23.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Maj 2024

Nga :Daut Vela

KRAHINA E BUZIT DHE LUFTRAT PËR LIRI.

(Shkurtimisht).
Pushtimi otoman 500 vjeçar një gjumë kombëtar i thellë. Por mbas viteve 1800 filluan përpjekjet e luftëtarëve dhe kapedanëve shqiptarë. Dhe krahina e Buzit krenohet me kapedanët Tafil Buzi, Sadik Luftinja, Fejzo Arrza etj. Gjithë luftimet madhore kundra osmanëve prej vitit 1828÷1836 me dakordësin e kapedanëvë të Shqipërisë së Jugut i ka drejtuar kapedan Tafil Buzi, sot “Nderi i Kombit” si drejtues ushtarak. Dhe unë Daut Vela ndjehem krenar dhe i lumturuar që pregatita dhe botova librin: “Kryeheroi i Buzit” kushtuar buziotit famëmadh Tafil Kapo Buzit. Kapedanët e Shqipërisë si Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Çelo Picari, Hodo Nivica, Abdyl Koka etj. si dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare pregatitën terrenin për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga pushtimi i stërgjatur osman nga Ismail Qemali dhe disa patriot shqiptarë. Krahina e Buzit njeh si firmëtarë të Pavarësisë Bido Ismail Demaj (Shalësi) prandaj dhe ky luftëtar thirrej si “njeriu i pushkës dhe flamurit” i cili me shumë buziot të tjerë qëndroi në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali. Me porosi të Ismail Qemalit Bido Shalësi dhe një djalë nga Kosova të paisur me flamurin kombëtar përshkruan gjithë kufijtë shqiptarë që administroheshin nga Qeveria e Vlorës.
Një epope e lavdishme ngelet për krahinën e Buzit dhe lufta e Vlorës në vitin 1920 kundra italianëve ku nga krahina e Buzit morën pjesë mbi 70 burra, pothuajse nga të gjithë fshatrat e saja të komanduara nga Bido Ismail Demaj (Shalësi) të cilët përkrah forcave të Kurveleshit të komanduara nga Selam Musa Salaria, sot “Hero i Popullit” treguan shembuj heroizmi në luftimet në Qafën e Koçiut dhe brenda në qytetin e Vlorës.
Heroizmi i bijve të krahinës së Buzit në përballje me pushtuesin mbetet i vlerësuar në të gjitha kohërat, por ai i Luftës së Dytë Botërore Antifashiste shfaqet me përmasa të mëdha. Mbi 75 dëshmorë kanë rënë në këto luftime nga krahina e Buzit. Pasardhësit e Tafil Buzit u bashkuan masivisht në betejat për liri e pavarësi, por Luftën Antifashiste e mbështetën me të gjitha mundësitë shpirtërore, materiale dhe deri në sakrifikimin e jetës. Shumë e shumë buziot u përfshinë në formacionet partizane dhe shumë e shumë të tjerë me çetat territoriale.
Për të organizuar fuqishëm përballjet me pushtuesit u organizuan mjaft takime. Në Dhjetor 1942 në Teqenë e fshatit Memaliaj formohet Këshilli Nacional-Çlirimtar i nënprefekturës Tepelenë me Kryetar Xhevat Shehun dhe anëtarë: Sheh Abedini, Baba Fejzo, Baba Iliazi, Gjergj Suli, Resmi Latifi, Haxhi Shehu, Haki Shehu, Lutfi Bektashi, Qebir Aliu, Zenel Shehu. Më 19 janar 1943 Këshilli i Nënprefekturës Tepelenë organizon një takim në Teqenë e Gllavës me pjesëmarrjen e Xhevat Shehut, Haki Shehut, Çome Cini, Baba Fejzo, Zenel Shehu, Hajri Zaçja, Baba Abaz Memushaj etj.
