “Lena Graphic”
Dhe gjej rastin ta falënderoj nga zemra, dhe ndjehem shumë e lumtur, që libri im është botuar në Kosovë, Prishtinë.
Falënderim special,shkon për mësuesin, redaktorin,korrektuesin, Naim Nuredini, që mori përsipër librin tim, dhe jo vetëm kaq, po më dha shumë kurajo e mbeshtetje që unë të shkruaja e të botoja librin tim,kështu arrita të realizoj ëndërrën time feminore. Do ti jem mirënjohëse gjithë jetën, jo vetëm për punën e shkëlqyer e të palodhur që ka bërë, po dhe për këshillat e studimet që më ka dhënë herë pas here. I uroj shendet e gjithë te mirat familjarisht.
Një falënderim tjetër special, shkon dhe për mësuesit e mi, që i gjeta mbas shumë vitesh. Rita Shani,dhe Emin Kuqja, kanë qënë të parët që zbuluan shpirtin tim poetik,e me dashurinë e tyre prindërore, më dhanë gjithmonë kurajo, do ju jem mirënjohëse gjithë jetën, dhe jua them publikisht që i dua shumë.
Falënderoj zotin që ma dha këtë virtyt për të shkruar që në vegjeli, prindërit e mi, motër Margarita, që më japin dritë që nga qielli, Stefano Spelta, që i mungojnë këmbët, por ka një zemër që buron vetëm mirësi. Falënderoj nga zemra birin tim të shtrenjtë Gresi, që është frymëzimi i parë për mua, është poezia vetë.
Falënderoj nga zemra, profesorin Neshet Cake, bashkë me bashkëshorten e tij mësuese Vjollca, që më kanë lexuar e mbeshtur gjithmonë,
Profesorin Kujtim Xhebexhiu, për këshillat e kurajon e tij, e të gjithë mësuesit e profesorët e tjerë që më kanë mbështetur në krijimtarinë time, gjithashtu falëndëroj nga zemra të gjithë ju miqtë e mi të mrekullueshëm që më keni lexuar e mbështetur për të ecur përpara.
Unë kam lindur, jam, e do vdes një vajzë e thjeshtë,duke i dashur gjithë njerzit, kurrë skam kërkuar famë, kam realizuar ëndrrën time, kam derdhur dashurinë time, për të tjerët e do ta bëj gjithmonë këtë gjë, deri sa të kem frymë. Sidomos për ata që kanë nevojë. Qofsha dritë dielli, dritë hëne, për të gjithë njerzinë.
Ju dua shumë të gjithëve .
Aida!Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
27 Qershor 2022.
PARATHËNIE!
Sa bukur bashkëjetojnë, bashkëveprojnë, si dhe personifikojnë Dielli dhe Hëna, nënën dhe djalin e saj në veprën poetike “DIELLI DHE HËNA” të poetes me një diapazon të gjerë tematik e artistik, AIDA JOLLA.
Më ka rënë të lexoj e të shijoj shumë krijime në poezi e në prozë nga shumë autorë e autore shqiptare dhe të huaj, po te asnjëri dhe asnjëra nuk më ka rastisur të shoh kaq të lidhur autorin/autoren dhe krijimet e saj sa te poetja e re dhe e talentuar, me një buzëqeshje të brishtë, të ëmbël, të sinqertë dhe finike, AIDA JOLLA, në veprën e parë të saj me titull shumë domethënës “DIELLI DHE HËNA”.
Në këtë vepër autorja ka shkrirë jetën e saj me të mirat dhe me vështirësitë që kanë përcjellur në rrugëtimin e saj shpesh me sakrifica të mëdha, por poetja i ka kaluar me durimin dhe dashurinë e madhe për jetën dhe njerëzit e afërm të saj.
Poetja është kacafytur me jetën, e ka përjetuar jetën dhe e ka jetuar jetën në një formë vetanake, universale dhe unike me të mirat dhe sfidat që di të na i dhurojë vetëm jeta: “Bërtisja e vrapoja si një zog i lirë,/Dhe vargjet e shpirtit i shkruaja në rërë./Qeshja si e çmendur në tokë e shtrirë,/E dehur, e lumtur sikur të kisha pirë verë”. Prandaj, poezitë e saj janë të gjithanshme, me tema nga më të ndryshmet dhe të cilat kanë lënë në një mënyrë ose tjetër gjurmë të pashlyeshme në jetën e saj dhe përmes vargjeve të organizuara dhe të strukturuara shkëlqyeshëm edhe në krijimtarinë letrare të saj, që është e pasur, mjaft interesante dhe tërheqëse për çdo lexues.
