Ndue Logu, fati i çuditshëm i një piloti të shquar

0
667

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Shkruar nga shkrimtari
Agustin Z. Gjinaj

Për rastet kur fatit i je shmangur aty ku e ke menduar se ka rrezik, por e ke pësuar diku tjetër krejt papritur, malësorët e veriut përdorin shprehjen ”U ul mushka prej Dukagjinit, por e theu kambën në Fushë të Shtojit”. Një zonjë e veshur me të zeza, me shtat të vogël, e mbledhur pak nga vitet e nga hallet, por që ende tregon se ka qënë një grua shumë e gjallë e simpatike e kisha parë në festat apo përvjetorët e aviacionit, në Ditën e Dëshmorëve apo në veprimtari të ndryshme, por asnjëherë nuk më kishte rënë rasti të takohem me të.

Në përgjithësi familjet e dëshmorëve në takimet që zhvillohen, trajtohen me një respekt e mirëdashje të veçantë, ju lirohen vende në rradhët e para të sallës, i shikojnë me merak që të kenë diçka të mirë përpara kur ka ndonjë kokteil, i thërrasin për të bërë fotografitë e rastit apo t’i ulin në makina për të udhëtuar në vendet ku zhvillohen aktivitetet.

Në njërin nga këto raste, më qëlloi të jem pranë zonjës Vera Logu, e veja e pilotit të shquar të helikopterëve Ndue Logu, Dëshmor i Atdheut. As sot nuk e di se si e filluam bisedën, ndoshta duke kujtuar disa të njohur të përbashkët, por gjithësesi dikur, biseduam edhe për probleme kot së koti, si fati, shansi a ku di unë, një temë sa për të shtyrë pak më tej bisedën. -Eh! – psherëtiu dikur Vera, me fatin nuk hahet kush.

Nuk dija se ç’ta pyesja për deklarimin e saj, ndaj vetëm mblodha supet e thashtë një “po, po” sa për të qenë në bisedë. Krejt papritur Vera vazhdoi: – “Sa ishte gjallë Ndueja, asnjëherë nuk flisnim për punën, detyrën, për heroizmin apo për vdekjen në shtëpinë tonë, por gjithësesi, në vitet që im shoq ishte pilot, sa herë që nisej për në fluturim, gjithë ditën rrija me zemër të ngrirë deri sa kthehej në shtëpi. Kur shëndeti nuk ja mundësoi më fluturimin, ai u mërzit shumë, më erdhi keq për Nduen, se ai e dashuronte fluturimin, por të them të drejtën, thellë në shpirt u gëzova se, m’u duk se shpëtova nga një siklet i madh disavjeçar. Por kot e paskam pasë atë merak nga fluturimi, se prej tij nuk e gjeti gjë, por u plagos gjatë qitjes me granata, ndoshta ashtu si e kishte thënë fati të ishte fundi i tij”.

* Ndue Logu ishte një pilot i përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik e që kishte punuar vite me radhë si komandant skuadrilje në Regjimentin e Farkës. Pasi doli i paaftë nga gjendja shëndetësore si pilot, ai ndoqi akademinë pas së cilës u emërua shef i armatimit të repartit.Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Një ditë, që në Farkë po zhvilloheshin qitje me granata, njërit prej ushtarëve, i emocionuar që po bënte qitje për herë të parë, pas heqjes së siguresës, i shpëton granata nga dora e i bie brenda në llogore, ku ishin edhe katër ushtarë të tjerë, përveç disa vëzhguesve fare pranë tyre. Dëgjohen të thirrura e të bërtitura, në të mijtat e sekondës të gjithë e çojnë në mendje se ç’mund të ndodhë. -“Merre, merre, hidhe granatën përjashta!” – bërtasin njerëzit, por ushtari ka ngelur si i ngrirë e vetëm shikon në drejtim të tyre.

Nuk ka më kohë për asgjë, por vetëtimthi, mbi granatën që do edhe disa të dhjeta të sekondës për të plasur, hidhet Ndue Logu me trupin e tij të bëshëm. Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur poligonin. Të pranishmit kanë futur kokën mes krahëve dhe pas shpërthimit, në mënyrë instiktive kontrollojnë vetën për dëmtime. Ndërkohë që reja e pluhurit fillon e shpërndahet, të gjithë shohin se janë në këmbë, përveç Ndue Logut të shtrirë në llogore, pothuajse pa jetë.

E çoi nëpër mendje gjithë këtë histori dhe shikoj nga Vera, e nuk e di pse më duket edhe më e afërt, edhe më fisnike, edhe më e shtrenjtë. Ajo si duket e ka vënë re një farë përhumbje nga ana ime dhe tani që i dukem i gatshëm për të dëgjuar më thotë: “Edhe kur doli i paaftë për të fluturuar si pilot, kur i jepej rasti, shkonte te helikopterët dhe bënte ndonjë udhëtim si pasagjer me shokët e tij, me djemtë e rinj që vazhdonin detyrën si pilot.

Vinte në shtëpi i entuziazmuar, pasi fluturimi i jepte atij një kënaqësi të veçantë, e rinonte, e bënte me krahë. Eh, duket sikur nganjëherë fati është i shkruar”, përfundon ajo. Nuk e di pse biseda me zonjën Vera më solli nëpër mend titullin e një filmi të kahershëm sovjetik, ”Fati i Njeriut”, por më së shumti shprehjen popullore të Dukagjinit, andej prej nga ishte edhe Ndueja, ”U ul mushka prej Dukagjinit, por e theu kambën në Fushë të Shtojit”.

Ndue Logu ky pilot i shquar dhe figura e nderuar e aviacionit tonë, kishte kryer me mijëra orë fluturimi në katër anët e Shqipërisë në kushte nga më të vështirat e motit e nuk i kishte ndodhur asnjë rrezik, ose kishte dalë shëndoshe e mirë prej gjithë atyre përpjekjeve të mëdha, por fati i rezervoi atë fund tragjik në llogoren e një fushe stërvitore në qitjen me granata. Fati i tij ishte i lidhur me fluturimin, sado që shëndeti e kishte larguar prej tij të paktën në formën e detyrës si pilot, por ai prapë se prapë vdiq në fluturim.

Ishte në helikopter, rrugës për në spital, në fluturimin e fundit… Mjaft shokë e miq të tij, të afërm apo aviatorë kanë shkruar për jetën dhe heroizmin e tij. Jeta dhe vepra e Ndue Logut është pasqyruar edhe në librin “Shqiponja e Dukagjinit” të autorit të njohur shqiptar Gjin Musa, gazetar, botues e producent televiziv që jeton në Romë, Itali

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.