Për bashkimin e forcave në luftë për liri ishte dhe takimi i organizuar tek Vidhi i Selckës. Në këtë takim kishin ardhur përfaqësues pothuajse nga të gjitha fshatrat, por të ndarë në dy qëndrime. Pjesën nacionaliste e udhëhiqte Qamil Nuellari (në atë kohë Baba i Teqesë së Gllavës), ndërsa Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar e udhëhiqte Sefedin Lime Kreci. Pas diskutimeve të shumta, edhe pse të dyja palët ishin për luftë kundra pushtuesëve, nuk u arrit në bashkimin e grupeve, duke u qëndruar besnik orientimeve nga lart.
Forcat partizane u organizuan në çeta dhe më pas në batalione e brigade. Në vitin 1940 kemi organizimin e një çete me komandant Tahir Xifaj dhe zv. komandant Elmaz Nexhipi e Rushit Habib Guca. Për luftë kundër fashizmit u krijua dhe çeta me komandant Hajri Zaçaj dhe ky formacion u bashkua me çetën e komanduar nga Zenel Shehu. Një meritë për Luftën antifashiste ishte dhe krijimi i çetës partizane Buz-Krahës e quajtur “Verikoll” e cila u krijua nga fillimi i vitit 1943 në fshatin Buz-Kalemaj me të deleguar të PKSH Medin Axhemi. Mbledhja u bë në shtëpinë e patriotit Dervish Gani Shehu. Drejtues të çetës u caktuan Sefedin Lime Kreci dhe Ismail Xhemaliu, dëshmor i Atdheut. Çeta ka marr pjesë aktive në djegjen e Post-Komandës në Buz, në luftimet e Qafës së Kiçokut, Qafës së Miricës, Qafës së Rabies deri sa në 10 Gusht 1943 u përfshi në Batalionin “Baba Abaz” me komandant Baba Fejzo Therepeli dhe komisar Zenel Beqir Shehu. Ky batalion u bë pjesë e Brigadës së VI-të Sulmuese.
Luftimet e batalionit “Baba Abaz”, qëndresa heroike e buziotëve në Qafën e Kiçokut, Qafën e Miricës, Qafën e Rabies, qëndrimi heroik i Baba Abazit Memushaj në masakrën e kryer nga fashistë italianë më 23.07.1943 tek Teqeja e Rabies dhe shumë luftime të tjera u bënë simbol trimërie dhe frymëzimi për qindra të tjerë që rrokën armët në luftë me pushtuesin nazi-fashist.
Por kur flasim për Luftën Antifashiste, pjesë e saj ishte dhe Balli Kombëtar. Një ndikim të veçantë në përhapjen e bindjeve nacionaliste në krahinën e Buzit pati dhe Ali Bej Këlcyra. Çeta e Bido Ismail Demaj (Shalësi) nga fundi i vitit 1942 arriti në rreth 60 burra nga fshatrat Shalës, Buz, Gllavë, Komar, Luftinjë, Zhapokikë e Izvor. Kur njerëzit shihnin se në krye të këtij grupimi ishin persona patriot dhe të shkolluar dhe nga familje me emër nuk nguronin të bëheshin pjesë e Ballit. Pas ngritjes së çetave u arrit të formohej batalioni “Tafil Buzi”. Fillimisht komandant të këtij batalioni ishin Bido Ismail Demaj (Shalësi) dhe Syrja Vasjari i cili më vonë dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga Hysni Qamil Kalemaj, ndërsa komisar u caktua Ismail Qamil Xhelili. Komandanti dhe komisari i batalionit “Tafil Buzi” dhe mbi 20 të tjerë nga radhët e Ballit Kombëtar mbetën të vrarë gjatë Luftës Antifashiste, por qëndrimet politike për ta dhe familjet e tyre pas çlirimit u shfaqën të ashpra. Instruktorë, anonimatë, zemërzinj dhe drejtues politik me emrin e PPSH shkaktuan dhimbje e lot në disa dhjetëra familje me të famshmen luftën e klasave këtë njollë të zezë në historinë totalitare puniste në krahinën e Buzit.
Pas viteve 1990 me vendosjen e pluripartizmit në Shqipëri për disa të vrarë në luftë antifashiste apo të dënuarit politik janë bërë vlerësime realiste dhe janë nderuar nga Komunat Buz, Luftinjë, Qarku Gjirokastër dhe Presidenti i Republikës.