Tri janë temat qëndrore që poetja u ka thurur vargje zemre, shpirti dhe ndjesie: DASHURIA, ATDHEU DHE FAMILJA ME MIQËSINË MË TË NGUSHTË, por ajo në këtë përmbledhje ka trajtuar edhe tema tjera shumëdimensionale, që autoren e ngritin në një nivel të lartë artistik.
Dashuria, si një temë e pakalueshme e çdo krijuesi, është lëvruar dhe stalitur me emocione, me ndjenja dhe me virtutshmëri, si në poezitë: “Valë zemre”, “Ëndrrat mos m’i prekni!”, “Dashuri ëmbla”, “M’i shtrëngo duart!” etj.
Për poeten dashuria është e ëmbël si frutat e pjekura të vjeshtës, si mjalti në koshere, kur ajo hyn në zemër: “Sa e dua diellin e mëngjesit,/Më vjen si koshere bletësh e ëmbël,/Më shëron dhimbjen e më largon stresin,/Kur më ulet ngrohtë në timen zemër”. Ose në vargjet: “Sikur frutat e ëmbla që ka vjeshta,/Dashurinë të tillë ashtu e desha./Ta mbjellë te shpirti im i lirë,/E të rritet si një frut i mirë”. Dashuria për poeten është e përhershme, nuk ka stinë e as kohë të caktuar: “Nuk ka vetëm katër stinë të vitit,/Dashuria nuk ka numra./A numërohen vallë frymëmarrjet e shpirtit!/Sa të tilla na kanë bërë të lumtura?!”. Poetja përveç në vargje dashurinë e gdhend në gurë, për të mos u fshirë kurrë dhe nuk e shkruan në rërë për ta fshirë vala e parë e detit, sepse ajo dashuron çmendurisht, pa ngrindje, pa inate: “Jeta është shumë e shkurtër, i shtrenjti im!/Për t’u grindur e për të mbajtur inate./Hape zemrën tënde e shiko shpirtin tim!/Të do si një fëmijë pa mëkate”.
Një dashuri tjetër, po aq e fuqishme e fëmijërisë, e rinisë dhe tash e mërgimit është dashuria për atdheun, Shqipërinë, larg të cilit jeton si mërgimtare, jo me dëshirën e saj, por për shumë arsye tjera që ju do t’i lexoni në vargjet e saj mjaft emocionuese dhe ndjesore: “O flamuri ynë i bukur!”, “Gjithmonë të bashkuar”, “Kosovë, të kam në zemër!”etj. Në këto poezi ndjesore poetja artikulon me fuqinë e vargut emocional mallin, trashëgiminë, kujtimet fëmijërore, shkollore, rinore dhe të pjekurisë, sidomos tash kur është larg tij, në megrim. Në vargjet e poezisë “O FLAMURI YNË I BUKUR!”, autorja e ndien në zemër atdheun përmes flamurit: “O flamuri i kuq si gjaku!/Si lulekuqet në lëndinë,/Na bashkon prej së largu,/Na sjell, në zemër Shqipërinë”.
Poetja Aida Jolla nuk i këndon me dashurinë dhe mallin e një mërgimtareje vetëm Shqipërisë, por edhe trojeve tjera të banuara me shqiptarë, e sidomos Kosovës heroike, ku do të botoj edhe librin e saj të parë në shenjë respekti për gjakun e derdhur dhe sarificën e popullit të saj për liri dhe pavarësi, prandaj në poezitë e saj ka skalitur si diamante vargjet: “Kosovë të kam në zemër,/Te ti po e botoj librin tim të parë!/Ti po më realizon një ëndërr,/Si shpirti yt i bardhë”.
