Vihet në dyshim shtetësia e Kosovës në dokumentin e nënshkruar për linjën Prishtinë-Beograd
S’donim që Air Serbia të bëjë marrëveshje me Aeroportin Adem Jashari
Aleksander VuçiqAi ka thënë se me këtë marrëveshje është evituar njohja e pavarësisë së Kosovës. Vuçiq që është kritikuar se pse kompania Air Serbia nuk do të jetë operatori por kompania gjermane, ka thënë se në këtë mënyrë është evituar njohja e Kosovës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka komentuar nga Zvicra marrëveshjen Kosovë – Serbi të nënshkruar në Berlin për vendosjen e një linjë fluturimi në relacionin Prishtinë – Beograd.
Ai ka thënë se me këtë marrëveshje është evituar njohja e pavarësisë së Kosovës. Vuçiq që është kritikuar se pse kompania Air Serbia nuk do të jetë operatori por kompania gjermane, ka thënë se në këtë mënyrë është evituar njohja e Kosovës.
“Air Serbia do duhej të nënshkruante të gjitha dokumentet me shtetin e Kosovës. Do të duhej të bënte marrëveshje me aeroportin Adem Jashari, por edhe me Kosovën si shtet, do duhej ta pranonim se hapësira ajrore nuk është nën kontrollin tonë. Për këtë ne kërkuam dhe luftuam që ta involvojmë KFOR’in, ta kemi një ndërmjetës që me rezolutën e OKB’së është përgjegjës për atë hapësirë” ka thënë Vuçiq.
Shtetësia e Kosovës vihet në dyshim në dokumentin të cilin pala kosovare e ka nënshkruar në Berlin për linjën direkte mes Prishtinës dhe Beogradit.
Që në fillim të letrës së nënshkruar nga Kosova me tri palë të tjera, Autoriteti i Aviacionit Civil TË Kosovës, quhet Autoriteti i Aviacionit Civil NË Kosovë.
Dokumenti i përmbledhur në më pak se dy faqe, të cilin e posedon Kohavisioni e që u nënshkrua në Berlin, në fakt është një marrëveshje ndërmjet 4 institucioneve, Kompanisë Ajrore Lufthansa, Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës, KFOR-it dhe Autoriteti Civil të Kosovës.
Kjo tregon se autoritetet kosovare dhe serbe kanë nënshkruar dy letra të ndryshme specifike për punët e tyre.
Aty flitet për krijimin e një linje speciale ndërmjet Prishtinës e Beogradit, duke i anashkaluar termet shtetërore.
Derisa është anashkaluar edhe termi ASHNA, që nënkupton Agjencinë Shtetërore të Navigimit, duke e përmendur vetëm Njësia e Trafikut Ajror, term ky që është përdorur para se Kosova ta marrë shtetësinë.
“Palët shprehin interesin për të themeluar linjën ajrore speciale Beograd-Prishtinë. Njësiti i Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin e Prishtinës është autoriteti kompetent për ofrimin e shërbimeve të tilla brenda Sektorit të KFOR-it. KFOR-i është autoriteti kompetent për të siguruar mbikëqyrjen se kushtet e shërbimeve të ATC-së brenda Sektorit të KFOR-it po kryhen në mënyrë të sigurt. Njësiti i ATC-së në Aeroportin e Prishtinës do të ofrojë shërbimet e ATC-së për të gjithë avionët e EuroWings the transportuesit e Lufthansa Group, brenda hapësirës ajrore të KFOR-it. Komunikimi direkt do të zhvillohet ndërmjet ofruesve të shërbimeve në aeroporte, përfshirë ofruesit e ATC-së në aeroportin e Beogradit, ose ndonjë ATC tjetër të nevojshëm”, thuhet në dokument.
Tutje, marrëveshja thotë se institucionet e Kosovës, në përputhje me Marrëveshjen për këtë linjë speciale, do t’u mundësojnë EuroWings-it dhe transportuesve të Lufthansa Group, të paraqesin planin e fluturimeve, duke përdorur kodin ICAO të BKPR-së për shërbimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Autorizimet respektive për hapësirën ajrore do të mbesin në fuqi pa ndonjë aprovim shtesë. Pëlqimi kërkon regjistrimin e nevojshëm të lejes së lëshuar nga Agjencia e Aviacionit Civil në Kosovë, i cili nuk duhet të refuzohet nëse Eurowings ose transportuesit e Lufthansa Group janë në gjendje të prezantojnë dokumentacion ajror relevant”, theksohet më tej në dokument.
Ndërsa, theksohet se Shërbimet duhet të përfshijnë që pasagjerët do t’u nënshtrohen të gjitha procedurave, bazuar në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes dhe Marrëveshjen e IBM-së, e arritur në dialogun Beograd – Prishtinë.
Kjo nënkupton se pasagjerët e kësaj linje do të mund të lëvizin me letërnjoftime, sikurse në secilën pikë tjetër kufitare mes shteteve, pasi që kjo ishte arritja e marrëveshjes në Bruksel për lëvizjen e lirë.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës dhe Aeroporti i Prishtinës janë dakorduar se shërbimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe anasjelltas, duhet të operojnë pa ndonjë taksë shtesë ose pagesë, thuhet në marrëveshje.
Aty përmendet edhe mundësia e përdorimit të kodeve të dyfishta.
“Paraqitja e ‘kodeve të dyfishta’ e transportuesve me Lufthansa Group për shërbimet respektive duhet të sigurohet në çfarëdo kohe, duke u bazuar në përmbushjen e të gjitha kushteve. Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë është në dijeni se EuroWings ose transportuesit e Lufthansa Group kanë të drejtë të përdorin shërbimet nga partnerët e tjerë ajrorë për këtë linjë, me dijeninë paraprake të autoriteteve”.
Në fund të letrës, përmendet se Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i duhet të bëjnë një marrëveshje, e cila siguron zbatimin e kësaj linje, duke ritheksuar edhe një herë autoritetin e KFOR-it mbi hapësirën ajrore.
“Në secilin rast, KFOR-i vazhdon të ketë autoritet në hapësirën ajrore të Kosovës, në pajtim me marrëveshjet e Misionit të NATO-së në Kosovë. Bazuar në Marrëveshjen, Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i do të harmonizojnë dhe nënshkruajnë Procedurën e Koordinimit në ekzekutimin e fluturimeve, bazuar në BPSAR. Në çdo kohë, Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti i Prishtinës dhe KFOR-i, sigurojnë operime të sigurta të fluturimeve, përfshirë aterrimet e fluturimeve të BPSAR”, përfundon dokumenti.
Kosova e Serbia janë pajtuar t’i nisin procedurat për një linjë direkte fluturimi mes shteteve e kështu, të hapet korridori ajror, të cilin Serbia e ka penguar që nga paslufta.