Personalisht e vlerësoj Luftën Antifashiste me gjithë disa dritëhije të saja. N.q.se ushtria partizane dhe shumë patriotë nacionalistë nuk do të ishin rreshtuar me Frontin Antifashist Botëror sot nuk do kishte komb shqiptar. Nder dhe lavdi atyre që lufuan dhe dhanë jetën në Luftën Antifashiste.
Unë Daut Vela, si rabiot, si buziot, si memaliot, si tepelenas si pjesë e botës së krijimit kam përgatitur materialet për nderimin e figurave madhore buziote me urdhërin “Nderi i Kombit”si: Bido Ismail Demaj (Shalësi) dhe Sefedin Lime Kreci. Do jetë në nderin e Bashkisë Memaliaj, Kryetarit të saj zotit Albert Malaj dhe Këshillit të Bashkisë që të më mbështes për t`ju drejtuar Presidentit të Republikës Shkëlqesisë së tij zotit Bajram Begaj, Prof. i Asoc. Dr. i shkencave.
Ne buziotët nuk na ndajnë as bindjet dhe as partite politike, prandaj unë kam kërkuar dhe vazhdoj të insistoj që ne të ngremë në Buz përkrah njeri-tjetrit bustet e Sefedin Lime Kreçit dhe Bido Ismail Demaj (Shalësi) të këtyre luftëtarëve antifashist. Gjithashtu buste të ngrihen në Arrëz për kapedan Fejzo Arrzën, në Luftinjë për kapedan Sadik Luftinjën dhe Xhemal Brahimi Asllanin, ndërsa në Zhapokikë për Bajram Kamber Hamati, në Shalës për Ali Abaz Skëndin, në Izvor për intelektualin e shquar Limo Pazaj. Por ngritja e këtyre busteve kërkon impenjimin maksimal të pasardhësve të tyre mbasi dihet çfarë buxheti ka Bashkia Memaliaj. Me buste, monumente, shtatore, përmendore, lapidarë, libra, filma artistik dhe dokumentarë pasurohet historia jonë. Le ta ngremë në piedestal.
Miqësisht propozoj që të ngrihet një komision për vlerësimin e figurave nga Bashkia Memaliaj, Këshilli Bashkiak, Njësitë Administrative, Shoqatat e ndryshme, Komiteti i pasardhësve të veteranëve ( besoj se veteran nuk ka), njerëz me influencë në opinionin publik për të mos patur qejf mbetje.
Nuk e bëj për protagonizëm dhe se jam më patriot se ndokush buziot. Thjesh se dua vendlindjen time dhe dua ta shoh madhështore dhe zonjë hijerëndë.
Kush ka vrejte apo shtesa është i mirëpritur. Kjo ishte thjesht një shkurtimore se të shkruash për luftrat për liri në krahinën e Buzit duhen libra të shumtë. Nuk më shqetëson dhe nuk më krijon asnjë lloj kompleksi ndonjë anonimat apo pasardhës totalitaro-puniste duke më emërtuar kalemxhi. Historia e luftës nuk ndryshohet as me vërtetime dhe as me lek. Unë me modesti kam botuar 17 libra, i tetëmbëdhjeti gati për botim dhe 7 të tjerë të përfunduar në dorëshkrime që presin dritën e botimit. Detyra ime të shpërndaj vlera dhe dashuri njerëzore.
Rrugëtimi im vazhdon…
REFERENCA
Muzeu historik Tepelenë.
Libri: “Tepelena 1912-1944” me autorë XHEZO CANA.
Libri: “Krahina e Buzit dhe Tepelena” me autorë BEDRI SERJANI.
Libri: “Rabia jonë, dashuri dhe dhimbje” me autorë DAUT VELA.
Libri: “Portrete buziotësh” me autorë LIMO PAZAJ.
Libri: “Për Shalësin s`më tret dheu” me autorë METE ÇUMANI.
Libri “Kryeheroi i Buzit” me autorë DAUT VELA.
Intermedia
Përgatiti: DAUT R. VELA, rabiot, publiçist, poet, shkrimtar.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.