https://www.facebook.com/100000912613167/videos/pcb.4855857971121242/4855855304454842
Më pëlqen shija e hidhur e kafesë,
sepse më ëmbëlson.
Më pëlqen ngjyra e errët e kafesë,
sepse shpirtin ma kthjellon.
Më pëlqen më tepër kur e pi buzë detit
sepse më tepër me shijon e lumturon,
veçanërisht kur shpirti freskinë takon…
Pas pasionit të leximit e udhētimet, preferoj të vizitoj vende të shenjta, ku ndjej të më përkëdhelë e bekojë dora e Zotit…Midis tyre dua të përmend kishën e manastirit të hirshëm “Fjetja e Hyjlindëses” në Boboshticë. Vizitën në Rehovën piktoreske, e cila shtrihet në rrëzë të malit të Gramozit, takimin me pronarët e Bar Restorant Hotel Inxhujo në hyrje të qytetit të Ersekës, me Luljeta Isain në fshatin Butkë dhe miket e dashura Shqiponja Panajoti e
Buqe Agolli
si dhe
Gerta Bandilli
me bashkëshortin Ilir, që na mikpritën në Korçën e vendlindjes. Brezi im nuk i ka arritur kishat e xhamitë, ndaj unë jam e etur për të vizituar çdo vend të shenjtë, pavarësisht besimit. Natën e përgatitjes së hashures shkuam në Teqenë e Melçanit, një nga teqetë më të vjetra të Shqipërisë Jug-Lindore dhe ndoshta e vetmja teqe e fortifikuar e mbetur në këmbë. Ngrihet maje një kodre në zonën Perëndimore të kodrave në hyrje të Korçës. Gjatë regjimit u perdor si repart ushtarak dhe kjo bëri që t’i mbijetonte kohës.
Kjo teqe ka vlera të mëdha të zhvillimit të besimit, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Objekti i kultit u rindërtua, pikërisht në themelet e teqesë së vjetër pas rënies së regjimit komunist.

Mjaft i këndshëm ishte Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh me shtëpi të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një kodre jo shumë të lartë, të cilën ne e ngjitëm deri në majë ku janë rrenojat nga koha e Justinianit 1500 vjet përpara.. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit, kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, që gjenden mbi kodër. Më tutje akoma një bunker i kthyer në kishës.
Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori. Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.
Kisha e Ristozit, nuk e kisha vizituar qysh kur u hap ne fillim të 1992, tashmë një monument i trashëgimisë kulturore në Mborje të Korçës, që i dedikohet Shën Marisë, një nga objektet e kultit të ndërtuar më herët në Ballkan. Ka disa versione për kohën e ndërtimit të saj. Sipas njërit prej versioneve, kjo kishë është ngritur në vitin 896 nga Shën Klementi, ndërsa në një version tjetër flitet për gjysmën e shekullit të XIV-të. Kisha është ndërtuar në rrëzë të malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Prej aty u ngjita së bashku me djemtë tek Kryqi në majen e malit Moravë dhe tek Kisha e Shën Ilia, me lutjen që Zoti të na mbrojë dhe na ndihmojë në realizimin e dëshirave familisht!