13.5 C
Tiranë
E hënë, 6 Maj 2024

Nga:LEONORA CANJA ALLAJBEU

Nessuna descrizione disponibile.

 

Dy kuaj

Në qiellin e lagur,

të një kohe pa stinë,

dy kuaj të hazdisur,

ecin vetëtimë.

Njëri i bardhë,

tjetri sterrë,i zi.

I bardhi vjen nga vdekja,

mbushur plot stoli,

ziko vjen nga jeta,

mbushur djallëzi,

s’di kë të zgjedh,

të rend në stuhi.

Udhëton i gjalli me

të vdekurin,

në qiellin e lagur,

në kohën pa stinë.

Dua të ndaloj,

oh,ky kalë i zi,

do të më marrë,

të më fusë thellë,

në gji,

të më çojë larg,

larg nëpër stuhi.

Kali i bardhë,

me vdekje mbuluar,

vetëm ai e di,

mbi retë ka udhëtuar,

do të më marrë,

me  ëndrra mbuluar.

Ah,ky kalë i bardhë,

kaq shumë i dobësuar,

vjen nga vdekja,

Jetën dashuruar.

Në qiell të lagur,

në një kohë pa stinë,

dy kuaj vrapuar,

i gjalli me të vdekurin,

diku  drejtuar,

diku drejtuar…

 

Kur ti më harron

Kur ti më harron,

dhe nuk më shikon,

merresh me gjithçka,

me një zemër që dridhet,

jo,

ajo,veç për ty mendon,

dhe vetëm ty të do.

Sa mirë do të ishte,

gjithçka të harrohet,

në letargjinë e jetës,

në detin e harresës,

ku peshqit vdesin në

përgjumje,

dhe muzikën e valëve

më nuk e dëgjojnë.

Ti më harron,

për diçka,

që nuk vlen,

po veç kohën kalon,

kohën kalon…

Përkëdhel zemra

Eci?

Jo,fluturoj

mbi rrugë të mbushura

plot zemra,

mbi qiellin plot ngjyra,

që më sjell erën,

të më ledhatojë.

Eci?

Jo,fluturoj.

në rrugët plot zemra

të kuqe,të ngrohta,

të bardha,

që me mall më përqafojnë,

si dikur dhe sot.

Tokë e begatë,

e bekuar,

lumturia ajrin,

mban pushtuar,

në këto rrugë,

plot zemra

të kuqe,të ngrohta,

të bardha,

këtu,aty,atje,

sot,nesër,

vitin që vjen.

Eci?

Jo,fluturoj duke

përkëdhel zëmra,

u flas me gojë,

aty ku rrugët,

mbushen plot jetë,

aty,këtu,atje,

atdhe,atdhe,

tokë,

që mbulohet plot

ngjyra zemrash,

përherë,përherë…

Eja

Ti më thua eja,

Aeroportet janë stacione

lumturie,

ku mund të shohim

përralla fëmijërie,

në ekranet e mëdha,

me reklama fine,

kokën mendueshëm ul,

nbi të trishtuarat trotuare.

Eja,

më thua,

avionët ulen dhe ngrihen,

si shilarëset,

kur luanim dikur,

njërëzit ikin dhe vijnë,

si nata dhe dita,

që s’janë të qeta kurrë,

përcjellin e presin,

si fushat e mbjella shiun,

nën diellin përvëlues,

tokë e çarë dhe e enjtur,

mban sytë nga retë,

që vijnë dhe ikin,

e shi nuk sjellin kur duhet.

Sytë e përlotur ul,

asgjë s’më bind,

aeroportet me xhama

të tejdukshëm,

sjellin lumturinë ngarkuar,

nëpër krahë avionësh.

Ti më thua eja,

Eja…

Muret e heshtjes

Në mure ndarje,

shikime pa ndrojtje,

në fjalë bajate,

shtrihet jetë boshe.

Ecim humnerave,

me verbëri joshëse,

dëgjojmë sirenat,

me kopjuese zëra,

dehemi pa pirë,

bëhemi të paqëna.

Ecim mbi pikëpyetje,

përgjigje pa thëna,

gënjehemi nga tinguj,

fjalë nuk krijuam,

ndarë nga mure,

moskuptimi krijuar,

ngrirë  nga jeta,

çliruar nga ndjenja.

Shikime të mbetura,

në kohë të vjetra,

mure të ngrira,

ëndrra të tretura…

 

Je

Je pritje e gjatë,

e gjatë,

Je mendim i tjerrë

nëpër natë,

Je hënë e tretur

në shtrëngatë,

Dua të të ndjej,

ty dhimbje e largët,

pritje në shtrëngatë,

mërguar në dhimbje,

je thjesht,

nocion lumturie.

Dua të të ndjej,

në ajrin e shqetësuar,

mendimet,

rroba të vjetëruara,

varur në mure rrethues

shtëpie,

nga ngrica mbuluar.

Dua të të ndjej,

në pritjen e ajrit

rralluar,

në pritjen e zemrës,

gjithmonë munguar,

munguar…

 

Pyll gjetherënë

Pylli u zhvesh,

gjethet ranë,pa triumf,

nën tingujt solemn,

të një himni shekullor,

vdekjesh heroike.

