25.5 C
Tiranë
E hënë, 20 Maj 2024

Rajmonda Qose Shkopi

DHIMBJE VERBUESE

Dëshmitar është dielli
që vetullat rrudh
Teksa kotet vështrimi i hijes
Zbrazëtia mbush ajrin e cekët
Honet e vetmisë zgjasin kokat kureshtare
Tokës i shtohen rrudhat e stinëve,
Nga mungesa e puthjes së hapave
Që rrallohen e ndjen mall
Simfoni e trishtë luhet lokaleve,
ku kujtimet vallëzojnë
Hijet e stampuara ngado
I ndjekin me sy
Të paprekshme
por transparente
Si lotët , që rrezet kërkojnë t’i puthin,
Pasi dëgjojnë klithmën e tyre kumbuese
Gjithandej imazhe,
sekuenca kujtimesh
Dhe një dhimbje e fortë verbuese.
“”””””””””””””””””””

Dilema e fluturës
Era shtriqte flokët e mëndafshtë të reve sa andej ketej.
Me vështirësi u ngjita pas trungut të pemës së madhe së bashku me motrat e mia , nga frika se hijet gjigante do të na kapnin e do na shtypnin pa mëshirë. U fshehëm pranë gjetheve më të afërta dhe trupi na dridhej nga frika. Dëgjonim zhurma rreth e qark dhe ca balona shumëngjyrëshe, që flladisnin me krahët e erës. Trupi na dridhej dhe u mbështollëm pas njëra-tjetrës për të ndjerë më tepër siguri.
Nuk di sesi më kapiti një gjumë i thellë, por kur u ngrita ndjeva se diçka më bezdiste nën sqetulla.
Shtriva tentakulat dhe pashë se më kishin çelur flatrat shumëngjyrëshe dhe zemra hovi prej lumturisë.
Po kjo zgjati fare pak. Pashë rreth e qark dhe vura re se motrat nuk ishin aty.
Paniku më dyzoi: të fluturoja me riskun se njerëzit do të më kapnin dhe pasi t’ i gëzoheshin bukurisë sime do të më vrisnin pa pikë mëshirë, (këtë gjë e dija nga prindërit kur e përsërisnin shpesh se bukuria vret , ndaj kini kujdes, se njerëzit nuk mjaftohen duke iu gëzuar rrezatimit të saj , por kënaqen më tepër kur e përbaltin , e shtypin, e përçudnojnë,), apo të qëndroja brenda zgavrës së këtij trungu të madh e të vdisja nga uria?!
Thirrjet e njerezve kumbonin e më trembnin akoma më tepër” Sa flutura të bukura!”
U mendova një çast, pastaj u dhashë hov flatrave me sa fuqi kisha dhe u ngjita lart në qiell , që njerëzit të mos kishin mundësi të më kapnin.
“”””””””””””””””””””””””

Me padurimin e një fëmije
Në sythe qershish
varen puthje të ngjizura
nga vesa
Mjegulla e hirtë
me petkun e saj i mbulon
Një rreze shpërthen
si buzëqeshja jote
e çan tejpërtej
Duart i bëj fole ,
dhe me padurimin e një fëmije
pres shijen t’ua ndjej.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.