Të fuqishme emocionalisht janë edhe vargjet që i ka kushtuar vendlindjes autorja, Lukanit, duke qëndisur në to natyrën e fshatit, lojën e fëmijëve, cicërrimën e zogjve, barin e njomë, lulet erëmira e shumëngjyrëshe, traditat, mikpritjen, historitë dhe përrallat që kishte dëgjuar nga gjyshërit dhe prindërit: “Kam shumë dashuri për fshatin tim, Lukan./Atje ku u linda dhe u rrita, mes natyrës e zallit,/Ku pashë për herë të parë, gjyshërit, nënën dhe babanë,/Pemët dhe lulet në lëndinë, që rriten si fijet e mallit”.
Poezitë më të arrira, sipas meje janë ato familjare, sepse në to poetja derdh tërë dashurinë, tërë mallin, tërë kujtimet dhe tërë dhimbjen për njerëzit e saj të shpirtit dhe të zemrës. E mbetur jetime, që në moshë të re, pa nënë e pa baba, ajo merr përsipër kujdesin për vëllezëit dhe motrat e saj. Ajo është pjekur para kohe. Jeta e tillë e vështirë e ka forcuar, e ka bërë granit, po edhe ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj, të cilat janë gdhendur dhe latuar me mprehtësinë e penës së saj në vargje shumë emosionuese dhe ndjesore, si në poezitë: ”11 vjet pa ty, nënë!”, “Shpirti im takon nënën në qiell”, “Nënë, e bukura nënë!”, 16 vjet pa ty motra ime e shtrenjtë!”, “20 vjet pa ty babai im i shtrenjtë!”, “Një vit pa ty gjyshi im!” etj.
Nëna për poeten është dashuria që i ka munguar, e ndien fajin që nuk arriti ta shpëtojë nga vdekja: “Zemra jote e dobët kishte shumë ftohtë,/Duhej të operohej ndoshta shpëtonte!/Po lekët e shtrenjta ime nuk i mblodha dot,/Se doktori pa to nuk të operonte!”
Ndërsa për babanë ajo gjithë mall thotë: “Sikur ta kisha dhe unë babin tim gjallë!/Të më puthte fort e të më mbulonte me përqafime”.
Autorja e kësaj përmbledhje të arrirë artistike nuk ka vetëm çaste të rënda jetësore, ajo jeton me lumturinë e vëllezërve, motrës dhe sidomos të djalit të saj, GRESIT, i cili është frymëzimi, jeta, dashuria, mishërimi dhe suksesi në jetë e në krijimtari i autores, i nënës së përkushtuar, prandaj në vargjet për djalin e saj të vetëm thur disa poezi të fuqishme emocionalisht, shkëlqyese si drita dhe rrezet e diellit, prandaj djali për poeten është Dielli që i jep jetë Hënës-nënës, si në poezitë: “Për birin tim, Gres!”, “Mësim tim biri”,”Për ty jetoj biri im!”,”Ti je dielli i shpirtit tim” etj. Djalit të saj ajo është e gatshme t’ia plotësoj çdo dëshirë, sepse ai është dielli i saj ndriçues dhe që i ngroh zemrën: “Ti je dielli që lind çdo ditë për mua në agim,/Në sytë e mi nuk ke kurrë perëndim./Je dashuria që më ngroh në përqafim,Thesari i çmuar, i shtrenjti, Gresi im!”.
Jetën ia lumturojnë poetes edhe vëllezërit, motra e nipër e mbesa me sukseset e tyre në poezitë: “Për mbesën time, Maria”, “Për motrën time, Marjeta!”, “Për nipin tim, Anteo!”, “Për vëllanë tim, Ervis!”, “Për vëllanë tim, Qamil!” etj., ku vlen të përmendet nipi i saj Anteo, i cili në Greqi shpallet nxënësi më i mirë dhe regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Greqisë me sukses të shkëlqyeshëm, prandaj poetja për të shkruan: “Vitet ikën shpejt e ti tani u rrite,/Po për tezen tënde do të mbetesh gjithmonë fëmi’./Në sytë e mi çdo ditë do të mbetesh yll drite,/Si Gresin të dua deri në pafundësi”.
