Prof.Dr.Skender Kodra sot ne oret e para te mengjesit me njoftoi per vdekjen e Dr.Namik Shehu.
Ne gazeten “Nji Dritare e Re” botova shkrimin e postuar nga z.Nga Pierre-Pandeli Simsia qe ne funde mban nenshkrimin e Prof.SKENDER KODRA.
NË NJU JORK, NGA NJË SËMUNDJE E RËNDË, NDAHET NGA JETA
DOKTOR NAMIK SHEHU.
8 Maj 1934 – 4 Korrik 2021
Nga Pierre-Pandeli Simsia
* * *
Familja Shehu dhe miqtë e mi të nderuar Enver Hasanbelliu dhe Doktor Adem Harxhi na njoftojnë humbjen e mikut tonë familjar, bashkqytetarit, bashkëkombasit tonë të nderuar, ish Sekretarit të Akademisë së Shkencave Shqiptaro Amerikane, Doktor Namik Shehu.
Duke patur miqësi familjare me Dr. Namik Shehu dhe duke e njohur mjaft mirë jetën e tij familjare profesionale, si miq, si bashkqytetarë, kam shkruar shpesh për punën, kontributin e tij në mjekësinë shqiptare, në mjekësinë amerikane dhe në Akademinë e Shkencave Shqiptaro Amerikane.
Më poshtë një përmbledhje biografike marë me shkurtime në një nga shkrimet e mija botuar në disa gazeta të ndryshme, dhe në librin tim: FALEMINDERIT, Shënime nëpër vite, bashkangjitur me disa fotot tona të ndryshme.
Doktor Namik Shehu na la fizikisht, por emri, vepra, kontributi i tij i jashtzakonshëm në fushat e mjekësisë, shkencës, do mbeten të pavdekshëm.
Familjarisht, i shprehim ngushëllimet tona familjes Shehu, bashkëshortes Engjellushe, djalit Erian Shehu , vajzave Teuta, Loanda dhe gjithë familjarëve.
* * *
DOKTOR NAMIK SHEHU
Mjek i nderuar kardiolog, shkencëtar, profesor, bir i qytetit të Beratit që u lind dhe u rrit në atë qytet. Një jetë të tërë në shërbim të njerëzve jo vetëm të qytetit të tij, por edhe të qytetarëve të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Doktor i aftë në profesionin e tij dhe i palodhur në punë, që gjithë jetën e tij ia kushtoi jo vetëm shërbimit shëndetësor, por edhe leximit, literaturës, kërkimit, studimit në fushën e mjekësisë, shkencës.
Doktor Namiku gjatë gjithë karierës së tij si mjek, nuk mund të rrinte i qetë duke i gëzuar mbajtjes së diplomës së mjekut të përgjithshëm dhe specialitetit të tij si mjek kardiolog. Puna studimore e shkencore ishte etja e tij për t’u ulur me orë të tërë mbi libra, për të gjetur atë, bërthamën e re të frutit që mjekësia shqiptare duhet të prodhonte. Në vitin 1980 mbron disertacionin për gradë shkencore, Kandidat i Skencave Mjekësore me temë: “Presioni arterial dhe hipertensioni arterial thelbësor”, 150 faqe.
Në vitin 1984 merr titullin: ” Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, ndërsa në vitin 1994 laureohet me gradën shkencore: “Doktor i Shkencave Mjekësore”
Portreti i Doktor Namik Shehut është i gjërë dhe i larmishëm, sa të shkruhet në një faqe gazete nuk mjafton para gjithë aktivitetit të tij shumëvjeçar si mjek.
Doktor Namiku ka qenë anëtar i këshillit shkencor të Ministrisë në vitin 1971, kryetar i shoqatëve të mjekëve në Berat gjatë viteve 1971-1994, ndihmës gjyqtar për shumë vite, kryetar i shoqatës Shqipëri – Turqi për Beratin dhe nën kryetar i kësaj shoqate si republikë në vitet 1991 – 1997, gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologëve dhe të Dhembjes së Kokës nga viti 1992.
Doktor Namik Shehu është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhërin në Shërbim të Mirë të Popullit”, ndërsa nga Instituti Amerikan i Biografive me titullin: “American Medal of Honour”.
