25.5 C
Tiranë
E hënë, 20 Maj 2024

Istref Haxhillari

Mot i zymtë.
Mjegulla lëpinte muret e avllisë, pemët e kopshtit, tufa resh të hirta endeshin qiellit si zogj të etur. U çova përtueshëm, hodha shtresat në dollap, bëra dush, tualet, futa në çantë ç’më zuri dora.
Hapa derën e farmacisë.
Dy gra veshur me të zeza, hynë gjithë droje, kërkuan hape koke.
– Shkojmë në varrim, – tha më e madhja, të përligjte veshjen.
– Ngushëllime! – bëra adetin.Potrebbe essere un disegno raffigurante testo
Mërmëritën diçka si falënderim, ikën me të shpejtë. Avulli i frymëve filtroi derën gjysmë të hapur, u përzje me mjegullën, ku i prisnin burrat e pafjalë me cigaret, ndezur majë gishtave. Era e rrobave të ndragura ngeli edhe pasi largësia i treti.
Klientët e përzishëm ma shtuan mërzinë…
Një burrë i lagur kokë e këmbë kapërceu pragun, u qas te banaku. Trup mesatar, fytyrë simpatike, flokë të shkurtër krehur mënjanë, mjekër gjysmë të thinjur, nuk kishte kurrgjë të veçantë, përveç buzëve dhe syve ekspresivë.
– Përshëndetje! – hoqi syzet, i fshiu.
Harroi t’i vinte.
Profili ma tërhoqi si magnet vështrimin. Një dorë e ajërt më ngriti, si ta prisja prej kohësh. Ndonëse të panjohurit mbushin përditshmërinë time, nuk ia dola të pengoja faqet të skuqeshin, shikimin të turbullohej.
– Shkrimtari?
– Edhe ashtu, – tha modestish.
Bebëzave të kafenjta një dritëz e luhatshme vinte rrotull në formë eliptike. Nuk e di nëse pas atij shikimi fshihej misteri i ftesës për më tepër, po zemra më thoshte se ata sy nuk bridhnin kot.
– Ledi Smiana, – u prezantova, para se zëri të shndërrohej mërmërimë. Rrallë ndodh në jetë të prekim diçka që e kemi ëndërruar gjatë.
Bisedën e prenë dy djem gazmorë.
Përkuli kokën, u nis të dilte. Pata përshtypjen se u bë xheloz.
Më erdhi mirë.
– Dëgjoni, – i thashë, – mendoj se ndoshta… pa të bezdisur, kuptohet… mund të shihemi përsëri.
Nuk i shpëtova skuqjes.
– Librat e tu, – përligja veten.
– Ndoshta, – lejoi buzëqeshje të lehtë, si të kërkonte bashkëfajësi…
Pashë veten në pasqyrë. Habia pikturohej syve të rrudhur. Diçka qiellore, e pakuptuar më kishte mbështjellë si era nga koka te këmbët, frazat e klientëve humbnin si të mos flisnin fare. Thua rashë brenda?
Dreqin, ashtu dukej!
Dhe zor se kaloi pa vënë re!…
Shiu pushoi, qielli u fsheh pas çarçafit të reve, truri iu rikthye funksionit normal.
Ditët që erdhën ia ndjeva mungesën, një flakë e zbehtë brenda s’donte të fikej, e kapja veten duke vështruar kalimtarët rrugës përbri.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.