Poetja Aida Jolla në këtë vepër nuk harron edhe njerëzitë që e kanë ndihmuar dhe e kanë përkrahur në jetë, sidomos mësuesen e parë, Rita, mësuesin e gjuhës, Eminin, murgeshën Margarita, mikeshën Vjollca dhe në mënyrë të veçantë njeriun që i qëndroi pranë, e ndihmoi dhe e ndihmon edhe sot italianin STEFANO, i cili përkundër vështirësive të veta shëndetësore kurrë nuk i la pa mbështjetje dhe përkrahje, prandaj poetja për të thotë: “Dhimbjet e vuajtjet që kaloi çdo ditë,/Nuk e gjunjëzuan atë asnjëherë./Ai buzëqeshi, e të tjerëve iu bëri dritë,/Edhe atëherë kur këmbët ia kishin prerë./Nuk derdhi thuajse fare lot, apo të ishte mërzit,/Për mua e Gresin erdhi si pranverë”.
Vepra “Dielli dhe Hëna” është ngritur mbi dy metafora të fuqishme që shpërndajnë dritë ditë e natë; Diellin dhe Hënën. Dielli është drita e nënës, është GRESI, i cili i jep dritë Hënës, NËNËS dhe që ndritin ditë e natë, të cilat janë të pashuara dhe dritëdhënëse në çdo kohë e çast. Një metaforë tjetër shumë e arrirë në poezitë e Aida Jollës është edhe buzëqeshja, të cilën ajo e dhuron në çdo çast, bile edhe kur nuk ndihet mirë dhe është e shqetësuar.
Poezitë e poetes Aida Jolla janë si gurra e ujit që buron nga malet e virgjëra, hapëron në gjelbërimin natyror, shpesh me katarante zhurmuese, por kur arrijnë në fushë qetësohet dhe ushqen tokën me të mbjellat e saj. Kështu edhe vargjet e Aidës janë plot art e bukuri artistike shprehin ndjeshmërinë reaguese, mospajtuese me të keqen, por edhe të ëmbla e ushqyese për shpirtin e njeriut.
Vargjet e këtij libri dhe të autores janë, në shikim të parë të thjeshta, por në përmbajtje dhe në mendime të thella, mishërohen me jetën, me bëmat e saj dhe me dëshirat dhe kërkesat shpirtërore të brendshme të autores për një botë të hareshme, të lumtur dhe të ëmbël për secilin njeri. Me leximin e këtyre vargjeve lexuesi fiton lirinë shprehëse, kulturohet në sjellje, bëhet më i thellë në mendime, më i guximshëm në veprime, i ndjeshëm në karakter dhe besa mospajtues dhe rebelues ndaj dukurive negative të shoqërisë.
Poetja përdor një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, të drejtëpërdrejtë dhe konkretizuese për të treguar origjinalitetin artistik të saj. Aida kryesisht përdor gjuhën standarde në shkrimet e saj, por kur është nevoja për të kontretizuar ndonjë rrëfim më qartë përdor fjalë e shprehje dialektore ose të krahinës nga vjen, Rrethit të Elbasanit.
Po e përmbylli këtë parathënie me mësimin që marrim pas leximit të vargjeve të para të saj: duajeni njëri-tjetrin, dhuroni buzëqeshje, shpërndani urtësi, vërtetësi dhe sinqeritet në vend të mllefit e urrejtjes ndërnjerëzore.
Poetes Aida Jolla i urojmë sukses më këtë përmbledhje poetike dhe u pasoftë krijimtaria e saj me vepra tjera.
Naim Nuredini.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

3 KOMENTET

  1. Me vargjet tuaja poetike ,gjithësecili gjen veten ! Dhuroni dashuri dhe mirësi me vargjet dhe puzlqeshjen tuaj .
    Do të ndjehesha krenar të kisha një motër , një nxënëse , por mbi të gjitha një bij si ju !
    Të uroj nga 🫀 suksese në jetë dhe në krijimtarinë tuaj artistike !
    Kam besim se një ditë do të dini të përshkruani jetën tuaj dhe të Stefanos të motrës Margaritë në një roman !
    Me shumë respekt e dashuri për ju dhe Gresin!

  2. I uroj shpirtërisht nga zemra suksese të mëtejshme në krijimtarinë e saj poetes Aida Jolla !
    Botoftë sa më shumë krijimtari duke shtuar gamën e shumëllojshmërisë dhe zhanreve letrare artistike në poezi dhe në prozë , pasi jeta e saj është një novelë dhe romanë më vete !
    I uroj suksese në jetë , shëndet e lumturi bashk me djalin e saj të mrekullueshëm Gresin !

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.