Dr. Namiku gjatë gjithë jetës së tij si mjek nuk i është ndarë asnjëherë punës kërkimore shkencore nëpërmjet kurseve të kualifikimit pasuniversitar, disertacioneve për gradë shkencore e deri në referencat e studimet shkencore që kapin mijëra faqe të daktilografuara.
Në vitin 1981 ka botuar katër monografi në fushën e shëndetësisë.
Në vitin 1983 ka botuar monografinë me bashkautor: ” Reumatizmi artikular akut dhe pasojat e tij” me një volum prej 2008 faqe. Ka bërë përkthime dhe përshtatje. Ka botuar artikuj në revistat “Shëndetësia Popullore”, “Buletini i UT-së”, “Seria e Shkencave Mjekësore”, “Punime Neuro-Psiqiatrike”, ” Punime Neurologjike” e shumë të tjera. Për probleme të shëndetit janë mbajtur disa referate dhe është folur edhe në RTSH. Qyteti i Beratit si dhe qytetet e tjerë fqinj kanë patur fatin të kenë mjekë të aftë si Doktor Namik Shehu, i cili ka punuar përkrah mjekëve të tjerë të aftë, që kanë një emër nderi në Mjekësinë Shqiptare si: Maksut Dërrasa, Pandeli Çina, Lluka Muço, Vangjel Ikonomi, Ymer Dishnica e shumë të tjerë.
Dr. Namik Shehu jeton prej shumë vitesh me familjen e tij në SH.B.A. në Nju Jork, i cili gëzon të dyja kombësitë, shqiptare dhe amerikane. Edhe këtu Dr. Namiku ka ushtruar veprimtarinë e tij si mjek, duke punuar vullnetarisht në spitalin “Lenox Hill Hospital” në Manhatten. Është Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane në Nju Jork. Ka marë pjesë në takime të shpeshta me ambasadorin e Shqipërisë pranë OKB -së, si dhe takime me mjaft interes me ambasadorin e Shqipërisë në Uashington për probleme të akademisë dhe në interes të Kombit Shqiptar. Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra është shprehur: “…Dr. Namik Shehu është një personalitet shkencor dhe si person i devotshëm dhe i aftë në kryerjen e detyrës…, ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Prof. Dr. Ylli Popa është shprehur: … Nëpërmjet Doktor Namik Shehut i uroj suksese Akademisë së shkencave Shqiptaro – Amerikane. Vitin e kaluar Dr. Namiku festoi në qytetin e tij, Berat, 70 vjetorin e lindjes, bashkë me shumë shok, miq, të afërm të doktorit, të cilët, dhurata më e bukur për Dr. Namikun ishte respekti dhe mikpritja, që qyteti dhe qytetarët e tij i rezervuan këtij njeriu të nderuar, ndërsa vetë doktori nga ana e tij atë mungesë disavjeçare do t’ua shuante mallin, duke i dhuruar edhe ai vetë një dhuratë tepër të çmueshme për qytetin dhe qytetarët e tij librin: “Berati, mjekësia nëpër shekuj”.
Dr. Namik Shehu është i martuar me mësuesen e nderuar, zonjën Engjellushe Shehu (Dyrmishi) ku kanë lindur edhe tre fëmijë. S’ka si të ndodhë ndryshe, kur nga pema e shëndoshë detyrimisht që do dalin edhe fryte të shëndoshë.
Teuta, vajza e tyre e madhe është inxhiniere e rymave të ulta, Eriani, djali i tyre është mjek, po aq i aftë sa edhe i ati si dhe vajza tjetër Loanda farmaciste, ku ka fituar edhe titullin “Masters Degree”.
Duke u njohur me udhën e bukur, të gjatë e të vështirë, në të cilën ka ecur gjatë gjithë jetës së tij si njeri, mjek, shkencëtar, doktor, si dhe me kontributin e tij të madh që ka dhënë, doktor Namik Shehu ka ecur edhe në udhën e gjatë, duke hyrë në portën e madhe të Historisë dhe Historia, jo vetëm që do ta pranojë, por do t’i japë edhe vendin e tij të nderit që i takon.
Le të mbetet Doktor Namik Shehu nderi i Beratit, i beratasve, i gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë ne të bashkohemi njëzëri duke i uruar: “Jetë të gjatë, duke u mbetur shembull për brezat e rinj”.