Radio Evropa e Lirë: Bosnja shpreh dëshirë t’i bashkohet nismës
Arben Çokaj
Pra, tani mbetet vetëm Kosova stoike në qëndrimin e saj, për të mos iu bashkuar nismës Ballkani i Hapur. Sepse Kosova ka një Prezidente, që kur flet duket se po han hekur me dhëmbë, dhe ka një kryeministër, që nuk e di veten ende se ku është. Shqiptarët nuk ka bir kurve që i bashkon, ata gjithmonë do e gjejnë një pretendim, për t’u ndarë e përçarë, e fajin ua kanë gjithmonë të tjerët… Shqiptarët janë e zeza e vetes!
Po të ishte edhe Kurti në takimin e Ohrit, shikoni foton më lart, do të ishin 3 kryeministra shqiptarë aty. Si i thonë asaj: “Për kë u fol më keq? Për atë që nuk ishte.” Por jo, 2 milion shqiptarë të Kosovës duan rolin dominant në Ballkan, duan loqe të drejtojnë mbi 20 milion banorë të Ballkanit perëndimor. Ata duan të vendosin, i gjithë Ballkani duhet të bindet, të bëjë siç duan ata, ndryshe nuk shkon bacë. Prandaj edhe ndodh kjo që po ndodhë, Kosova do të shmanget, do të mënjanohet nga të tjerët! Kosova realisht po vetë-shmanget, po përjashton veten!
U thua sa të duash kosovarëve, të del goja pas, sikur flet me murin, se duhet të tregojnë kujdes si shtet i ri, të mos bëhen peng i shijeve serbe mbi fatin e tyre. E pranon apo jo Serbia, Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të sillet si i tillë, të krijojë marrëdhënie e bashkëpunim me fqinjët, që e njohin atë, e jo t’i shajë e injorojë ato, kryesisht Shqipërinë e shqiptarët. Por Kosova ua rrasë të gjithëve për hir të Serbisë: “Nuk më njeh Serbia, e unë nuk u njoh ju!” Ngjashëm me Nasim Haradinaj, që e la nam, nuk e njihte Gjykatën Speciale, e për shkak se nuk e njihte, i hëngri 4,5 vjet burg nga ajo gjykatë, për marri.
Kosova e ka vështirë tani t’i përtypë fjalët, që ka nxjerrë kundër Ballkanit të Hapur, dhe unë e kam paramenduar këtë situatë që nga fillimi, mendoja, “të gjithë do të hyjnë në Ballkanin e Hapur, por Kosova jo!” Ky është problemi i Kosovës, që duhet ta ndreqin… Por do u marrë kohë, edhe nëse e bëjnë.
Unë shkruaja shkrime dhe i trajtoja këto probleme, u thoja kosovarëve kujdes, por vetëm se rrita armiqësinë e ‘zhabës’ së tyre ndaj meje. Kush jam unë për t’i mësuar ata?! Apo për të treguar se Zelensky ka vepruar gabim?! Kosovarët që më shanin mua, nuk po mendonin me kokë, me tru, por me zhabë, me lukth, me gushë!
Kosova nuk ka politikanë sot, ka gushë, ka lukth, ka zhabë me shumicë. Dominon zhaba, egoja primitive për të dalë në dritë me marri, e jo me zgjuarsi. Zgjuarsia dhe instinkti politik, që e kishte Rugova dikur, mungon shumë në Kosovë sot. Furnizohet me produkte kryesisht nga Serbia, rreth 35 milion Euro në muaj importe serbe, dhe e urren Serbinë aq shumë, sa nuk bën asgjë, pa i thënë Serbia bëje, pa pyetur Serbinë.
Kosova duhet të jetojë me ose pa hirin e Serbisë, sepse po të ishte për Serbinë, ajo nuk do pavarësohej kurrë. Kosova la në baltë Shqipërinë, pastaj vendet e tjera që e njohin, duke mos marrë pjesë në Ballkanin e Hapur. S’ia futi fare Kosova Edi Ramës, por shisnin pallavra patriotike me tepri, duke sharë e fyer dhe duke poshtëruar secilin që i thirrte ata drejt arsyes. Ata jashtëqitën mbi kryeministrin shqiptar, etj. pa pikën e vetë-përmbajtje, dhe ja ku jemi tani, në prag të formalizimit, Ballkani i Hapur po bëhet një realitet, pa Kosovën brenda. Turp për Kosovën dhe mendjet konfliktuale atje!
E kush e ka fajin? Politikanët e Kosovës, askush tjetër! Ata duhet të rriten e të integrohen në iniciativat rajonale si çdo shtet tjetër, se Kosova e fati i saj është më shumë se disa politikanë të papjekur e kakareça dhe disa njerëz të tjerë të mllefosur, analista e banalista, që kujtojnë se politika e shteti drejtohet me zhabë e jo me kokë. Nuk janë mësuar kosovarët të ecin si shtet i pavarur dhe i barabartë me tjerët. Pretendime gjen sa të duash… Se nuk e njeh Serbia Kosovën, është problem, por Kosova nuk duhet ta ketë këtë si kompleks kaq të madh, sa të prishet me gjithë botën, për hir të kompleksit serb.
Duke marrë pjesë në nisma rajonale e më gjerë, Kosova vetëm forcohet, nuk rrezikohet nga Serbia. Hapja me vendet e rajonit, i ulë edhe tensionet me Serbinë. Prandaj më dukej miopi tepër e theksuar politike, deri në marri, reagimi që politika kosovare e më gjerë, bëri ndaj Ballkanit të hapur. Pasi nuk bëhet nami se Kosova nuk merr pjesë, askush nuk e ka më shumë problem këtë, se vetë Kosova!
Por ku duan të dalin kosovarët me këtë kundërshti? Është tepër e vështirë të kuptohet. Ata duan të thonë, ne nuk hyjmë në Ballkanin e Hapur pa na njohur Serbia. E Serbia e di këtë dhe nuk i njeh kurrë… Tallet keq me ta. Pra, sipas kësaj logjike, Kosova nuk hyn kurrë.
Kosova duhet të tregohet e kujdesshme dhe të mos jetojë me psikologjinë e luftës dhe të armikut të përjetshëm, duke e paraqitur veten si viktimë e përjetshme. I njohim vuajtjet e Kosovës dhe popullit të saj, por psikologjikisht, kosovarët duhet të punojnë shumë për ta tejkaluar këtë kompleks të madh, që kanë me Serbinë, që i ka sunduar për dekada dhe ua ka tjetërsuar botëkuptimin. Serbia nuk i vret e pret më, nuk i pushton më, zgjohuni kosovarë e çliriohuni!