25.5 C
Tiranë
E hënë, 20 Maj 2024

Vladimir Duraj

Njerëz të Mirë
Bardhosh Hasanaj
Sa më thellë të hysh në “ujrat” e detit me emrin Aviacion, aq më shumë thesare do të gjesh, sa më azat ta lëshë mendjen të kullosë në lëndinën me emrin aviacion, aq më shumë “lule” të bukura do të gjesh në të dhe, për ta thënë konkretisht, sa më shumë të duash të shkruash për pilotët e elitës, po aq herë do ta gjesh një emër, po aq herë do ta gjesh njërin prej tyre.
Të shkruash për këta pilotë nuk është vetëm një dobi për nesër e për të tjerë, të shkruash për këta pilotë është edhe kënaqësi sot dhe për ne…po po, kënaqësi kur lexon për Niko Hoxhën, Azbi Seranin dhe…nuk po vazhdoj me emra të tjerë sepse nuk do të dija se ku të ndalesha…veçova Nikon si maja e elitës, dhe të mrekullueshmin dhe engjëllorin Azbi si shokë kursi me heroin e këtij shkrimi, të mrekullueshmin Bardhosh Hasanaj.
Edhe pse nuk e kam njohur, Bardhoshin po e quaj “të mrekullueshëm”…dhe a e di përse ? Sepse kam njohur shokët dhe miqtë e tij, kam njohur Azbiun, Hamzain, Niaziun, sikurse kam dëgjuar për Telon, Qirjakon, Nikollën, Sokratin, Serafinin, Drinin…të gjithë këta shokë grupi me Bardhoshin dhe me të njëjtat vlera me të.
Po ashtu, Bardhoshi është njëri prej të shumtëve pilotë që e ka filluar zanatin në qytetin tim, në Q.Stalin. Ish begsi shembullor me origjinë nga Vranishti i Vlorës vjen tek ne në fund të 1950 -ës. Sapo kishte mbaruar shkollën e Aviacionit në Borisogleps dhe Krasnodar të ish BS dhe ishte titulluar Oficer. Emërohet në Regjimentin 23 Peza në ish Q.Stalin
Simpatiku 20 vjeçar do të tregonte shumë shpejt se arritjet e deriatëhershme nuk ishin një rastësi, vetëm dy vjetë e pak muaj më pas Ai emërohet Instruktor i Teknikës së Pilotimit me avionët Mig – 15 në Poro.
– Bardhoshi ka qënë njeri më mend – më thotë Niazi Nelaj, dhe këtu ka parasysh rezultatet e larta në të gjitha shkallët e arsimimit, qysh nga fillorja e 7 vjeçarja, e mesmja si begs dhe pas saj shkolla e Aviacionit në ish BS, dhe deri tek fakulteti i Shkencave Politiko – Juridike.
Janë të paktë pilotët e kompletuar si Bardhoshi, njëri prej të cilëve është shoku i tij i grupit Azbi Serani që përveç shkollës për pilot kreu edhe Inxhinjerinë Mekanike…si edhe miku ynë i letrave, Niaziu, që ka të njëjtin arsimim me Bardhoshin.
Në fillim të këtij shkrimi deduktova se Bardhoshi është i mrekullueshëm ngaqë i ka edhe shokët të tillë…dhe njëri prej tyre është Hamza Koçi, ish komisar Regjimenti në Gjadër. Ja ç’thotë, mes të tjerash, Hamzai për Bardhoshin :
“- Bardhoshi ka qënë me një vullnet që rrallë e krahasoje me tjetër njeri, me përparime të shkëlqyera në Tiranë si begs dhe në shkollën e Aviacionit në ish BS. Si pilot Ai ka qënë perfekt, si në përgatitjet teorike ashtu edhe në praktikën fluturuese. Përveç programeve të stërvitjes ajrore si çdo pilot, ai në raste të veçanta plotësonte fluturime të vështirësisë së lartë në pilotazh të ndërlikuar në lartësi të ulët rrafsh me tokën.”
Për aftësitë profesionale të Bardhoshit, që ndërkohë kishte marrë klasin e dytë, po citoj dy raste të treguara nga dy emra të njohur të pilotimit shqiptar, Hamza Koçit dhe Niazi Nelajt. Ish komisari i Regjimentit të Gjadrit, Hamez Koci, tregon :
“- Në 24 prill 1971, me rastin e 20 vjetorit të Aviacionit, në Rinas, ku merte pjesë edhe Enver Hoxha, për nder të të cilit u organizuan fluturime të shumta demostrimi nga ne pilotët e përzgjedhur, Bardhoshi plotësoi pilotazh me Mig19 me forsazh në lartësi të ulët mbi aerodrom.”
Ndërsa Niazi Nelaj tregon :
“- Ne vitin 1964 ose 1965 erdhi ne Regjimentin e Rinasit , ku fluturonte ne aeroplanet Mig-19. Në një stërvitje treguese, mbi aerodromin e Rinasit, mbaj mend që bëri një qitje nga pikiata e thellë me Mig 19 S dhe bëri fërtele tankun që ishte vendosur për shenjë.”
Solla këto dy raste sinjifikative për aftësitë profesionale të Bardhoshit, por Bardhoshi nuk njihej vetëm për aftësi në profesion, Ai më së shumti njihej si aristokrat mendimi dhe fisnikëri njerëzore.
Ishin këto veçori, vlera e virtyte të spikatura, që mundësuan emërimin e tij si Komisar Regjimenti në Gjadër në momentin e krijimit të tij, përkrah Bardhyl Taçit si Komandant Regjimenti.
Bardhoshin e vlerësuan edhe autoritet e kohës për atë çfarë Ai ishte, por më së shumti i’a dinin kimetin dhe i’a njihnin mirësinë, shokë e kolegë të tij, pilotë e teknik. Për të bërë një paralelizëm për ata që nuk e kanë njohur, mes të cilëve hyj edhe unë, them se Bardhosh Hasani do të ngelej po aq emër i madh sa Niko Hoxha dhe Azbiu Serani nëse do të kishte fatin e tyre në ndarjen nga jeta.
Nuk besoj të ketë shokë dhe të njohur të tij, aviator ose jo, që nëse do të kishin aftësinë të artikulonin në mënyrë brilante, nuk do ta bënin këtë për Bardhosh Hasanin.
Bardhoshi, përveç sa më sipër, ishte edhe një familjar i përkushtuar e qytetar model. Shoku dhe miku i tij më i mirë, Niazi Nelaj, tregon :
“Ishte i martuar me Stolinë, një arsimtare, nga familja e Gjondedajve, nga Tërbaçi. Çifti Stoli e Bardhosh Hasanaj, sollën në jetë 3 fëmijë, Sokolin, Entelen dhe Andin. Çifti ishte i bërë për njëri-tjetrin dhe shkonin shumë harmonishëm.”
Bardhoshi u nda nga jeta në vitin 1987, në moshën 47 vjeçare nga një sëmundje e rëndë për kohën. Iku në moshë të re, si duket zotit i lipsej mirësia në parajsë, ndaj edhe mori të mirin Bardhosh atëhere kur nuk mendohej.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

1 KOMENT

  1. Sapo e lexova artikullin e mrekullueshem qe i perkushtohej babait tim te ndjer Bardhosh Hasani dhe shokeve te tij te mrekullueshem. Kan qene vitet me te bukura te jetes time. Ju falenderoj nga zemra per fjalet e mira, drejtuar babait tim. Do doja ta lexonte dhe mamaja ime kete artikull qe na ben krenar, por ajo ka nderruar jete.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.