Pylli u zhvesh,

gjethet e rëna,

kanë shtruar qilimin

dimëror,

mbi të,

zogjtë gjakftohtë,

bëjnë vallëzim  hieroglifesh.

Eja i shtrenjti im,

pyll i zhveshur nga gjethet,

pret të fillojë jetën,

nga valsi i zogjve,me gjak

të ftohtë,

që qëndisin mbi gjethet

e rëna,

ëndrrat pranverore,

për pemët dhe jetën,

për ne,

dhe netët  e ngrohta,

netët e ngrohta…

Mal i zhveshur

Mal i zhveshur,

rripat e shkëmbinjve

të ngrirë,të sterosur

nga erë e flamosur.

Mundohem të ngjitem

ngadalë,ngadalë,

tërheq e lodhur,

rrezet e diellit,

për t’u ngrohur.

Të shoh,

mos malit zemra,

nuk i është tretur,

Të shoh,

mos vallë,

në shpellat e errëta,

ka mbetur ndonjë këngë,

që zanat e tirrnin dikur,

për malet e blerta.

Në malin e lartë,

rripa zhveshur,

këndoj këngë,

me iso shkëmbinj tjerrur.

Zemra e malit,

shpellë e thellë,

Mallin  mban fshehur,

mal i lartë,

rripa zhveshur,

rripa zhveshur…

Kohë e zjarrtë

Në ngjitjen e ngadaltë,

malit të madhërishëm,

kokën kthej nga horizont

i magjishëm.

Ndjej si mbushem

me ëndrra të guximshme,

kur tutje në horizont,

qielli shkruan ngjarje

të habitshme.

Ah,ky Tomor i plakur,

të dhënka dhuratë,

fantazinë magjike.

Ngjitem,e ngjitem,

në duar mbaj agimin,

mbi një peizazh të artë.

Tomori plak,

ëndrrat shekullore,

i shkruan në shkëmbinj

të fortë,

Nën një qiell shprese,

të një kohe të zjarrtë,

të zjarrtë…

 

Mos e duaj pranverën

Të them,

mos e duaj pranverën,

ajo vjen plot ngjyra e lule,

nuk rri përgjithmonë,

fëmijët dhe poetët,

i këndojnë himne,

përsëri ajo nuk qëndron.

Ti më shikon,

me sytë e mrekullueshëm,

të zinj,të bukur e plot gjallëri,

tund kokën dhe më thua,

me ëmbëlsi,

dimrin e kam frikë,

më tmerron.

E dridhesh,

nga tmerri i ditës dimërore.

Në heshtje më kap dorën,

ndihmë më kërkon,

dimri me ngricë,

mos të të tmerrojë.

Pranverës mendjelehtë,

ndihmë me vargje i kërkoj,

hesht e menduar,

një zgjidhje dua,

s’e gjej dot.

Vazhdoj të mërmëris

me vete,

mos,

mos e duaj pranverën,

Ajo,

është veç një çast,

nuk është përgjithmonë,

nuk është përgjithmonë…

 

Vila të ngrira

Vilë luksoze me  grila të ulura,

s’dëgjohet asgjë,

as zëra fëmijësh,as përkëdhelje

prindërish,

veç heshtje e trembur,

mbyllur dhomave,

trishtimi dhe heshtja

qajnë me ngashërim,

muret e mbushura

nga vaji dhe kuja,

kullojnë,

nuk ka një dorë,një zë

të ngrihet,

urdhër të japë,

që vaji të pushojë.

Diku,

një plakë e rrjedhur endet

gjerdheve,

e shkarpa për pak zjarr,

do të grumbullojë,

Era tallet me të mjerën,

dhe vargjet ia dërgon me

me fshikëllima ngrice

e bore,

prap plaka shkarpa grumbullon,

grumbullon.

Vila luksoze ul grilat,

grilat nga dhimbja,

zë ulëritës,deri në rrëqethje lëshojnë,

plakë e shkarë mbledh

shkarpa,

zjarr bubulak,ëndërron,

ëndërron,

malin e mbushur me ullinj,

që askush se vjel.

Vilat luksoze,

me grila të mbyllura,

nuk pranojnë të flasin,

as histori të tregojnë,

të ngrira qëndrojnë,

të ngrira…

 

 rrugën humb

Kur rrugën e humb të vish

tek unë,

endesh si njeri i pirë,

nxirr nga zemra poezinë,

të arshivuarën,

e mbështjellë me  ëmbëlsi,

ashtu si nëna fëmijën,

të ndjesh si zemra,

rrugën e gjen përsëri.

Sytë e mi të kujtosh,s’mundesh,

si nxënësi pyetjen s’kujton në provim.

Shko anës Osumit,

Shiko si lotët e mi,

të kthyer nga mali,

burim krijojnë,

dallgë uji,

për të nxjerrë anës lumit,

mesazhe malli,

të çelura në trëndafil.

Kur zërin të më harrosh,

Si harrohen netët pranverore,

drejtohu qiellit të mbledhë retë,

bubullima të sjellë,

si në një ditë stuhish dimërore,

të kujtosh,

se qeshja ime ngeli,

në degë ulliri e molle,

kur dielli,

ishte pranë apo në largim.

Kur rrugën e humb,

për tek unë të vish,

e nuk mundesh,

nuk mundesh…

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.