9.5 C
Tiranë
E enjte, 21 Nëntor 2024

Nga Beqir SINA – New York

NUK KA PËR TË PASUR MË DIBËR!, “DIBRA” DO TË THIRRET “SKAVICË”

Nuk e njoh nga afër Beqir Sinën, i njoh penën, përkushtimin atdhetar, dashurinë për Shqipërinë, i njoh trojet e të parëve atje në fund të rrafshës së katundit Rreth Kale, në ato kulla ku Drini të vjen nën ballkon e Runja çati. Kam ngrënë vezë të skuqura me tëlyen, gjizë e dhallë në odën përdhese të shtëpisë së të parëve të tij, herët, verës së vitit 1960 kur punoja si agronom në lokalitetin e Muhurrit…
Përkundër një zëri në anën tjetër të Drinit që flet për energji e jo për njerëzi, ai, Beqir Sina, më vjen nga larg me të nesërmen për brezat: “Nuk ka për të pasur më Dibër! “Dibra” do të thirret “Skavicë”!
Mirë se vjen Beqir Sina!
Me fjalët që përcjell je bërë krah i fortë i mbrojtjes së Dibrës, tashmë nga një armik i brendshëm, më i egër se të gjithë armiqtë, armik që e do Dibrën të mbytur, të kalbur nën ujërat e qelbura rrjedhë e korrupsionit të paparë shqiptar.
Dibra ka pas gjithnjë burra,
U zjenë gjaku nëpër kulla…

  1. Ashiku, Athinë

 

Kryeministri i Shqipërisë, duket se është në ditët më të vështira të karrierës së tij politike. Ai po kalon situatat më të vështira të vendit, dhe ndoshta edhe të jetës së tij…

Kryeministri Rama jo pa qëllim tani, mbas 50 vjetëve, atë që nuk e bëri Enver Hoxha, nxori nga sirtari i Partisë së Punës, përsëri “Skavicën”, atë “projekt – plan” që ja la daja i tij, dhe babai i tij. Si duket amanet!

Madje, këtë herë edhe pa pyetur, dhe pa u kujtuar për Dibranët.

Por, zoti Kryeministër a e dini ju historinë e Dibrës, dhe kush janë Dibranët!?

Vetë historia e Dibrës, ka treguar se prej kohës së perandorisë turke, pavarësinë e Shtetit Shqiptar, Mbretin Zog I, Enver Hoxhën, dhe Sali Berishën në demokraci, asgjë dhe kurrë në Dibër nuk është bërë pa pyetur Dibranët. Pa e “pleqëruar” me vet dibranët.

Sepse, nuk mund të sakrifikohet kurrë më Dibra, për interesa e të tjerëve,

Jo të Dibranëve!.

Nëse, ndërtohet Skavica, nëse zbatohet plani mafioz i rilindjes, ky vend i bukur i kësaj lugine, sipas, studiuesve pas 4 vjetësh do të përmbytet ashtu si edhe 10-ra mijë hektarë të tjerë me luginën e Drinit të Zi.

Me ndërtimin e Skavicës:

– do të fshihet nga faqja e “dheut” edhe historia Skënderbeut.

– do të zhduken gjurmët ekzistuese, të toponimeve të Dibrës, prej në kohën e perandorisë otomane

– do të humbas një pjesë e mirë e historisë së Dibrës, dhe Shqipërisë, së kohës, së pavarësisë së Shqipërisë, roli dhe kontributi i dibranëve, koha e Mbretërisë, Lufta e Parë, dhe e Dytë Botërore, 45 vjet të Partisë së Punës (partisë tënde zoti Rama), por edhe mirë e keq 30 vjet demokraci

– banorëve me ujin e liqenit u humbet vendlindja e tyre – (nëse kanë në plan të kthehen në vend origjinën e tyre,)

– mijëra familje të kësaj lugine, do të humbasin vend varrimet e të parëve të tyre, prindërve dhe anëtarëve të familjeve, pra nuk do të kenë më, as ku ti qajnë, a të ndezin një qiri, dhe vënë një tufë lule.

– do të humbas edhe ajo pak ekonomi që dibranët po “rropatën” për mbi jetesë (ata që kanë mbetur)

– do të humbas, edhe ajo pak, frutikulturë, bujqësia, dhe blegtoria tradicionale e dibranëve( ajo që ka mbetur, nuk do të jetë më)

E thënë shqip e trup “Nuk ka për të pasur më Dibër!” – Sepse, “Dibra, do të thirret “Skavicë”

Në kohën e largët të shekullit që lamë dhe në kohëra më herët, dibranët kanë treguar se dinë të bëjnë edhe kuvende, madje dhe beteja, për mbrojtjen e Dibrës.

Megjithëse, kohët janë tretur, por Dibra ka ditur t’ia dalë me urtësi e mençuri madje dhe me qëndresë, deri sa në Shqipëri, na erdhi “peshqesh” nga Serbia, e Rusia, regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.

Ai regjim që e varfëroi Dibrën mbarë, deri në skamje, duke u marr e shkatërruar pronat e pasurinë, i burgosi, madje dhe i pushkatoi, i zhduku familjet e mëdha, ata prijësit e Dibrës, dhe rrëzoi “Malet” e Dibrës, e “ngriti halet”, dhe e rrethoi Dibrën, ashtu si dhe gjithë Shqipërinë, me tela me gjemba, që mjerisht Dibra e pagoi më shtrenjtë se çdo vend i Shqipërisë.

Në Dibër nuk u ndalën përndjekjet dhe ndjekjet e dibranëve nga diktatura komuniste, deri më 1991, ku vriteshin njerëz në kufi. As e më pas kur dibranët luftonin për liri e demokraci, ata u mbytën në Otranto- nga majfia e atyre që për para nuk u dhimbsej as jeta e njerëzve.

Por duket se ka akoma dibranë dalazot të pragut të shtëpisë së tyre, që këto ditë jo më kot bëjnë thirrje në rrjetet sociale kur thonë, : “Dëgjojeni me kujdes fjalën e dibranëve, dhe, mos i detyroni t’i dalin zot vetes si dikur në kohë të vështira. Pasi, si në çdo kohë tjetër, si paraardhësit tanë kundra serbëve , ne do të dimë të përballojmë edhe Skavicën me çdo kosto që të na vijë” thotë Shoqata ‘’Për mbrojtjen e pronave të mjedisit të pellgut të Drinit te Zi”.

Nga Beqir SINA – New York

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.